Vrasja në Vlorë, autori del me kartelë/ Zbardhet dëshmia

3 Minuta Lexim

Bledar Selmanaj, njeriu që u arrestua nga policia e Vlorës për vrasjen e shokut të tij, Xhuljano Bullari në Babicë të Vlorës, rezulton person me probleme të shëndetit mendor.

Gjatë arrestimit dhe marrjes në pyetje, Selmanaj është dukur i çuditshëm në dëshminë dhe qëndrimet që mbante, jo vetëm për këtë ngjarje, por edhe për disa krime të tjera të ndodhura në qytetin e Vlorës.

Ai ka treguar se kishte informacion për disa vrasje të kryera në qytetin e Vlorës, duke përmendur disa prej tyre.

Në rrëfimin para oficerëve të krimeve të rënda, ka treguar disa prej emrave të të fortëve në qytetin e Vlorës, mes të cilëve edhe Ferdinand Llanaj, të arrestuar një ditë më pas nga policia për akuzën e kultivimit të 600 rrënjë kanabis në ambjentet e shtëpisë.

Selmanaj, ka përmendur Llanaj si të përfshirë në një vrasje. Veç Llanaj ai ka treguar dhe emra të tjerë të botës së krimit në Vlorë. Por nga verifikimet e kryera nga policia dhe mënyrën e rrëfimit të Selmanaj, është kuptuar se ai është kontradiktor dhe i pabesueshëm në atë çfarë ka treguar.

Për më tepër Selmanaj megjithëse ka treguar se ka dijeni për disa vrasje të kryera në Vlorë, nga ana tjetër ai ka përjashtuar në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në vrasjen e Xhuljano Bullarit. Por provat e mbledhura nga policia si filmime dhe armën e krimit të sekuestruar në oborrin e shtëpisë, e nxjerin zbuluar Selmanaj në vrasjen e shokut të tij.

Shokë qelie

Gjatë hetimeve të kryera policia ka zbuluar dhe një kartelë mjekësore, që vërteton se Bleda Selmanaj, kurohet vazhdimisht për sëmundje depressive.

Një fakt i tillë është provuar nga policia dhe nga raportet e psikologut. Xhuljano Bullari dhe autori i dyshuar i vrajses, Bledar Selmanaj, janë njohur në ambjentet e burgut. Ata kanë ndarë qelinë së bashku, ku Bullari vuante një dënim prej 3 vite e 4 muaj për akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndërsa Bledar Selmanaj, ndodhej në burg për një dënim për vjedhje të përsëritur.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se Bullari, kishte lënë qelinë e burgut më herët. Ndërsa Selmanaj është liruar nga qelia një muaj më parë, pikërisht në 5 korrik 2021.

Shoqëria e nisur në burg, ka vijuar edhe jashtë tij, pasi Selmanaj dhe Bullari, qëndronin vazhdimisht me njëri-tjetrin. Në këto pak ditë lirie, dy të rinjtë i qenë futur tregtisë së drogës, duke e blerë në fshatrat e Vlorës dhe transportuar në Tiranë dhe Elbasan.

/Ora News/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull