Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje kriminale në një familje, duke arrestuar një 47-vjeçar.
Në pranga ka rënë shtetasi A. B., banues në Vlorë, pasi ka kanosur me thikë djalin e tij, ndërsa është sekuestruar arma e ftohtë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas njoftimit se në lagjen “Pavarësia”, në ambientet e banesës, shtetasi A. B. kishte ushtruar dhunë fizike dhe po kanoste me mjet prerës (thikë) djalin e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe shoqërimin e shtetasit A.B.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Dhuna në familje””, njofton policia.
Gjithashtu, Policia e Vlorës ka arrestuar edhe disa shtetas të tjerë, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.
“Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi i shtetasit A. B., 48 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, pasi në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses së tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:
•D. S., 66 vjeç, banues në Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një mjet tip “Kama”. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i mjetit “Kama”, shtetasi B. D., 54 vjeç dhe dy pasagjerët, shtetasit G. D., 15 vjeç dhe R. D., 54 vjeçe, e cila ndodhet e shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën;
•A. D., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.”
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.