Korrupsioni – Plaga që çon në rënien e vendeve që mbështet Amerika

13 Minuta Lexim

Prestigjozja “The Economist” ka publikuar një analizë të detajuar të ngjarjes së fundit që ka mbërthyer vëmendjen e globit: rënies së shtetit në Afganistan, duke e krahasuar këtë të fundit me një tjetër vend që rrënua nën mbikqyrjen amerikane, atë të Vietnamit të Jugut. Gazeta e njohur përqas rënien e Vietnamit të Jugut në 1975 me situatën në Afganistan, ndërsa thekson se ngjashmëritë janë të habitshme pasi dy vendet ranë pasi ishin zbrazur nga korrupsioni.

“The Economist” zbërthen në artikull rolin e SHBA-së në këto 20 vite si dhe strategjinë që përdorin amerikanët për shtetet ku ka influencë të madhe. Pavarësisht se Amerika do të ndërtojë shtete në këto vende të varfëra e të rrezikuara nga lufta, gazeta sintetizon se Ëashington zyrtar nuk i kushton vëmendje të madhe korrupsionit. Madje në shkrim përmenden shembuj si të tjerë, si Kosova, Bosnja apo Haiti.

Në shkrim vihet në dukje se problemi kryesor qëndron tek korrupsioni, i përhapur veçanërisht në ushtri, pasi komandantët janë të ‘’paaftë’’ dhe persona të afërm të politikanëve. Këta persona abuzojnë me detyrat e tyra publike për përfitime private. Forma e saj më e thjeshtë e shpërdorimit të funksionit të tyre është ryshfeti, i cili ishte i kudogjendur në Afganistan. Për çfarëdo shërbimi, qoftë edhe marrja e një certifikate lindjeje, një afgani i duhej të paguante shumë para. Duke kaluar nga një pozitë shoqërore më e ulët të një shkallë tjetër më e lartë në hierarki, problemi i korrupsionit bëhej më alarmant. Kësisoj, artikulli hedh dritë në mënyrën se si anëtarë të qeverisë afgane përfitonin nga investime të mëdha që bëheshin në shtetin e tyre, pasi kërkonin pjesë nga fitimi, në çdo projekt që zhvillohej në vendin e tyre. Dhe historia nuk mbyllej me kaq. Sipas “The Economist”, shumica e posteve qeveritare ishin të blera, njëlloj si të ishin një mall në treg. Analiza e gazetës tregon se si kjo strategji e SHBA-së krijoi edhe këtë herë një qeveri të rreme, si në disa raste të mëparshme.

Gjithçka nisi kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillimisht nën administratën Obama e më pas në atë Trump, njoftuan se do të tërhiqnin trupat e tyre nga Afganistani. Pavarësisht se armiqtë talebanë, të cilët premtonin se do të ndalonin al-Kaedën që të vepronte në zonat nën kontrollin e tyre, vijonin të përparonin krahinë më krahinë, ushtarët amerikanë një e nga një “hiqnin” uniformat dhe ktheheshin pas në vendlindje.

Në dukje, ushtria në Afganistan kishte qindra mijëra luftëtarë të pajisur mirë, por në realitet ishin vetëm disa komandantë besnikë që mbështesnin artilerinë, ndonjëherë edhe me municione të paguara me paratë e tyre. Pjesa tjetër e forcave komandoheshin nga të afërmit e paaftë të politikanëve. Këta zyrtarë, të punësuar me anë të korrupsionit dhe nepotizmit, plaçkitën buxhetet ushtarake. Ndërkohë qytetarët afganë qëndronin besnikë ndaj familjeve dhe klaneve të tyre, jo ndaj një qeverie të korruptuar që kishte më tepër gjasa t’i braktiste se sa t’i ndihmonte ata.

I tëri shteti afgan, që nga qeveria e deri te forcat që luftonin për ta mbrojtur atë, ishte një fasadë e ndërtuar për të kënaqur sponsorët amerikanë. Kur “filantropët” e Perëndimit u larguan, ai ra.

Megjithatë, për Amerikën situata në Afganistan nuk ishte veçse një déjà vu e asaj që ndodhi në Vietnamin e Jugut në vitin 1975. Ngjashmëritë midis dy ngjarjeve ishte shtangëse. Kongruenca e historve të dy shteteve shkon përtej dështimeve të inteligjencës amerikane, fjalimeve dhe premtimeve mashtruese, apo dhe braktisjes së aleatëve në nevojë. Të dy këto shtete u zbrazën dhe shteruan si rrjedhojë e korrupsionit, një sëmundje që priret të përfshië çdo komb në të cilin Amerika ndërhyn. (Përmendim këtu rastin e Irakut, Kosovës, Bosnjës dhe Haitit.)

Dikur studiuesit politikë e konsideronin korrupsionin një çështje të parëndësishme, por ditët e sotme të shumtë janë ata që e shohin atë si vendimtare për të kuptuar jo vetëm pse dështojnë shtetet në patronazh të Amerikës, por si funksionojnë vendet në përgjithësi.

Korrupsioni zakonisht përkufizohet si abuzim i detyrës publike për përfitime private. Forma e saj më e thjeshtë është ryshfeti, i cili ishte i përhapur ngado në Afganistan. “Nga certifikata e lindjes e deri te certifikata e vdekjes dhe çfarëdo shërbimi tjetër, mund të sigurohet vetëm me ryshfet,” thotë Ahmad Shah Kataëazai, një ish-diplomat afgan. (Ky diplomat u hoq nga shërbimi pasi shkroi një opinion që denonconte korrupsionin qeveritar.)

Zyrtarët doganorë, policia dhe nëpunësit në mënyrë rutinore kërkojnë “bakshish”. Por ryshfeti është lloji më pak kërcënues i korrupsionit. Më shqetësuese mbetet marrja e miratimit të qeverisë për investime të mëdha. E vetmja mënyrë për të miratuar këto projekte ishte me anë të dhënies së një pjese të fitimit ministrave ose komandantëve të luftës. Më keq akoma, një post qeveritar ishte si një produkt që mund të blihej në treg. Sarah Chayes, një eksperte për korrupsionin që drejtonte një OJQ në Afganistan nga viti 2002 deri në 2009, zbulon se zyrtarët lokalë shpesh herë i blinin postet e tyre. Më pas ata zhvasnin qytetarët me ryshfete për të paguar investimin e tyre për postin, ndërsa ndanin me eprorëve disa prej përfitimeve. Ish-diplomati Kataëazai thotë se për t’u bërë shef policie në një krahinë mund të duhej të paguaje deri në 100,000 dollarë.  Një korrupsion i tillë krijon rrjete patronazhi që kërcënojnë integritetin e shtetit. Qëllimi kryesor i zyrtarëve nuk ishte kryerja e misionit të agjencisë së tyre, por zhvatja e të ardhurave për t’jua shpërndarë familjeve dhe miqve të tyre.

Edhe para se Amerika të ndërhynte, Afganistani drejtohej pjesërisht nga rrjete patronazhi të kryesuar nga kryekomandantë rajonalë. Megjithatë, në vend që të shpërbënte këto rrjete, Amerika i forcoi ato duke paguar komandantët e luftës për të ruajtur paqen, sipas raporteve të Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit (Sigar), një autoritet mbikëqyrës amerikan. Afganët shpejt u zemëruan nga korrupsioni qeveritar dhe u treguan më mikpritës ndaj talebanëve. Një studim i bërë në vitin 2015 nga Transparency International citoi një politikëbërës që thoshte: “Ata që janë në fund të hierakisë po paguajnë personat që ndodhen në majë të saj, në mënyrë që ata t’u garantojnë mbrojtje. Kjo është ekzaktësisht mënyra se si funksionon mafia”.

Vetëm në vitin 2009 Amerika filloi t’ i kushtojë vëmendje serioze korrupsionit. Chayes u bë këshilltar i Stanley Mçhrystal, një gjeneral reformist i cili më pas drejtoi Isaf(koalicionin e forcave të udhëhequra nga NATO në vend). Nën drejtimin e tij u krijua një njësi hetimi, e njohur si Shafafiyat (“Transparencë” në gjuhën Pashto). Kjo njësi heti bëri përparime në ndalimin e mashtrimit në prokurim. (Autoritetet anti-korrupsion të vetë qeverisë afgane kryesisht ndiqnin armiqtë politikë.)

Por nën komandantët e mëvonshëm e ndërprenë këtë njësi hetimi. Në kohën e ofensivës përfundimtare të talebanëve, shteti ishte bërë shumë  i korruptuar. Ushtria afgane ishte në gjendje të keqe për të luftuar: shumica e ushtarëve të regjistruar nuk ekzistonin pasi ishin shtuar nga komandantët si emra vetëm që të mund të vidhnin pagat e tyre.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Vietnamin e Jugut. Afro një e katërta e emrave në listat e ushtrisë Vietnameze të Jugut (ARVN) në Deltën e Mekong në 1975 ishin fiktivë. Ashtu si në Afganistan, forcat policore dhe ushtarake gjithashtu përfituan nga tregtia e heroinës. Vietnamezët e Jugut besonin se korrupsioni ishte “sëmundje përgjegjëse për kolapsin përfundimtar”, u gjet në raportin e Randm një instucion sigurie që publikoi një studim mbi rënien e Vietnamit të Jugut. Kështu pra, problemi tashmë ishte diagnostikuar në Vietnam. Atëherë përse Amerika refuzoi ta trajtonte atë si një çështje të rëndë kur pushtoi Afganistanin dekada më vonë? Një përgjigje e mundshme është se pranimi i këtij përfundimi do të kërkonte një ndryshim në perspektivën amerikane për Afganistanin.

Gjatë dy dekadave të fundit, shumë studiues e kanë parë korrupsionin si një formë të qeverisjes në vetvete. Ajo i ngjan shteteve para-moderne që Francis Fukuyama, një shkencëtar politik, i quan qeveri “personaliste”, ku pushteti bazohet në lidhjet e familjes ose miqësisë dhe jo në institucionet jopersonale. Shtetet e tilla kryesisht merren me blerjen e komandantëve të armatosur duke u dhënë atyre një pjesë të plaçkës ekonomike. Ky përshkrim vlen po aq mirë për mafiet, sistemet feudale siç janë ato të Europës mesjetare dhe regjimet e kryekomandantëve në Vietnamin e Jugut dhe Afganistanin. Shtete si këto mund të duken mjaft të qëndrueshme, por atyre u mungon besnikëria dhe kohezioni i nevojshëm për të mposhtur një kryengritje ideologjike të disiplinuar siç janë komunistët vietnamezë ose talebanët.

Një problem tjetër është se ndërhyrjet amerikane u udhëhoqën nga forcat e armatosura, të cilat janë të prirura të raportojnë gjendjen e vendit në mënyrë optimiste, të nxitur për të arritur në këto përfundime edhe si pasojë e mendimit afatshkurtër. Oficerët ushtarakë “janë jashtëzakonisht të fokusuar në kryerjen e detyrave brenda kohëzgjatjes së misionit të tyre nëntë mujor, i cili nuk është i përshtatshëm për zgjidhjen e korrupsionit”, thotë Mark Pymanm , një vëzhgues i CurbingCorruption. Pyman, i cili drejtoi studimin e Transparency International, thotë se oficerët në fillim të misionit mburreshin se kishin qetësuar situatat në zonat e patronazhit të tyre duke paguar komandantët e luftës. Kjo çon në një problem tjetër: shpenzimi i shumë parave në vendet e varfra që më pas shkakton korrupsion. Si në Vietnamin e Jugut ashtu edhe në Afganistan, një fluks i madh dollarësh amerikanë shkaktoi një rritje të inflacionit, duke fshirë pagat e sektorit publik. (Afganistani, me një PBB prej rreth 20 miliardë dollarë në 2020, mori 145 miliardë dollarë ndihmë amerikane midis 2001 dhe 2021. Inflacioni mesatarisht ishte 17.5 përqind në 2003-08.)

Qeveria nuk kishte kapacitet për të mbledhur taksa të mjaftueshme për pagat e ushtarëve dhe nëpunësve civilë që të mbanin ritmin. Në këto rrethana edhe nëpunësit publikë të ndershëm u detyruan të kërkojnë ryshfet për të mbështetur veten. Prandaj, një rekomandim i ekspertëve kundër korrupsionit është që në vende si Afganistani ndihma duhet të jetë e kursyer dhe të përqëndrohet në arritjet e jo në madhësinë e grantit financiar.

Megjithatë, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Amerika është një ndër kombet më të pasura dhe më idealiste në botë, dhe nuk do të vonojë shumë dita kur ky shtet do të vendosë të shpëtojë një vend tjetër në nevojë. Kur kjo të ndodhë, Ëashingtoni bën mirë të ketë mësuar që paratë nuk mund ta ndërtojnë kurrë një qeveri të vërtetë, mund të pikturojnë vetëm një karikaturë të shëmtuar të saj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull