Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

DRITË-HIJET E REXHEP QOSJES

240765975_554631768991608_8391566347453336886_n

Nga Mark SIMONI –

Në manifestimet e mëdha demokratike të viteve ’90, tundeshin portretet e Ismail Kadaresë dhe të Rexhep Qoses. Por, ndërsa ai i Kadaresë vazhdoi gjatë të mbahej nga manifestuesit, portreti i Qoses nga dita në ditë, nga njëri shesh tek tjetri nisi të hepohej, vidhisej e të binte dalë nga dalë, derisa u zhduk krejt. Nuk u pa më. S’e mora vesh pse ndodhi kjo.
Unë ia pata lexuar dhe romanin “Vdekja më vjen prej syve të till” dhe studimin “Panteoni i rralluar” (si dhe disa drama të viteve ’70), dhe më patën pëlqyer; e para si letërsi dhe tjetra si kritikë monografike per Naimin. Ia simpatizoja stilin, ndryshe klisheve të kritikës sonë.
Aleksandër Çipa, në 2003 kryeredaktor i “Koha Jonë” më tha se do të ishte mirë t’i merrja Rexhep Qoses një intervistë mbasi kishte ardhur në Panairin e Librit. Atëherë drejtoja faqet e Kulturës dhe Letërsisë në gazetë.

Qosen e takova për kafenë e mëngjesit, dhe biseduam rreth librave të tij si dhe letërsive andej dhe këndej kufirit. Pastaj i dorëzova pyetsorin e intervistës që do ta përgatiste në pushimin e drekës dhe do ma dorëzonte pasdite në Panair. Ndër dhjetë pyetjet vetëm dy dilnin prej letërsisë, ku Qosja pyetej jo për veprën e tij por për veprimtarinë e tij. Unë e pyesja për shkrimin e tij në vitin 1980 në gazetën “Rilindja” ku ai i thurte elozhe dhe ditirambe Josif Broz Titos. (A kishte ndryshuar qëndrim ndaj deklaratave që pati dhënë atëherë). Ndërsa pyetja tjetër konsistonte në një letër që Androkli Kostallari i drejtonte Komitetit Qendror (Behar Shtyllës), si raport sekret mbi detaje të bisedave të dy gjuhëtarëve në takimin e tyre në vitin ’70 (kur Qosja vizitoi Shqipërinë), dhe mbi deklaratat e tij të një natyre ekstreme bolshevike. Përsëri pyetsori kërkonte të dinte nëse Qosja kishte një qendrim të ri në raport me regjimin shqiptar të para viteve ’90.

U bë krejt i ftohtë, dhe tha që intervistën për “Kohën …” ta shtynim për një herë tjetër.
E kam takuar dhe dy radhë të tjera, por asnjëherë nuk e përmendem më faktin se na ka mbetur një intervistë pa realizuar.

Mendoj se edhe sot pas 18 vitesh unë do ia bëja përsëri po të njējtat pyetje për letërsinë e tij. që ia kisha lexuar dhe ia pëlqeja. Por patjetër që do ia drejtoja dhe po ato dy pytjet (që sot s’kanë mbetur më dy), por kam më shumë, mbasi tashmë njoh më tepër veprimtarinë e Qoses, polemikën me Kadarenë për Identitetin shqiptar, letrën e hapur me Flora Brovinën, etj.
Unë mendoj se kushdo ka dritë-hijet e veta, por sidomos njerëzit e njohur dhe publikë (që pretendojnë të jenë modeli për masën, dhe ku njerëzit kanë varur në to simpatinë dhe besimin e tyre), duhet me patjetër që këto figura të jenë libra të hapur dhe të lexueshëm për këdo.

Nuk jam krejt i sigurt, por mendoj se në atë titullin “Panteoni i rralluar”, ka ca trishtim, ku Qosja mund të ketë ndjerë dhe fatin e emrit të tij.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Leave a comment