Shkolla është institucion shpirti

5 Minuta Lexim

Nga Vilma BELLO –

Kam pak kohë që ndiej nevojën të shkruaj, të flas për diçka që e quaj ngjarje, ndër ne, në qytetin tonë, ku jetojmë e rrisim fëmijët ditë pas dite. Por, ndoshta, pezmi a një lloj ngërçi (për arsye të ndjera a të menduara) më ka penguar e, më shumë, peshuar në të njëjtën kohë…

E pata fillimisht mendim të atypëratyshëm, po shumë të fortë e të dhembur, këtë që vendosa të ndaj. Kur vajza ime e madhe, ish-nxënëse shumë e mirë e kësaj shkolle, tani studente po njësoj shumë e mirë e që studion në Shqipëri, do kujtojë e do thotë: kam mbaruar gjimnazin “Aulona” (dhe shumë krenare për këtë), do kthejë kokën pas dhe … nuk do përgjigjet dot: Unë kam mbaruar këtu!

Për shumë të tjerë mund të jetë thjesht një biznes që mbyllet, por, për mua, mbyllja e një shkolle, siç është shkolla “Aulona”, nuk është asfare a thjesht mbyllja e një biznesi. Ndoshta sepse jam vetë mësuese e pedagoge, ndoshta sepse kam shkolluar aty vajzat e mia (dhe nuk ka arsye më të argumenttë sesa kur lidhet me jetë të vërtetë në kaq vite).
Por një shkollë (qoftë edhe jopubike) nuk është një biznes, përpara se te jetë një institucion. Dhe në një vend që arsimin e ka për detyrë ta ketë prioritet dhe në një shoqëri ku është i çmuar vlerësimi e mirënjohja sakrificës së qindrave familjeve, mbyllja e një institucioni arsimor me vlera nuk është aspak një lajm i mirë.

Do ndaj fare pak fjalë për atë që unë di për shkollën jopublike “Aulona”, për një institucion arsimor që në vite bëri bashkë denjësisht ata që e krijuan dhe e menaxhuan, me mësuesit e mrekullueshëm, me nxënësit që u rritën dhe me ne prindërit që ndiheshim krenarë për arsimimin e fëmijëve në këtë shkollë.
Gjimnazi u themelua në vitin 2003, ndërsa 9-vjeçarja në 2004.
Ka qenë ndër shkollat më cilësore si në Maturën Shtetërore, ashtu edhe në provimet kombëtare të klasave të 9-a.

Ka patur shumë fitues të olimpiadave kombëtare në vite, shumicën e të cilëve e njoh dhe ua di vlerën. Dhe jo vetëm; ka patur aq shumë nxënës të shkëlqyer e të mirë sa jam e bindur që e kanë furnizuar shoqërinë tonë me njerëz të aftë e të denjë.
Ka patur, padyshim, mësues të mirë e shumë të mirë, të përkushtuar, të dashur fort pas mësimdhënies e qytetarisë për të formuar fëmijë e të rinj të duhur për të nesërmen.
Në kulmin e vet gjimnazi ka patur rreth 400 nxënës, ndërsa 9-vjeçarja 200.
Për gati 11 vite në këtë shkollë kanë studiuar rreth 500 nxënës çdo vit, nga klasa e parë në të dymbëdhjetë, numër që erdhi në rënie pas vitit 2016-2017.
Cilêsia e kësaj shkolle ka qenë mbi 8 në gjimnaz dhe mbi 8.5 në 9-vjeçare.

Jam e vetëdijshme për sfidat që mund të kenë ata që kanë shkolla jopublike sot, konkurenca është përherë aty, e shtuar madje; numri i nxënësve ka rënë, sepse numri i lindjeve në shumë vite ishte ulur. Por a nuk vlejnë tërë arritjet në vite të kaq shumë nxënësve, të stafit pedagogjik që mbyllja të mos jetë rruga më e lehtë, e shkurtër kur flitet për një shkollë që ka shkolluar mijëra nxënës?

Kujtoni pak me sa me krenari i shohim shkollat tona (sa shumë edhe unë kur them kam mbaruar “Ali Demin”), kudo ato qofshin. Ideja se ato janë aty, është një lloj vlerësimi për veten, për atë çka ne jemi. Po si do ndihen ish nxënësit, shumica studentë të shkëlqyer (brenda a jashtë Shqipërisë) kur t’i pyesin për shkollën ku kanë studiuar? Ata do ndihen të paplotë, të shfrytëzuar e të cënuar në kujtimet.
Një shkollë, sado e sukseshme e fitimprurëse të jetë si biznes, nuk është së pari një biznes; është diçka me shpirt.

Nuk është e mirë e, pa asnjë diskutim, as e duhur të mos luftojmë ta mbajmë gjallë shpirtin e saj, kujtimet, shenjat e vetes në të shkuarën, por, sidomos, misionin për të cilin një shkollë ndërtohet, që është detyrimi për të formësuar, për të edukuar; për të krijuar të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull