Nga Robert NICHOLSON -*
Historianët, ushtarët dhe politikanët do të debatojnë për dekada të tëra mbi atë çfarë shkoi keq gjatë ndërhyrjes ushtarake amerikane në Afganistan. Por për vite me radhë ka qenë më se e dukshme një e vërtetë e thjeshtë:Ne perëndimorët dështuam aty jo për shkak të mungesë të përpjekjeve, por sepse fuqia jonë ushtarake dhe ekonomike nuk mund ta ndryshojë dot në një mënyrë të qëndrueshme botën islame.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA mbërriti në Azinë Jugore 20 vjet më parë duke kërkuar drejtësi pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Shumë shpejt ne u shndërruam në apostuj të qytetërimit universal, duke promovuar idenë se qeniet njerëzore kudo në botë do të merrnin të njëjtat vendime themelore që morëm edhe ne në Perëndim në ndërtimin e bashkësisë politike.
Ne shkruam atje për të krijuar një shtet demokratik liberal, por duke mos kuptuar se politika shtrihet në rrjedhën e poshtme të kulturës, dhe se vetë kultura shtrihen në rrjedhën e poshtme të fesë. Ne nuk na shkoi asnjëherë në mendje se Amerika ishte ajo që ishte për shkak të Krishterimit, dhe se Afganistani ishte ai që ishte për shkak të Islamit.
Shkencëtari politik Samuel Huntington kishte të drejtë:shoqëritë islame i përkasin një qytetërimi të veçantë, që i reziston imponimit të vlerave të huaja përmes pushtetit. Ne mund të zgjedhim ta besojmë ose jo këtë argument, por triliona dollarë, dhjetëra mijëra jetë dhe dy dekada luftërash nuk kanë dëshmuar të kundërtën.
E megjithatë, shumë njerëz mbeten të verbër pikërisht ndaj asaj që është e dukshme. Duke u përballur me kaosin në dukje të palidhur me zhvillimet diku tjetër në vende si Iraku, Siria, Libani, territoret palestineze, Jemeni, Libia dhe Nigeria, diplomatët dhe strategët tanë dizenjojnë përgjigje të njëanshme, të cilat shpërfillin ideologjitë dhe aktorët e përbashkët që i mbajnë ato së bashku.
Duke gjetur grumbuj porcelani të thyer nëpër dhomë, ata i ngjisin me zell copat së bashku, duke mos e parë “elefantin” aty pranë, këmbët e të cilit janë të mbuluara me pluhurin e qeramikës. Dhe kjo verbëri nxitet nga dëshira fisnike për t’i parë njerëzit si qenie të barabarta, të këmbyeshme, dhe për të cilët besimi dhe kultura janë “aksidente” që u kanë ndodhur qënë lindje.
Por këto “aksidente” janë të vërteta të panegociueshme për qindra miliona njerëz, që preferojnë të vdesin sesa t’i pranojnë ato. Dështimi për ta kuptuar këtë, është një simptomë e qartë e zbrazëtisë shpirtërore:Të tjetërsuar nga origjina e krishterë e Amerikës, miliona njerëz nuk mund të kuptojnë se si besimi mund të luajë një rol jetësor në lidhjen e njerëzve së bashku.
Eufemizma të tillë si “Lindja e Mesme e Madhe” pasqyrojnë shqetësimin ndaj një bote islamike të unifikuar. S’ka gjë se vetë myslimanët flasin në terma të tillë, apo se diversiteti lokal midis Indonezisë dhe Marokut nuk e minon koherencën themelore të Umetit (bashkësisë së besimtarëve myslimanë).
Shtëpia e Islamit ka shumë dhoma, por ajo bazohet mbi disa shtylla:Kurani është shpallja përfundimtare e Allahut, i detyrueshëm për mbarë njerëzimin; besimi është një çështje e përkushtimit privat, si dhe e drejta publike, e jetuar më së miri në një shtet që ndërthur fenë dhe politikën; dhe myslimanët duhet, aty ku është e mundur, të kenë pushtet mbi jomyslimanët për të siguruar zbatimin e drejtë të ligjit të Allahut.
Janë doktrina të tilla që i bëjnë grupime si talebanët, Al Kaeda dhe Hamasin të luftojnë kundër “hebrenjve dhe kryqtarëve” që shkelin në tokën që historikisht i përket Islamit. Por angazhimet e tyre nuk janë radikale; shumica e myslimanëve i shohin ato si normative edhe nëse nuk arrijnë të veprojnë sipas tyre.
Tendencat e reja, mund të lajmërojnë kohët që ndryshojnë. Vendimi i fundit i katër vendeve me shumicë myslimane për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin ishte një akt miqësor mbresëlënës që meriton vlerësim.
Por akte të tilla janë ende anormale në një rajon ku myslimanët fetarë dhe laikë kundërshtojnë në mënyrë dërrmuese Izraelin, SHBA-në dhe lidhjet hebraike midis tyre. Ata që bëjnë thirrje për liberalizimin e doktrinave tradicionale janë shpirtra kurajozë, por ende pakica statistikore.
Perëndimi nuk mund ta ndryshojë botën islame, por nga ana tjetër as nuk mundet të injorojë bashkësinë fetare me rritjen më të shpejtë në botë. Strategjia më e mirë do të kalojë nga qasja aktuale dhe të dhënit prioritet mbrojtjes së interesave dhe aleatëve amerikanë mbi promovimin e vlerave dhe institucioneve perëndimore.
Natyrisht, myslimanët amerikanë meritojnë të njëjtat të drejta si qytetarët e tjerë. Shtetet me shumicë myslimane që kërkojnë miqësi me SHBA-në, meritojnë një mirëseardhje të ngrohtë, sidomos kur marrin vendime të vështira në dobi të paqes.
Dhe qeveria amerikane mund të ofrojë sërish në të ardhmen ndihmë humanitare për viktimat e luftërave brenda-myslimane, me një theks të veçantë tek jomyslimanët e mbërthyer në këto konflikte. Por në përgjithësi, SHBA-ja duhet të tërhiqet nga bota islame.
Mënyra më e mirë për të nderuar vlerat amerikane, është dhënia fund e imponimit të tyre tek ata që i refuzojnë ato. Vetëm me shumicë myslimane mund të vendosin për një të ardhme myslimane. Uashingtoni duhet të konfirmojë të drejtën e tyre për të ndërtuar shoqëri organike që përputhen me vlerat e tyre, sepse ato do ta bëjnë këtë gjë pavarësisht asaj që pretendon Amerika.
Kjo nuk do të thotë që ne do të rrimë duarkryq kur zgjedhjet e tyre i kalojnë “vijat e kuqe” të Amerikës, por kjo e fundit duhet të afirmojë të drejtën e tyre për t’i bërë ato. Bota Islame mund të mos ndryshojë, ose ndoshta do të ndryshojë. Por kjo nuk ka qenë asnjëherë një çështje e SHBA-së dhe Perëndimit.
Fokusi ynë duhet të jetë kurimi i sëmundjes shpirtërore që na verboi dhe hutoi, duke e rifituar ndjenjën tonë civilizuese dhe duke i riorientuar përparësitë tona në përputhje me rrethanat./“The Wall Street Journal”
Shënim: Robert Nicholson është president i “Philos Project”.