Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Amerikania e bashkisë

211379852_1342113849516674_6907589288012622765_n

Nga Thoma NIKA –

Judy Green, kështu quhet gruaja amerikane që Sarandën e njohu dhe e studjoi rrugë më rrugë e shesh më shesh. Kjo ishte puna dhe ambicia e saj: ta njohë, ta studjojë e të derdhë cilësitë e saj më të mira profesionale për t’ia shtuar të gjelbërën qytetit të ngopur me diell e me det, por edhe të bënte të pranueshme praktika amerikane në trajtimin e turizmit dhe atë arkitekturor në vecanti.
Dhe ja përse. Judy Green është arkitekte terreni, e atashuar 15 vite më parë në administratën bashkiake sipas një marrëveshjeje mes Korpusit të Paqes, në kuadër të decentralizimit të pushtetit qendror dhe fuqizimit të atij vendor.

Si shumë homologë të tjerë, që u pozicionuan aso kohe në mjaft bashki e komuna nga Veriu në Jugun shqiptar, të atashuar për të punuar në nivelin e punonjësit të thjeshtë.
Profilizimi i saj si arkitekte terreni e bëri pjesë të drejtorisë së urbanistikës në bashki. Por ajo nuk dinte ta ndante punën e saj nga operimi në shërbim të drejtorisë së turizmit dhe nga kontributi për t’i bërë më të prekshme tiparet turistike në profilin e qytetit tonë. Në fakt në Sarandë ajo vinte jo nga Amerika, por nga Jerusalemi, ku, kështu si tek ne, ka lënë gjurmë “të blerta” në kryeqytetin izraelit, duke pasuruar njëherësh edhe CV-në e saj.

Ajo gjithnjë “rrëshkiste” kur i kërkoja të fliste për veten. Matilda Andoni, që ishte kolege zyre me të, ia nxirrte ndonjë “trofe” profesional nga ato që i kishte treguar për kohën kur ka qenë në Izrael.
-Ka dhënë kontribut të vlerësuar në krijimin e parqeve dhe ka qenë shumë e suksesshme në ngritjen e parqeve për fëmijë, me karakter historik.-na ka treguar Matilda. Judy ka qenë atje aktive në referendumin e transportit, të zhvilluar vite më parë në Izrael me pjesëmarrjen e komunitetit.
Judy, mesogruaja shtatlartë, po njëherësh dhe shumë komunikuese e shprehëse që me shikimin e saj, e fantazonte qytetin tonë shumë më larg nga sa e mendon atë çdo sarandiot. Ajo thosh se Saranda është vendi që i hap udhë çdo fantazie dhe kush ka disa eksperienca e ka parë disa modele, e ka të lehtë ta modelojë. “Por unë e dua Sarandën ta pangjashme me askënd në botë-na thosh ajo-se edhe të vecantat të tilla i ka”.

Kujtoj se do të mjaftonte që arkitektja Albana Sejko, gjithashtu punonjëse e bashkisë, t’i shfaqte idenë dhe amerikanja Judy t’i skiconte e t’u jepte dimension detajeve në projektin e sheshit kryesor të qytetit. Ajo çka gjendet e performuar tashmë në këtë shesh, nuk është asgjë, krahasuar me elemente të tillë, “të pavajtur në mendje”, si: ora diellore, kaskada ujore, shkallaret me gurë të skalitur e ndriçim të fshehur. Projekti “utopik” do të dilte nga tavolina e punës së arkitektes Judy, në bashkëpunim të ngushtë me koleget shqiptare.

Në çdo takim të rastit që mund të kishe me të, rrugëve të qytetit, në korridoret e bashkisë apo në zyrën e saj, të jepte përshtypjen e njeriut që nxiton për të kapur kohën. Bënte shakanë e radhës në shqip, duke testuar edhe veten në ecjen me gjuhën, por ajo “nuk kishte kohë” as për kafe, as për fjalë të pakëputur. Rëndom, madje, qëllonte që kyçej nga brenda zyrës, nga që i duhej t’u shmangej takimeve të tepruara, për t’iu përkushtuar punës me projektet. Ndërkohë që bashkëshorti i saj Geri, ishte pjesë e rëndësishme e stafit në Zyrën e Koordinimit dhe Administrimit të Butrintit, me projektin e ri të hyrjes në park, me “shtëpinë” e suvenireve që u ofrohen turistëve pak pasi kalon portën e qytetit antik, me hartat e shumta që pasuruan botimet mbi Butrintin. Por, ndryshe nga i shoqi, Judy i kishte shumë më të gjera kontaktet me njerëzit dhe ndjehej më e integruar mes njerëzve ku punoi. “Edhe për festimet e 8 Marsit-thotë ajo-kam shumë dëshirë të festoj me koleget e mia ku të jetë, te “Livia” në Butrint apo në Karahaxh. Mjafton që të jem me to, të hamë bashkë dhe do të dëfrejmë njëherësh”.

Janë shumë gjëra që e kanë bërë atë të njohur, konfidenciale dhe të respektur mes sarandiotëve: idetë profesionale të shfaqura në takimet për turizmin, kontributi në çeljen e sezoneve turistike, mendimet për zotërimin e situatës urbane në Sarandë.

Judy Green, arkitektja e ardhur nga Amerika, më erdhi sërish në kujtesë në 4 korrikun e sivjetëm, në Ditën e Amerikës. Ajo erdhi tek ne dhe bëri jo pak, me ambicien për të performuar Sarandën dhe për t’i dhënë asaj të paktën diçka nga shqipërimi i mbiemrit të saj Green, që do të thotë gjelbërim.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Leave a comment