Ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”, në restaurim

2 Minuta Lexim

Ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët” janë në proces restaurimi, në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Berat. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat Eugen Kallfani në një status të tij shprehet se po dalin në dritë thesare të trashëgimisë. “I përditshëm ky proces, ku ngadalë -ngadalë dalin në dritë thesare të trashëgimisë sonë kulturore. DRTK Berat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe ITKT-Tiranë është duke restauruar ikonat “Shën Joan Pagëzorit në këmbë ” dhe “Shën e Premtja me 4 shenjtorët”. Dy diamante të Kostandin Zografit, që datojnë në fundin e shekullit XVIII”, shprehet ai në Facebook. Kostandin dhe Athanas Zografi ishin vëllezërit piktorë shqiptarë të shekullit të 18-të nga fshati Dardha (Drenovë) e Korçës.

Ata janë konsideruar si piktorët më të njohur të shqiptarë post-bizantinë të artit ikonografi të shekullit të 18 dhe në përgjithësi të rajonit të Epirit. Veprimtaria e piktorëve korçarë në vetvete është shumë e madhe, si në pikturën murale si dhe në ikona, dhe shtrihet edhe jashtë kufijve të atdheut, dihet se përfshihet në periudhën 1744- 1783. Nga piktorët Zografë, përveç ikonash të panumërta, trashëgojmë mbi 10 ansamble pikturale murale. Mbas një studimi krahasues të materialeve epigrafike e pikturale të botuara nga autori grek Pelekanidhi del se aktivitetit të piktorëve korçarë Kostandin e Athanas Zografit, të njohur deri më sot brenda dhe jashtë atdheut, duhet t’i shtohen edhe dy ansamble pikturale, që ndodhen në dy kisha të Prespës në Greqi, dhe se fillimi i aktivitetit të këtyre piktorëve duhet të çohet më 1741, në vend të vitit 1744 . Puna e vëllezërve Zografi ka një kahje të dukshme drejt barokut, me pamje lineare e figurave fetare, dhe në të njëjtën kohë duke adoptuar një stil ornamental dhe duke përdorur një shumëllojshmëri të gjerë të ngjyrave kafe dhe të ndritshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull