Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ekspozita “Katundet arbëreshe”, për traditën dhe kulturën në MHK

-800-0-61306663699b1

Ekspozita “Katundet arbëreshe” pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike. Muzeu Historik Kombëtar çeli të mërkurën ekspozitën kushtuar arbëreshëve, në hollin e tij. Ekspozita është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftëra të shumta, që ata kanë përballuar përpara se të jenë një komb i pavarur. Risi e kësaj ekspozite janë 2 libra, që ekspozohen për herë të parë: “Saggio di Grammatologia Comparata sulla lingua”, me autor Dhimitër Kamardrën dhe “Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie”, me autor Zef Skiroin. Gjithashtu përbën risi një brez metalik që vjen nga Hora e Arbëreshëve me një paftë ku paraqitet Shën Gjergji hipur në kalë. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij tha se “Katundet arbëreshe” nxit në gjurmime të tjera. “Në këto ditë të trashëgimisë kulturore në të cilat ne synojmë nxitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve promovuese kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe, origjinën e veshjes, modifikimet që kanë ndodhur etj.

Katundet arbëreshe në Itali filluan të formohen në shek. XV dhe formimi i tyre u plotësua në shek. XVIII. Kolonitë arbëreshe mbërritën në Itali në valë të ndryshme duke sjellë në mërgim, bashkë me gjuhën amtare edhe kostumet e traditat kulturore në kohën e mërgimit”, u shpreh dr. Koçi në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ekspozitës në muze. Sipas tij, këtë pasuri shpirtërore arbëreshët e kanë ruajtur gjithmonë me këmbëngulje deri në ditët e sotme. “Arbëreshët bashkë me emrin e tyre të vjetër etnik që e morën nga mëmëdheu, ruajtën edhe kultin e Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, tha drejtori Koçi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, me qëllimin për të ngjallur interesin e turistëve në Shqipëri për tu njohur më nga afër me trashëgiminë kulturore arbëreshe dhe disa objekte të saj.

Leave a comment