Më 24 maj, Aung San Su Kyi u shfaq për herë të parë në publik që pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit të këtij viti në Mianmar, ditën edhe kur u arrestua. Edhe pse në një situatë surreale, pra si i pandehur që akuzohet se ka favorizuar një manipulim të madh zgjedhor.
Na fakt, zyrtarisht ushtria birmaneze nuk kreu një grusht shteti për të përmbysur një qeveri, e cila doli qartazi fituese nga zgjedhjet e lira të nëntorit të vitit të kaluar. Ajo nuk veproi pasi kishte frikë se humbte pasurinë e fituar në diktaturën e mëparshme, duke vënë nën kontroll minierat dhe kompanitë e të gjitha llojeve.
Në vend të kësaj, ata vepruan për të “mbrojtur ligjshmërinë”, siç u shpreh U Tein Soe, presidenti i emëruar nga junta ushtarake në krye të Komisionit Zgjedhor. Madje,Komisioni Zgjedhor mund ta shpërndajë Lidhjen Kombëtare për Demokraci, partinë e San Su Kyi që triumfoi në zgjedhjet e fundit.
Sipas narrativës së saj, ushtria e Mianmarit është gardiane e drejtësisë dhe do të ruajë demokracinë në vend, duke goditur vetëm ata që luajnë pisët. Sigurisht, ata nuk janë diktatorët e vetëm që pretendojnë se po veprojnë për të mirën dhe mbrojtjen e një demokracie në rrezik.
Kjo tregon se si edhe regjimet e dinë se ideja e demokracisë është më e fortë se sa ato:Askush nuk mund ose nuk dëshiron më që të kualifikohet si një diktator. Në momentin e fundit ata e paraqesin veten si “njerëzit shpëtimtarë”, dhe veprimet e tyre do t’i japin mundësinë qytetarëve të gëzojnë plotësisht demokracinë, pasi të tejkalohet ndonjë emergjencë reale apo e supozuar.
Nuk ka dyshim që ka edhe nuanca që bëjnë dallimin midis situatave specifike. Në fakt, llojet e regjimeve diktatoriale janë të panumërta. Ato variojnë nga ata që krijojnë një “flluskë”, brenda së cilës e gjejnë veten të mbyllur qytetarët që nuk dyshojnë aspak si në Korenë e Veriut, deri tek ata që helmojnë kundërshtarët dhe vrasin gazetarët, por që mbajnë formalisht procese elektorale “të pastra” si në Rusi, deri në përdorimin e teknologjive më të përparuara për të kontrolluar qytetarët, nga filtrat në internet tek kamerat e njohjes së fytyrës, ndoshta duke alternuar me sjelljen e “grushtit të fortë”, siç ndodh në Kinë.
Asnjë nga këto qeveri nuk e sheh veten si një regjim. Përkundrazi,ato e paraqesin veten si bartëse të një lloji të caktuar dhe të veçantë të demokracisë. Kur një autokrat si presidenti bjellorus Aleksandër Llukashenko arrin që të urdhërojë rrëmbimin e një avionit të një kompanie ajrore perëndimore për të arrestuar një nga kundërshtarët e tij dhe ka sukses në këtë operacion, ne ndodhemi përpara një sinjali të qartë:pandemia e ka përshpejtuar shumë procesin e prapësimit të demokracisë në nivel global.
Totalitarizmi me 50 nuancat e tij po përparon kudo, nga Birmania në Mali, nga Bjellorusia në Nikaragua, nga Turqia në Hungari. Përgjigja e një grupi të vogël vendesh ku është në fuqi një demokraci e plotë është vetëm një lloj përgënjeshtrimi verbal, ose pak më shumë sesa kaq.
Dhe kjo sepse regjimet diktatoriale i kanë studiuar për një kohë të gjatë dobësitë e kundërshtarëve të tyre, dhe një nga më të dukshmet është terrori i shkaktuar nga ardhja e flukseve të emigrantëve.
Shumë vende të udhëhequra nga autokracitë apo regjimet kanë “grumbulluar” refugjatë dhe emigrantë, dhe tani po i shfrytëzojnë ata për të negociuar marrjen e ndihmës ekonomike apo heshtjen e Perëndimit për sjelljet e tyre.
Libia, Maroku, Turqia, po i përdorin si armë refugjatët që dëshirojnë të hyjnë në Evropë nga territoret e tyre. Në këtë mënyrë, ata mund të vazhdojnë ta cilësojnë veten e tyre jo vetëm si vende demokratike, por edhe si aleatë të vendeve të demokracive më të lashta, të cilat i nderojnë për shkak të ndihmës që ata u japin atyre.
Këto janë kohëra shumë të këqija, pasi dallimi midis lirisë dhe shtypjes, po bëhet gjithnjë e më i paqartë. Dhe mbi të gjitha, sepse ndërvarësia është një rregull i globalizimit, dhe tani ajo buron nga lloji i qeverisë që udhëheq shtetet individuale.
Demokracitë dhe diktaturat janë reciprokisht të dobishme, dhe në fakt ato nuk mund të bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Kjo gjë favorizon në planin afatgjatë ata që janë më të fortë. / “Huffington Post” – Bota.al