DRTK Berat, tabela informuese në monumentet e kulturës

2 Minuta Lexim

Berati për shkak të vlerave të veçanta historike e kulturore u shpall “qytet muze” në vitin 1961, ndërsa që nga viti 2008 është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gjatë këtyre ditëve të gushtit, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë vënë me tabela informuese në monumentet e kulturës. Në një status të saj disa ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti shkruante se trashëgimia kulturore është pasuria e përbashkët, por kujdesi i takon dhe banorëve e vizitorëve. “Mirëmbajtja dhe shtimi i shërbimeve për vizitorët është punë e përditshme për drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore. Në vijim të kësaj pune DRTK Berat po vendos tabelat informuese në monumentet më të rëndësishme.

Një ndër monumentet e plotësuara është Ish-Sarajet e Pashait në lagjen “Mangalem”. Por kujdesi për monumentet, mjetet informuese apo ndriçimin i takon edhe banorëve e vizitorëve. Trashëgimia kulturore është pasuria jonë e përbashkët”, shkruan Margariti në Facebook. Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar. Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella.

Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë; është emblema e Beratit. Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjja Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, e lidh me pjesën tjetër të qytetit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull