Alitalia shpall zyrtarisht falimentimin, mbyllen të gjitha fluturimet pas datës 15 tetor

4 Minuta Lexim

Linja ajrore italiane Alitalia ka njoftuar se të gjitha fluturimet nga 15 tetori do të anulohen për shkak se linja ajrore do të mbyllet zyrtarisht.

Pse po mbyllet Alitalia?

Italia është përpjekur të gjejë investitorë për të shpëtuar kompaninë ajrore të falimentuar. Situata është përkeqësuar nga pandemia për shkak të së cilës u ndaluan fluturimet në të gjithë botën për muaj të tërë dhe Alitalia tani do të ndërpresë krejtësisht shërbimin këtë vit.

Në vitin 2019, para se të godiste COVID-19, linja ajrore transportoi 21.3 milionë pasagjerë në 81 destinacione të ndryshme me 3,600 fluturime çdo javë. Deri kohët e fundit, ajo kishte punësuar më shumë se 10,000 punonjës, por është e paqartë se çfarë do të ndodhë me ta kur të mbyllet Alitalia.

Çfarë duhet të bëj nëse kam rezervuar tashmë bileta me Alitalia?

Opsionet për udhëtarët janë pak të ndërlikuara, por duket se ju do të jeni në gjendje të fluturoni, ose të merrni një rimbursim.

Është e rëndësishme të theksohet se do të keni më shumë opsione në dispozicion nëse i keni blerë fluturimet me Alitalia para 24 gushtit 2021.

Lajmi i mirë është se linja ajrore do të marrë mbështetjen e qeverisë. Qeveria italiane ka krijuar një fond prej 100 milionë eurosh për të rimbursuar klientët e linjës ajrore. Kjo pasi vendi ra dakord për një marrëveshje shpëtimi me BE-në për të krijuar një kompani të re pa borxhe që do të marrë përsipër asetet e saj.

Gazeta italiane Corriere Della Sera vlerëson se ka rreth 250 mijë njerëz që do të fluturojnë me Alitalia pas 15 tetorit.

Kompania thotë se këta klientë do të kenë dy mundësi: të zëvendësojnë fluturimet e tyre me një fluturim ekuivalent para asaj date, ose të marrin një rimbursim të plotë.

Nëse e zëvendësojnë biletën e tyre, pasagjerët mund të ndryshojnë itinerarin e tyre fillestar por duke mbërritur në të njëjtin destinacion. Ky opsion është falas.

Është gjithashtu e mundur të ndryshoni destinacionin për të udhëtuar para kësaj date. Por kjo mund të shkaktojë kosto shtesë nëse çmimi i fluturimeve është i ndryshëm. Nëse fluturimi i ri është më i lirë atëherë nuk do të ketë rimbursim të diferencës së çmimit dhe fluturimet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen për ato kombëtare ose anasjelltas.

Alitalia njoftoi në mediat sociale se do të dërgonte një “komunikim të drejtpërdrejtë” për të gjithë klientët me udhëzimet e nevojshme.

Me çfarë do të zëvendësohet Alitalia?

Alitalia do të zëvendësohet nga ITA (Italia Trasporto Aereo) që do të fillojë shitjen e biletave nga 26 gushti. Linja e re ajrore do të fillojë fluturimet më 15 tetor pasi autoritetet civile të Italisë dhanë miratimin javën e kaluar.

ITA do të blejë 52 avionë të Alitalia së bashku me hapësirat e aeroportit dhe asete të tjera. Ajo planifikon të kryejë fluturime drejt destinacioneve, si Nju Jork, Boston, Miami, Tokio dhe qytete të shumta europiane, nga aeroportet në Romë dhe Milano. Ka plane që linja ajrore të rrisë kapacitetin e saj në 105 aeroplanë deri në vitin 2025.

AlItalia kishte 6% të tregut të fluturimeve në Shqipëri

“Alitalia” prej vitesh operon dhe në tregun shqiptar, por pesha e saj ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Nga 32% në 2015-n (më i madhi pas daljes nga tregu të “Belle Air”), në vitin 2020, përmes operatorit ajror italian u realizuan vetëm 6% e fluturimeve, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport./Monitor

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull