Mark Marku nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të ri pasi ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit që fitoi në zgjedhjet e 25 prillt. Ndërkohë, një tjetër person nga lista e PD-AN do të ulet në parlamentin e ardhshëm ne vendin e tij.
Sipas Kodit zgjedhor pritet që vendin e Markut ta marrë Elda Hoti si më shumë e votuara në listën e deputetëve të PD-AN. Elda Hoti erdhi në listë si pjesë e koalicionit të PD, si kandidate e Partisë Republikane.
“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në Kodin Zgjedhor.
PD mori në qarkun e Lezhës 4 mandate. Elda Hoti renditej e 5 në listë me 2733 vota, duke mos u bërë dot pjesë e listës fituese nga zgjedhjet e 25 prillit, por duket se do të jetë në Kuvend, pas dorëheqjes së Mark Markut.