Aksion i RENEA në 4 qytete, arrestohet i kërkuari për plagosje të 4-fishtë

3 Minuta Lexim

Një operacion policor i Forcave Speciale RENEA është organizuar në katër qytete të vendit, në Durrës, Lezhë, Mamurras e Elbasan.

Sipas policisë, kontrollet janë organizuar për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, si she kapjen  e personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Sipas informacioneve, janë ushtruar kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i operacionit janë sekuestruar armë, municion luftarak, drogë, dhe është vënë në pranga një person në kërkim me rrezikshmëri shoqërore, si dhe është goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit.

Kështu, policia bën me dije se janë vënë në pranga: “Në Durrës, gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i shtetasit D. T. është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij “Range Rover”, para lokalit të shtetasit E. D., në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit E. D., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi.

Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. H., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh”,

Po ashtu, Astrit Seferi, autor i një plagosje të katërfishtë, të ndodhur në vitin 2017 në Tiranë, është vënë në pranga nga policia në Mamurras.

“Në Mamurras, gjatë kontrolleve të befasishme është kapur dhe ndaluar nga RENEA, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasi A. S., 36 vjeç, autor i plagosjes së 4-fishtë në 2017, i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas”, njofton policia.  Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë, 21 persona me precedent të mëparshëm penal, të cilët ishin pa dokument identifikimi me vete.

Ky aksion i RENEA-s në disa qytete të vendit vjen një ditë pas ekzekutimit në Lushnjë të Bledar Muçës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull