Strehimi i afganëve në Kosovë, Vjosa Osmani pret në takim përfaqësuesit e OKB-së

3 Minuta Lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten është takuar me përfaqësues të tri organizatave të Kombeve të Bashkuara, me të cilët ka diskutuar lidhur me përgatitjet që po bën Kosova për të strehuar qytetarët nga Afganistani, të cilët kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Gjatë takimit me koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Ulrika Richardson, Erol Arduc nga Agjencia për Refugjatë (UNHCR) dhe Anna Rostocka nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Osmani tha se strehimi i shtetasve afganë po bëhet në bashkëpunim me SHBA-në.

“Ne jemi të hapur për t’i mirëpritur qytetarët nga Afganistani sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik SHBA-në”, tha Osmani, thuhet në një njoftim të lëshuar nga Presidenca.

Autoritetet në Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar afganët që kanë bashkëpunuar me SHBA-në, pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit.

Megjithatë, autoritetet në Prishtinë ende nuk kanë bërë publike se sa është numri i afganëve që të strehohen përkohësisht ose kur ata do të arrijnë në Kosovë.

Edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shprehur gatishmërinë e tyre për pranimin e afganëve. Të premten, në Shkup, pritet të arrijë grupi i parë i 450 afganëve që autoritetet maqedonase do të strehojnë. Tirana zyrtare ka bërë të ditur se do të strehojë rreth 1.000 afganë, por ende është e paqartë se kur ata do të arrijnë në Shqipëri.

Më 15 gusht, talibanët morën kontrollin e Kabulit dhe thanë se së shpejti do të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, të bazuar në parimet islame.
Mijëra afganë ia kanë mësyrë aeroportit të Kabulit dhe po mëtojnë që të largohen nga Afganistani, nga frika nga talibanët.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull