Dritan Leli infektohet me koronavirus

2 Minuta Lexim

Infektohet me COVID-19 kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Leli përmes një postimi në rrjetet sociale.

Teksa i dedikon disa fjalë vëllait të tij të ndjerë që nuk jeton më, Leli pohon se ndodhet prej disa ditësh i izoluar në banesë, ndërsa sqaron edhe mungesën e tij në festën e Kuçit.

Themelues i kësaj feste, kryebashkiaku thotë se ishte vëllai i tij, Edi i cili ndërroi jetë në 13 tetor të vitit 2019.

Mesazhi i Lelit:

Është hera e parë që Festës së Kuçit, takimit të përvitshëm të brezave, i mungon Edi. I mungon fizikisht sepse, për të gjithë, është si të ishte aty. Janë mbledhur sot pa Edin, por janë mbledhur për Edin, për shpirtin dhe themeluesin e këtyre takimeve që vitet e kthyen në traditë. Edi ishte energjia e çdo feste, kudo ku ishte i pranishëm. Tani, të gjitha takimeve, u mungon pjesa më e mirë, entuziazmi i pakursyer dhe bujaria e tij. U jam falenderues miqve të tij, miqve tanë, organizatorëve dhe gjithë kuçjotëve që janë mbledhur sot për ta kujtuar, për të jetuar këto orë me historitë e Edit, me të qeshurën e tij ngjitëse që njësoj siç shpërndahej çdo ditë në Vlorë, për vite me radhë, në fund të gushtit, udhëtonte gjithnjë në Kuç.

Më vjen keq që për shkak të ditëve që duhet të qëndroj i izoluar prej Covidit, nuk mund të jem i pranishëm, por mendimet për Edin na bëjnë njësoj bashkë! Kujtojeni Edin, gjithmonë, ashtu siç ishte kur ju bëri bashkë dhe ashtu siç jetoi deri në fund, me vrrullin e ëndrrave në të cilat besonte.

Kjo festë është e kuçjotëve dhe e Kuçit! Gëzuar!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull