Sipas një studimi, nëse konsumoni 3-4 kokrra arra çdo ditë, mund të ulni nivelin e kolesterolit tuaj me 8.5% si dhe rrezikun për tu prekur nga sëmundjet e zemrës.
Nivelet e larta të LDL, nganjëherë të quajtur “kolesteroli i keq”, lidhen me një rrezik në rritje të sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.
Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, arrat janë të pasura me acide yndyrore omega 3-yndyra e shëndetshme për zemrën.
Një nga arsyet është se ato ulin nivelet e kolesterolit LDL, dhe tani ne kemi një arsye tjetër: ato përmirësojnë cilësinë e grimcave të LDL.
Grimcat LDL vijnë në madhësi të ndryshme. Hulumtimet kanë treguar se grimcat e vogla dhe të dendura të LDL lidhen më shpesh me arteriosklerozën, pllakën ose depozitat yndyrore që grumbullohen në arteriet.
Në studimin e tyre, Dr Ros dhe kolegët analizuan të dhënat për 628 persona të shëndetshëm, secili në moshën 63-79 vjeç, të cilët banonin në Barcelonë, Spanjë ose Loma Linda, Kaliforni.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, ku i pari shtoi 3-4 kokrra arra në dietën e tyre të përditshme, ndërsa tjetri abstenoi nga ngrënia e arrave.
Pas dy vitesh, ekipi testoi nivelet e kolesterolit të secilit pjesëmarrës, së bashku me analizimin e përqendrimeve dhe madhësive të lipoproteinave të tyre për të kërkuar tipare që dihet se shoqërohen me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare.
Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit në grupin që hanin arra përfunduan me nivele më të ulëta të kolesterolit LDL në fund të periudhës së studimit me një mesatare prej 4.3 mg/dL.
Në të njëjtën kohë, kolesteroli i tyre total u ul mesatarisht me 8.5 mg/dL. Konsumimi i zakonshëm i arrës u zbulua se ishte i lidhur me një reduktim prej 4.3 përqind të numrit të përgjithshëm të grimcave LDL dhe grimcave të vogla LDL me 6.1 përqind. Të dyja ndryshimet që dihet se lidhen me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare.
Për më tepër, ekipi zbuloi se Lipoproteina e Dendësisë së Ndërmjetme, ose kolesteroli ‘IDL’, i cili është një pararendës i LDL, gjithashtu u ul në grupin që konsumuan arra.
Studiuesit vunë re se për arsye që nuk janë ende të qarta ndryshimet e kolesterolit LDL në grupin që konsumuan arra ndryshonin sipas gjinisë.
Tek meshkujt, reduktimi mesatar ishte 7.9 përqind, ndërsa ishte 2.6 përqind tek gratë.
Sidoqoftë, siç pritej në një popullsi të moshuar, afro 50 përqind e pjesëmarrësve po trajtoheshin si për presionin e lartë të gjakut ashtu edhe për hiperkolesteroleminë.
Për individët me nivele të larta të kolesterolit në gjak, ulja e kolesterolit LDL pas një diete të pasuruar me arra mund të jetë shumë më e madhe.
Studiuesit paralajmëruan se studimi i tyre ishte i kufizuar nga fakti se si ata ashtu edhe pjesëmarrësit e dinin se kush nga këta të fundit po hante arra.