Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Takimi Biden-Zelenskiy, bisedime mbi çështje të sigurisë dhe energjisë

Biden-1-767x450-1-767x433

Presidenti Joe Biden do të takohet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, takim i cili u shty për shkak të zhvillimeve në Afganistan.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se vizita synon të japë mesazhin se “Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj sovranitetit të Ukrainës, integritetit territorial dhe aspiratave euroatlantike” të saj.

Dy udhëheqësit do të përqëndrohen në çështje të sigurisë, energjisë e klimës, si dhe tek përpjekjet e Ukrainës kundër korrupsionit.

Zyrtarët thanë gjithashtu se në takim pritet të arrihen disa marrëveshje që lidhen me ndihmën ndaj Kievit për çështje të sigurisë, ndihmën humanitare për banorët në lindje të Ukrainës të cilët “u prekën nga kriza me Rusinë”, si dhe ndihmë lidhur me koronavirusin.

Gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump, bashkëpunëtorë të këtij të fundit i bënë presion Ukrainës për të hapur një hetim rreth disa aktiviteteve të lidhura me djalin e zotit Biden, i cili në atë kohë ishte kandidat për president. Zhvillimet çuan në ngritjen e akuza për shkarkimin e Presidentit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve, i pari nga dy procese të ngjashme të zhvilluara në Kongres. Përplasjet politike lanë mënjanë marrëdhëniet me Kievin.

Analistët thonë se në takimin mes dy udhëheqësve në Uashington paraqiten sfida, por edhe mundësi.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova shprehu optimizëm mbi vizitën. Ajo thotë se vizita dërgon një mesazh të rëndësishëm në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Ukrainë.

Pas Kancelares gjermane Angela Merkel, Presidenti Zelenskiy është udhëheqësi i dytë që ftohet në Shtëpinë e Bardhë, në një vizitë që pritet të trajtojë çështje strategjike”, thotë zonja Markarova për “Zërin e Amerikës”.

Besoj se tregon nivelin e vëmendjes, përqëndrimit dhe rëndësisë së marrëdhënieve dypalëshe, si për Ukrainën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara“, shton ajo.

Ekspertët amerikanë pajtohen se takimi Biden-Zelenskiy është një mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes dy vende. Ish-ambasadori amerikan në Ukrainë Steven Pifer thotë se rezultatet e takimit do të varen shumë nga zoti Zelenskiy.

Ai duhet të jetë më i matur në disa nga kërkesat e tij, sepse nëse kërkon shumë, mund të zhgënjehet. Askush nuk do të donte të bënte një pyetjeparaqiste një kërkesë, nëse nuk do të ishte i sigurt se përgjigja do të ishte po“, thotë ai.

Ndër çështjet më të ndjeshme janë anëtarësimi në NATO dhe gazsjellësi rus “Nord Stream 2”, një projekt të cilin Ukraina e kundërshton. Ekspertët thonë se është e rëndësishme që zoti Zelenskiy të mbetet realist dhe i balancuar në diskutimin e kësaj çështjeje.

Ai nuk duhet të presë asnjë angazhim nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me Ukrainën dhe NATO -n. Ai gjithashtu nuk duhet të presë ndonjë ndryshim në pozicionin e zotit Biden mbi gazsjellësin Nord Stream 2“, thotë John Herbst, një tjetër ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe drejtor i Qendrës për Euroazinë në Këshillin Atlantik.

Zelenskiy duhet ta bëjë të qartë se ai është kundër gazsjellësit dhe se do të donte të shihte ndryshim, por jo me qasje konfliktuale ndaj Presidentit Biden“.

Daria Kalenyuk, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Veprim Kundër Korrupsionit në Ukrainë, thotë se zoti Zelenskiy duhet të mbetet këmbëngulës kur diskuton çështjen e gazsjellësit “Nord Stream 2”. Ajo thotë se vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të hequr dorë nga sanksionet lidhur me projektin, bie në kundërshtim me deklaratat e Presidentit Biden për të luftuar korrupsionit jashtë vendit.

Gjëja e duhur do të ishte të bisedohej, jo vetëm për korrupsionin në Ukrainë, por edhe për korrupsionin gjeopolitik dhe atë strategjik. Ne mund dhe duhet të pyesim se pse po lejohet që “Nord Stream 2” të përfundojë, pavarësisht se është simbol i korrupsionit strategjik“, thotë zonja Kalenyuk.

Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e sigurisë, administrata Biden ka vendosur të ofrojë ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën, në rast të një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit të saj të gjatë me Rusinë në lindje të Ukrainës. Gjithashtu zoti Biden ka sinjalizuar qëllimin e tij për t’i siguruar Ukrainës 60 milionë dollarë më shumë në pajisje ushtarake amerikane.

Ambasadori Herbst thotë se Presidenti Biden duhet gjithashtu të jetë i interesuar të mbështesë Ukrainën përmes retorikës së fortë.

Ai duhet të dëshmojë në mënyrë shumë të qarta se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Ukrainën, ndërsa Moska vazhdon luftën. Dhe aktualisht zoti Biden ka edhe më shumë arsye për ta bërë një gjë të tillë, pas keqmenazhimit nga administrata e tij të procesit të tërheqjes së trupave nga Afganistani. Ai duhet të tregojë se ai në fakt është një lojtar i fortë ndërkombëtar”.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar vazhdimisht se pret që Ukraina të japë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit. Zoti Pifer thotë se gjëja më e rëndësishme që mund të sjellë zoti Zelenskiy është një mesazh i besueshëm e bindës i angazhimit të Kievit për reforma./VOA

Leave a comment