Festivali i komedisë “KokoFest” nis më 29 gusht, 7 shfaqje në konkurrim në edicionin e tetë

4 Minuta Lexim

Festivali mbarëkombëtar i komedisë “KokoFest” vjen në edicionin e tetë këtë vit. Festivali nis më datë 29 gusht dhe do të zhvillohet deri më 4 shtator, në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në Korçë. Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “Vangjush Mio” dhe teatri i Korçës. Premiera e komedisë “Vdis duke qeshur” do të çelë festivalin mbarëkombëtar të komedisë. Blerta Belliu drejtore e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” dhe bashkëorganizatore e “KokoFest” shprehet se pas edicionit të një viti më parë ku festivali u zhvillua në ambiente jashtë për shkak të pandemisë, këtë vit do të jetë në të gjitha netët e tij me shfaqje në teatër, por duke respektuar masat. “Vjet ishte pak e vështirë, sepse ka qenë pandemia dhe shfaqjet u bënë jashtë, por këtë vit ne rikthehemi me shfaqjet brenda në teatër. Produksionet nuk janë vetëm nga teatrot në Shqipëri, por kemi dhe nga Kosova. Të gjitha shfaqjet në teatër, por duke zbatuar rregullat që janë vendosur ndaj pandemisë”, shprehet ajo. Në festival marrin pjesë trupa të ndryshme artistike, që do të jenë në konkurrim. Blerta Belliu drejtore e qendrës kulturore shprehet se selektorët e festivalit kanë zgjedhur shfaqje të mira, por nuk ka qenë e lehtë. “Përzgjedhja nuk ka qenë e lehtë, por është bërë duke pasur parasysh shfaqje të suksesshme. Puna ka qenë e vështirë, sepse për shkak të pandemisë shumë teatro nuk kanë zhvilluar aktivitet. Ka pasur vështirësi për të përzgjedhur trupa të mira dhe shfaqje cilësore, aq më tepër dhe në zhanrin e komedisë pasi dy vjet janë bërë shfaqjet online”, shprehet Belliu.

Juria dhe shfaqjet

Juria ka pesë anëtarë me emra të njohur të teatrit, si aktori Ndriçim Xhepa, aktorja Eva Alikaj, regjisori Qëndrim Rijani, etj. Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio” Blerta Belliu shprehet se edhe këtë vit të ftuarit e shumtë nuk do të mungojnë. “Në 7 net do të kemi shumë artistë nga Kosova dhe Shqipëria, janë 50 të ftuar. Festivali mbështet nga Bashkia e Korçës. Do të ndahen çmime të ndryshme që kanë vlerë në para, të cilat mbështeten nga bizneset”, thotë ajo. Në “KokoFest” do të jenë dhjetë çmime, si regjia më e mirë, aktori dhe aktorja për rol të parë kryesor, aktori dhe aktorja për rol të dytë, etj. Në 29 gusht në skenë do të jetë “Vdis duke qeshur” nga Paul Elliott, regjia Ilir Bokshi përfaqësim i teatrit të Korçës, në datë 30 është “Gratë në parlament” nga Aristofani, regjia Elmaze Nura teatri “Adriana” Ferizaj, më datë 31 gusht “Jetët private” nga Noel Coward, regjia Eliona Thomaraj teatri “Petro Marko” në Vlorë. Më datë 1 shtator “Pesë ditë mbret” autor Stefan Çapaliku, regjia Gjergj Prevazi teatri i “A. Z. Çajupi” Korçë, më datë 2 shtator “Ferma e kafshëve” autor George Orwell, regjia Driada Dervishi Teatri Kombëtar -Tiranë. Më datë 3 shtator në skenë vjen “Revizori” nga Gogol, regjia Driada Dervishi teatri “A. Moisiu” Durrës dhe më datë 4 në skenë vjen “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar -kafe në Paris” nga Steve Martin, regjia Armela Demaj teatri “Metropol”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull