Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ish-ushtaraket afgane të shqetësuara për sigurinë e tyre

ushtarake afgane

Mazari Amani, një nga gjeneralet e pakta femra në ushtrinë afgane, ishte në mesin e atyre që u larguan nga Kabuli më 15 gusht, ditën kur talebanët hynë në qytet. Amani, e cila tani ndodhet në Francë, thotë se është e shqetësuar për sigurinë e kolegeve që ndodhen ende në Afganistan.

Ajo thotë për Zërin e Amerikës se shumë nga këto gra tani kanë frikë për jetën e tyre pas ardhjes së talebanëve në fuqi.

“Disa nga koleget që më kontaktojnë thonë se talebanët janë duke i kërkuar ato. Janë duke kryer bastisje natën në shtëpitë e tyre. Ato janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe nuk e di për sa kohë mund të fshihen në shtëpitë e të tjerëve”, tregon ajo për Zërin e Amerikës.

Amani thotë se merr dhjetëra telefonata çdo ditë nga ish koleget.

“Ato duan që unë t’i ndihmoj duke ngritur zërin e tyre dhe bota të mësojë se jeta e tyre është në rrezik”, tregon ajo.

Pavarësisht nga garancitë e talebanëve se do t’i lejojnë gratë të punojnë, ato që kanë shërbyer në ushtrinë afgane duan që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi grupin militant.

“Kërkesa ime ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Amerikës është që të marrin garanci nga talebanët se do të zbatojnë zotimet e tyre”, thotë Jena Frotan, ish-pjesëtare e ushtrisë afgane.

Por disa gra nuk besojnë se talebanët do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj grave, veçanërisht atyre me uniformë.

“Pikëpamja e talebanëve ndaj grave është se ata nuk pranojnë që gratë të marrin pjesë në asnjë nivel drejtimi, e sidomos për gratë në ushtri. Çfarë mendoni se do të ofronin talebanët në këtë drejtim?”, shtron pyetjen ish-kolonelja afgane Sharifi.

Mijëra gra shërbenin në sektorin e sigurisë në Afganistan, para se të rrëzohej qeveria afgane.

Shumë aktiviste të të drejtave të grave janë të shqetësuara se ato që janë arritur nga gratë në dy dekadat e fundit në Afganistan janë në rrezik tani që talebanët janë kthyer në pushtet./VOA

Leave a comment