Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Kriza e klimës/ Një dalje emergjence për njerëzimin

Screenshot-2021-08-18-at-10.56.46-AM

Nga Slavoj ŽIŽEK –

Të dhënat e fundit, e bëjnë të qartë që edhe pas shpërhapjes së vaksinave anti-Covid, ne nuk kemi mundësi të relaksohemi. Pandemia nuk ka mbaruar (numri i infeksioneve të reja po rritet, dhe ndoshta na presin bllokime të reja) dhe katastrofa të tjera janë në horizont.

Në fundin e muajit qershori, një flluskë e të nxehtit ekstrem preku pjesën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadanë jugperëndimore. Një dukuri meteorologjike në të cilin presioni i lartë e bllokon dhe ngjesh ajrin e nxehtë, duke shkaktuar rritjen ekstreme të temperaturave. Termometri regjistroi gati 50 gradë Celsius, duke e bërë Vankuverin më të ngrohtë se sa Lindja e Mesme.

Ky fenomen është në fakt kulmi i një procesi shumë më të gjerë:Skandinavia Veriore dhe Siberia, e kanë përjetuar rregullisht atë gjatë 30 viteve të fundit. Organizata Botërore Meteorologjike, po përpiqet të verifikojë një rekord të ri të temperaturave maksimale në veri të Rrethit Arktik, teksa stacioni i motit në Verçojansk të Siberisë, regjistroi temperaturën 38 gradë Celcius më 20 qershor.

Në qytetin rus të Ojmjakonit, i konsideruar si vendi më i ftohtë i banuar në Tokë, ky i këtij viti ishte qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë (31.6 gradë Celcius). Thënë thjesht, ndryshimi i klimës po e përcëllon hemisferën veriore. Flluska e të nxehtit është vërtet një dukuri lokale.

Por ajo është pasojë e një tendence globale të klimës, e cila varet nga ndërhyrja e njeriut tek ciklet natyrore. Ndërsa është e vërtetë që klima është mbinxehur, ky proces kulmon përmes manifestimeve ekstreme lokale, të cilat herët a vonë do të formojnë një zinxhir momentesh kritike globale.

Le ta themi troç: ne do të detyrohemi të mësohemi të jetojmë me kriza të ndryshme të njëkohshme. Nëse i shohim të dhënat, mund të nxjerrim një përfundim:çdo qenie e gjallë ka vdekjen si daljen e tij të emergjencës (për këtë arsye Derek Hamfri e titulloi librin e tij të vitit 1993 mbi vetëvrasjen e asistuar “Eutanazia:Dalja e emergjencës” 1993).

Krizat ekologjike, kanë çelur perspektivën reale të një dalje të fundit të emergjencës (vetëvrasje kolektive) për njerëzimin. Por a ka një dalje të fundit të emergjencës, në mënyrë që të shmangim rrugëtimin tonë drejt shkatërrimit? Apo tashmë është tepër vonë dhe nuk ka asgjë tjetër për të bërë, përveç gjetjes së një mënyrë vetëflijimi pa dhimbje?

Çfare duhet të bëjmë në këtë situatë? Para së gjithash, duhet të refuzojmë klishenë që ne jemi pjesë e natyrës dhe jo qendra e saj. Sipas kësaj ideje, për të luftuar krizat klimatike, ne duhet të ndryshojmë mënyrën tonë të jetës:të kufizojmë individualizmin, të zhvillojmë një lloj solidariteti të ri, dhe të pranojmë rolin tonë modest në këtë planet.

Siç shkroi dikur Xhudit Batler:”Një botë e banueshme për njerëzit, varet nga një Tokë që lulëzon, dhe nuk ka njerëzit në qendër të saj”. Por a nuk është e vërtetë që ngrohja globale kërkon ndërhyrje kolektive, të cilat do të sjellin pasoja në ekuilibrin delikat midis formave të jetës?

Kur themi që rritja e temperaturës globale duhet mbajtur nën 2 gradë, ne flasim sikur të jemi mbikëqyrësit e jetës në Tokë, dhe jo si një specie ndër shumë të tjera. Rigjenerimi i planetit varet nga kjo mision titanik.

Nëse duhet të shqetësohemi për jetën e ujit dhe ajrit, kjo do të thotë që ne jemi ajo që Karl Marksi e përcakton si “qenie universale”, pra që është e aftë të dalë nga vetja dhe ta perceptojë veten si një moment dytësor të tërësisë së natyrës.

Kërkimi strehë tek modestia e vdekshmërisë sonë, është një dalje emergjence iluzore që do të na çojë drejt katastrofës. Si qenie universale, ne duhet të mësojmë ta pranojmë mjedisin tonë me të gjithë përzierjen e tij komplekse, e cila përfshin atë që ne e perceptojmë si ndotje, si dhe atë që nuk mund ta perceptojmë drejtpërdrejt, pasi është shumë e madhe ose shumë e vogël, pra ato që filozofi britanik Timoti Morton i quan “hiper-objekte”.

Për Morton, të jesh ekolog nuk do të thotë “të kalosh një farë kohe kohë në një rezervat natyror të virgjër, por të vlerësosh barin që gjen rrugën e tij nëpër të çarat e asfaltit, dhe më pas të vlerësosh asfaltin. Ajo pjesë e botës është gjithashtu pjesë e jona. Realiteti është i populluar me të huaj të çuditshëm, gjëra që janë të ditura, por misterioze ”.

Një shembull i kësaj përzierje gjërash është fati i minjve të Manhatanit gjatë pandemisë. Manhatan është një sistem i gjallë njerëzish, buburrecash dhe i miliona minjve. Gjatë bllokimit, restorantet u mbyllën dhe minjtë që jetonin me mbeturina, u privuan nga burimi i jetesës. Kjo shkaktoi një uri masive, dhe më pas u zbulua se shumë minj i hëngrën këlyshët e tyre.

Një incident i ngjashëm kishte ndodhur tashmë në të kaluarën. Në vitin 1958, në fillim të “Hapit të Madh Përpara”, qeveria kineze i shpalli zogjtë si “kafshët publike të kapitalizmit”, dhe nisi një fushatë të gjerë për të shfarosur harabelat që dyshohej se hanin drithërat në ara. Foletë dhe vezët e harabelave u shkatërruan, dhe zogjtë u vranë.

Këto sulme e shkatërruan gati tërësisht popullatën e harabelave. Por në prillin e vitit 1960 udhëheqësit kinezë e kuptuan se harabelat hanin përveç drithërave edhe sasi të mëdha insektesh nëpër, dhe pas fushatës për t’i eleminuar ata të korrat e orizit, në vend që të rriteshin, u zvogëluan.

Shfarosja e harabelave e prishi ekuilibrin biologjik, dhe insektet shkatërruan plantacionet. Vlerësohet se 15-55 milion njerëz vdiqën nga uria në atë periudhë. Pra, ne duhet të pranojmë që jemi një nga speciet e shumta në këtë planet, por njëkohësisht të veprojmë si mbikëqyrës të jetës në Tokë.

Meqë nuk kemi qenë në gjendje të krijojmë ndonjë dalje tjetër emergjence (temperaturat globale po rriten, oqeanet po ndoten gjithnjë e më shumë), duket gjithnjë e më shumë e mundshme që dalja e fundit e emergjencës para fundit (vetëvrasjes kolektive të njerëzimit) të jetë një lloj varanti i “komunizmit të luftës”.

Unë nuk po flas për një rehabilitim apo vazhdim të “socializmit vërtet ekzistues” të shekullit XX, dhe as për zbatimin në nivel global të modelit kinez, por për masat e imponuara nga situata në të cilën jetojmë. Kur pajtohemi me një kërcënim real për ekzistencën tonë, ne hyjmë në një gjendje të jashtëzakonshme si në kohën e luftës, e cila mund të zgjasë me vite.

Për të garantuar kushtet minimale për mbijetesën tonë, është e pashmangshme që të mobilizojmë të gjitha burimet tona, në rast se duam të menaxhojnë gjëra të tilla si zhvendosja e dhjetëra apo ndoshta qindra miliona njerëzve për shkak të ngrohjes globale.

Përgjigja ndaj flluskës së të nxehtit në SHBA dhe Kanada, nuk duhet të përfshijë vetëm zonat e prekura, por duhet të synojë adresimin e shkaqeve globale. Dhe këtë e bën të qartë katastrofa e vazhdueshme në Irakun Jugor – ku temperaturat i tejkaluan 50 gradë Celcius në korrik, duke çuar në kolaps rrjetit elektrik dhe nxjerrë jashtë funksionit frigoriferët, kondicionerët dhe ndriçimin.

Të gjitha këto gjëra mund të arrihen – dhe do të arrihen – vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, kontrollit shoqëror, përmirësimit të bujqësisë dhe industrisë, transformimit të zakoneve tona themelore të të ngrënit – më pak konsum të mishit të viçit – mbulimit shëndetësor global etj.

Është e qartë se vetëm demokracia përfaqësuese, nuk do të jetë e mjaftueshme për ta kryer këtë detyrë. Një pushtet ekzekutiv shumë më i fortë, i aftë për të mbajtur premtimet afatgjata, duhet të shoqërohet nga vetë-organizimi i njerëzve dhe nga një organ i fortë ndërkombëtar i aftë të dominojë mbi vullnetin e shteteve kombëtare.

Nuk jam duke folur për një qeveri të re botërore:një entitet i tillë do të gjeneronte një korrupsion të pamasë. Dhe as për zhdukjen e tregjeve:konkurrenca e tregut duhet të luajë një rol, edhe nëse rregullohet dhe kontrollohet.

Atëherë, pse të përdoret termi “komunizëm”? Pasi ajo që ne do të bëjmë, përmban 4 aspekte të një regjimi radikal. Në radhë të parë ekziston një dimensioni vullnetarist:ndryshimet e nevojshme nuk janë të rrënjosura tek ndonjë domosdoshmëri historike, por do të merren kundër tendencës spontane të historisë.

Pastaj është barazia:solidariteti global, mbulimi shëndetësor, dhe një jetë e denjë për të gjithë. Pastaj janë elementë të asaj që vetëm liberalëve mund t’u duket si një “terror”, dhe që i kemi parë gjatë pandemisë:kufizimin e shumë lirive personale dhe modelet e reja të kontrollit.

Së fundmi është edhe besimi tek njerëzit:pa pjesëmarrjen e njerëzve të zakonshëm, çdo nismë do të ishte e destinuar të dështonte. Ky nuk është një vizion distopian, por rezultat i një vlerësimi të thjeshtë të gjendjes në të cilën gjendemi.

Në rast se nuk e ndjekim këtë rrugë, do të ndodhë ajo që po shohim tashmë në Rusi dhe Shtetet e Bashkuara:elita qeverisëse po përgatitet për mbijetesën e saj në bunkerë gjigantë nëntokësorë, në të cilët mijëra njerëz mund të vazhdojnë të jetojnë për muaj të tërë, me arsyetimin se veprimtaria e qeverisë duhet të vazhdojë edhe në këto kushte. Elitat tona tashmë po organizohen për këtë skenar. Dhe kjo do të thotë se ata e dinë shumë mirë se po bie zilja e alarmit. / Internazionale – Bota.al

Leave a comment