DËSHTIMI I LIBERALDEMOKRACISË NË AFGANISTAN

4 Minuta Lexim

Nga Ridvan PESHKOPIA-

Dhe ja ku përfundoi ne mënyrë aspak të lavdishme një tjetër eksperiment liberaldemokrat, Afganistani. Pas pothuajse një trilion dollarë të shpenzuar ($978 miliard), rezultati i pushtimit liberal ishte po ai i pushtimit komunist: dështim. Ashtu si ideologjia komuniste donte te inxhineronte shoqërinë universale socialiste, ashtu edhe ideologjia liberale do të inxhinerojë shoqërinë universale liberaldemokrate. Dhe kur eksperimentet e tyre sociale dështojnë, çfarë bëjnë socialistët dhe liberalët? Kërkojnë falje? Heqin dorë? Aspak. Edhe bar do të hamë dhe parimet nuk i shkelim…

Verbëria e ideologjisë liberale kaloi çdo masë të njohur deri më sot: një miliard dollarë për “gender studies”. Idetë idiote të Perëndimit të hedhura mbi një shoqëri fisnore u transformuan njëkohësisht në burime përfitimi për një kategori të vogël njerëzish dhe objekt talljeje dhe kundërshtimi nga shumica e shoqërisë afgane. OJQ-të, kanceri i shoqërive transitore, krijuan nje klasë qytetarësh që jetonin në luks kur mjerimi ka kapluar vendin. Nga njera anë, projektet e tyre miliona dollarëshe përfshinin trainime kundër stereotipeve gjinore (në njerin prej tyre po përpiqeshin të bindnin afganët se burrat mund të mbeten me barrë). Një raport sekret shkruante se këto seminare po e kthejnë popullsinë kundër nesh. Nga ana tjetër, instalimi i kuotave gjinore vendosi përballë institucioneve detyra të parealizueshme: 10% e ushtrisë duhej të ishin gra. Kuotat për gratë në parlament sollën në politikë gra elitare që nuk kishin qenë kurrë nëpër krahinat që përfaqësonin, çka donte të thoshte miliona njerëz të papërfaqësuar politikisht. Talebanët e mbushën këtë vakum përfaqësimi.

Kësisoj, në Afganistan nuk fituan talebanët por humbi liberaldemokracia. Një trilion dollarë nuk mjaftuan për t’ia blerë shpirtin një populli: afganët i thanë JO liberalizmit në 2021 ashtu siç i thanë JO komunizmit në 1978.

Aventura perëndimore në Afganistan nisi si një përpjekje për shkatërrimin e Al Kaedës por çuditërisht kaloi në një përpjekje shtetndërtuese sipas modelit Weberian perëndimor, me aspirata për të ndërtuar një shoqëri moderne në një vend ku shumica e popullsisë vazhdon të jetë analfabete (sipas dëshmisë së një ushtaraku amerikan që ndihmonte rekrutimin për ushtrinë afgane, atyre u dukej ta fillonin trainimin ushtarak me mësimin e shkrimit dhe leximit, numërimit dhe dallimit të ngjyrave). Afganistani, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka kontakt shumë të kufizuar me veglat metalike, do t’i duhej të ndërtonte tani sistemin politik që Revolucioni Industrial solli në Perëndim.

Ky nuk ishte dështimi i Afganistanit; përkundrazi, ishte çlirimi i tij. Prej katër dekadash ai popull i mjerë ka vuajtuar drama pa fund të krijuara së pari me përpjekjen sovjetike për të eksportuar atje komunizmin dhe më pas me përpjekjen perëndimore për të eksportuar atje liberalizmin. Sepse këto ideologji vrastare jetojnë iluzionin se janë vlerat më të larta njerëzore dhe se meritojnë të sundojnë botën. Sepse askund nuk u shkon ndër mend ideologëve të tyre kokëtrashë se njerëzit duan ta jetojnë jetën si duan ata dhe jo siç ua kërkon Moska, Uashingtoni apo Brukseli.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull