Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka fajësuar udhëheqjen politike dhe ushtarake të Afganistanit për shpejtësinë me të cilën ushtria afgane u rrëzua kundër talebanëve.
“Ne kishim arsye të prisnim më shumë pas 20 vitesh në të cilat kemi investuar aq shumë në gjak dhe para për të ndërtuar një forcë të fortë afgane të sigurisë. Që ata u rrëzuan brenda pak ditësh është çështje lidershipi.
Takova ushtarë afganë të guximshëm, të përkushtuar, profesionistë, të gatshëm për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të luftuar talebanët. Por ne shohim raporte se ushtarët nuk ishin paguar, ata nuk kishin furnizimet e nevojshme, municion, ujë. Ishte mungesa e udhëheqjes politike dhe ushtarake që çoi në kolapsin e ushtrisë” tha ai.
Në të njëjtën kohë, ai pranoi se sapo të përfundonte faza e evakuimit, do të duheshin bërë “pyetje të vështira” për gabimet e NATO -s në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit dhe “për të qenë të sinqertë dhe të qartë” në lidhje me to. “Është e rëndësishme që të nxjerrim mësimet e duhura nga ky proces” tha ai, duke shtuar se “ishte vendimi i duhur për të ndërhyrë në vend në 2001“.
Sekretari i Përgjithshëm ndahet edhe te roli i BE-së pa SHBA-në. “Është e gabuar të besosh se Evropa mund të mbrojë veten pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n” tha ai.
“BE nuk do të jetë kurrë në gjendje të mbrojë Evropën. Kjo ka të bëjë me paratë, 80% e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s vijnë nga vendet jashtë BE-së.
Ajo gjithashtu ka të bëjë me gjeografinë: Norvegjia në veri, Turqia në jug, Kanadaja, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, janë vende që janë të gjitha të nevojshme për mbrojtjen e Evropës. Ne kemi nevojë për lidhjen transatlantike për ta bërë mbrojtjen e Evropës të besueshme” tha ai.
Për t’iu rikthyer edhe njëherë kaosit në Kabul, ai theksoi se “NATO ka një rol vendimtar për të luajtur në përpjekjet për evakuim” tha Stoltenberg. “Ne kemi rreth 200 punonjës civilë në aeroport të cilët ofrojnë shërbime vitale, të tilla si kontrolli i trafikut ajror, mbrojtja nga zjarri, shpërndarja e karburantit, etj. Për më tepër, kreu i misionit tonë diplomatik koordinon kontaktet midis aleatëve dhe vendeve partnere, disa herë në ditë, në mënyrë që operacioni i evakuimit të vazhdojë sa më i koordinuar të jetë e mundur“.
Sekretari i Përgjithshëm përmendi rolin e Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e Aeroportit të Kabulit. Ai gjithashtu i referohet faktit se shumë anëtarë të tjerë të Aleancës kanë dërguar avionë për të evakuuar shtetasit e vendeve të NATO -s dhe partnerët e tyre, si dhe afganët. “Vetëm dje, 21,600 njerëz u evakuuan, 8900 në aeroplanët jo-amerikanë” tha ai.
Më shumë se 90,000 njerëz janë larguar tashmë nga vendi, sipas Stoltenberg, në “një nga operacionet më të mëdha të evakuimit në histori“. Pasi operacioni të përfundojë më 31 gusht, ai shtoi, “ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë që ata që dëshirojnë ta bëjnë këtë të mund të largohen nga Afganistani me fluturime komerciale. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje talebanëve të hapin kufirin tokësor“.
“Unë kam qenë në aeroportin e Kabulit shumë herë. Zona është e rrethuar nga kodra është një vend shumë i rrezikshëm nëse nuk keni pëlqimin e forcave që kontrollojnë qytetin. Për më tepër, problemi mbetet që njerëzit që duan të largohen kanë vështirësi të mëdha për të arritur në aeroport” deklaroi ai.