Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Promovimi i masave evropiane për energjinë e rinovueshme të qëndrueshme

d825ae57-0b66-4971-8b10-fd488c18aad7

Ditën e Enjte, më datë 16 Shtator 2021, ora 09:00 në mjediset e Hotel Rogner, Tiranë u zhvillua workshop-i me titull: Promovimi i masave evropiane për energjinë e rinovueshme të qëndrueshme

Ky workshop u organizua  nga Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal – RCDC Albania (www.rcdcalbania.org) në kuadrin e projektit DE-RESS Dissemination of the European measures for Renewable Energy Shared and Sustainable: analysis of a practical case, financuar nga Programi Ndërkufitar Interreg IPA Itali-Shqipëri-Mal i Zi.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është promovimi i zhvillimit të Komuniteteve të Energjisë, të afta për të gjeneruar vetë një pjesë të energjisë që konsumojnë (vetë-konsumatorë). Workshop-i u ҫel me fjalët përshëndetëse mbajtur nga z. Gjergj Simaku, Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Marcello Giangreco, menaxher projekti  DiTNE, z. Claudio Polignano, drejtues i zyrës së Rajonit të Pulias në Tiranë dhe  znj. Raimonda Bedo drejtuese e Qendrës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal.

Panelistë në këtë workshop ishin z. Gjergj Simaku, Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z Altin Marko, Drejtor Departamenti pranë Agjensisë për Eficencën e Energjisë AEE, znj. Teuta Thimjo, përfaqësuese e  Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore AKBN, znj. Joli Delimeta, drejtuese e kompanisë SOLARON shp.k., znj Entela Kaleshi, koordinatore projektesh pranë Institutitit për Ndryshim dhe Lidership në Shqipëri dhe znj. Grazia Giovannetti, presidente e Kooperativës Komunitare të Melpignanos, në Itali. Panelistët referuan mbi temat të tilla si: Pajtueshmëria e politikave dhe kuadrit ligjor shqiptar me Direktivat Evropiane për promovimin e masave të efiçiencës së energjisë në sektorin privat dhe publik; Zbatimi i kuadrit ligjor për eficencën  e energjisë në Shqipëri; Pajtueshmëria e politikave dhe kuadrit ligjor me Direktivat Evropiane për përdorimin e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë në Shqipëri.

Me interes  u ndoqën edhe dy relatime për suksese të arritura në projekte të lidhura me eficencën e energjisë dhe shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme, njëra në Shqipëri e tjetra në Itali. Znj. Joli Delimeta, inxhiniere, audituese energjie dhe drejtuese e shoqërisë SOLARON sh.p.k. prezantoi detaje teknike të projektit të ideuar dhe implementuar nga shoqëria që ajo drejton, të një ndërtese të tipit “afër-zero energji” (NZEB: Near-Zero Energy Building), një ndërtesë me performancë shumë të lartë energjetike, e cila prodhon vetë energjinë elektrike që konsumon, e para e këtij lloji e ndërtuar në Shqipëri deri më sot, e cila pret të marrë certifikimin përkatës për pak muaj.

Ndërsa znj. Grazia Giovannetti, presidentja e Kooperativës Komunitare të Melpignanos në Itali frymëzoi sallën duke shpjeguar se si vetëm përmes dëshirës, vullnetarizmit dhe donacioneve, një komunitet i vogël prej 2000 banorësh si Melpignano, mund të realizojë nje projekt te madh per instalimin e paneleve fotovoltaike në të gjithë territorin , por edhe mini-projekte në komunitet që përmirësojnë cilësinë e jetesës të të gjithë gjeneratave: nga rikonstruksion i kopshteve dhe fushave sportive deri tek aplikimi i teknologjisë në lehtësimin e shërbimeve ndaj të moshuarve.

Ky workshop, i konceptuar në formë tepër interaktive, zgjoi interesin e shumë pjesëmarrësve të cilët ngritën disa çështje të hasura në eksperiencën e tyre, si përshembull mungesa e incentivave për përdorimin e burimeve të rinovueshme, si panelet diellore fotovoltaike, sidomos nga familjarët. Në nivel tepër teknik u ngrit çështja e mungesës së çmimit të energjisë elektrike të eksportuar në rrjet nga auto-konsumatorë të cilët kanë të instaluar një sistem fotovoltaik. Të gjithë folësit vunë theksin mbi impaktin pozitiv afatgjatë në mjedis të projekteve të tilla.

Nga pjesëmarrësit u mirëprit ideja dhe u inkurajua krijimi i të tjera tavolinash, qofshin ato virtuale ose jo, për të vijuar diskutimet dhe për të bërë projekt-propozime në thirrje që do të hapen nga Programet ndërkufitare të BE.

Projekti parashikon një workshop të dytë dhe një vizitë studimore, që do të realizohet  në Puglia më 23 -24 shtator 2021 me pjesëmarrjen e një delagacioni shqiptar të përbërë nga specialistë dhe operatorë të sektorit të eficencës së energjisë dhe energjisë së rinovueshme.

Leave a comment