Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

BASHKËSIA DUHET TË SHMANGË HUMBJEN E POLONISË

country3
Nga Danilo TAINO –
 Mos t’a humbasim Poloninë. E mos t’a nënvleftësojmë. Që kur ka hyrë në BE – në majin 2004 së bashku me vëndet e tjera, një kohë në orbitën e perandorisë sovjetike – e kemi lënë mbas dore, madje e kemi shpërfillur: a thua se ai që arrinte në klubin e pasur të Perëndimit nga një përvojë diktature dramatike kishte më pak tituj për t’u vlerësuar në tryezën e Brukselit e në dhomat e kançelarive evropiane. Sot, papritmas, e gjejmë në qëndër të interest të parlamentit, të Komisionit, të Këshillit evropian, të qeverive, të mediave.
Polonia është protagoniste e një krize të re në BE. Të ndëshkohet Varshava apo të bisedohet, është alternativa mbi të cilën po ndahen të Njëzeteshtatët. Përpara është një shteg i ngushtë. Grindja është e njohur. Qeveria kombëtariste polake është paditur se ka minuar pavarësinë e sistemit ligjor, se nuk respekton Shtetin e së drejtës, pra është jashtë rregullave t’atyre që kanë hyrë në BE.
Si përgjigje Gjykata Kushtetuese e Varshavës ka pohuar mbizotërimin e normave kombëtare mbi ato të bashkësisë. Si pasojë Gjykata e Drejtësisë e BE ka gjobitur me një milion në ditë Poloninë, ndërsa shumica e Parlamentit evropian dhe disa qeveri propozojnë të sanksionohet: proçedurë shkeljeje për dhunim të Shtetit të së drejtës dhe pezullim të fondeve evropiane, përfshirë ndoshta edhe 36 miliardë të Recovery Fund, deri sa masat të quajtura iliberale të tërhiqen.
Angela Merkel dhe të tjerë drejtues ndërkaq ftojnë për të biseduar, për të kërkuar një ndërmjetësim. Kançelarja gjermane ka thënë se ligji i BE duhet respektuar, por duhet kuptuar “shumë mirë” çështja e identitetit kombëtar për një Vënd që ka jetuar nën diktaturën komuniste të fqinjit sovjetik për dyzet vite. E që në histori – duhet të kujtohet – ka parë të ndryshohet gjeografinë e saj nëpërmjet dorës së armatosur – dhe për marrëveshje pak a shumë të fshehta – nga Moska e Berlini.
Që demokracia dhe pavarësia e gjykatësve duhen respektuar nga ata që hyjnë në BE është një rregull themelore. Përveç se juridike, çështja është politike: duhet të parashikohen se cilat do të ishin pasojat e masave të dënimit kundër Varshavës, të pazbatuara ndonjëherë më parë. Disa vëzhgues flasin për rrezik “Polexit”, pra të hapjes së një udhe që mund të çonte në daljen e Polonisë nga BE.
Jo me gjasë, por as për t’u përjashtuar nëse gjëndja do të rrëshqiste nga duart (edhe për mungesën jo të parëndësishme në Këshillat e Evropës të ndërmjetëses Merkel, në dalje mbas pak javësh). Vënia me shpatulla mbas muri të qeverisë së Varshavës – “na bëni kërkesa me një revole të mbështetur mbi kokën tonë”, ka thënë kryeministri polak Moraviecki – do të krijonte një prishje të një kohe të gjatë, dramatike jo vetëm për Poloninë: do të kthente përmbys një pjesë të madhe të Lindjes evropiane dhe do të ndryshonte edhe pjesë të ADN së BE.
Politika kombëtariste dhe iliberale nuk janë çuar përpara vetëm nga qeveria polake: edhe Hungaria e Viktor Orbanit dhe Sllovenia e Janez Janša-s lëvizin në drejtime të ngjajshme, madje dhe Rumania është nën vëzhgim në Bruksel. Në përgjithësi, në Lindjen e Evropës bindjet demokratike të Perëndimit të kontinentit janë më pak të rrënjosura në disa pjesë të popullsisë. Edhe në Gjermani, në Landert lindorë pjesë të bllokut sovjetik deri më 1989, e djathta skajore e Alternativës për Gjermaninë gjen miratime mbi 20 % e në disa zona është partia m’e madhe.
Me fjalë të tjera ka një çështje të Lindjes evropiane, që për vite të tëra është fshehur nën qilim, e së cilës kriza polake mund t’i japë një përmasë politike dhe aktualiteti. Kjo është pjesërisht e shpjegueshme me të kaluarën që përmend Merkeli, me vitet e diktaturës të pësuar nga vepra e Moskës. Zgjerimi i BE në 2004 qe pak “i përzemërt” kundrejt këtyre vëndeve, pothuajse të pranuar sepse nuk mund të bëhej ndryshe, por kurrë të vlerësuar me të vërtetë e pak të dëgjuar.
Janë mjaft qytetarët evropianë lindorë që mendojnë se kanë kaluar nga perandoria sovjetike tek ajo e BE. Nuk është e vërtetë por kështu përceptohet: një Perde Hekuri jo lëndore por shoqkulturore e pa rënë kurrë.
Këtë ndjenjë ndoshta e ka shpjeguar më mirë se kushdo tjetër Ivan Krastev, kryetari i Qëndrës për strategjitë liberale të Sofies. Simbas tij, nga Vitet Nëntëdhjetë e mbrapa, banorëve të Lindjes u është thënë vetëm të imitojnë Perëndimin, me përfundimin që t’i bëjnë të jetojnë në një gjëndje pa-aftësie dhe prapambetjeje. “Imituesit nuk janë kurrë njerëz të lumtur”, ka shkruar: ” Nuk zotërojnë kurrë suksesin e tyre, zotërojnë vetëm dështimet e tyre”.
Ka pra, mbas krizës së Varshavës, një gjëndje pakënaqësie më të gjërë, një përfshirje të Vëndeve të Lindjes që Evropa me tërheqje perëndimore i ka ndihmuar pak, shpesh duke menduar vetëm për shtimin e fondeve evropianë, të cilët nuk janë gjë e pakët por nuk janë gjithshka. Është një ripohim i asaj praktike fakti që sot mendohet të çohet ligjshmëria evropiane në Poloni duke e kërcënuar me përjashtimin e atyre fondeve.
Mënyra se si qeveritë evropiane do t’a përballojnë “çështjen Varshava” e do orvaten t’a zgjidhin, për të mos e humbur Poloninë, do të ketë pasoja të thella për bashkësinë e BE, për marrëdhëniet ndërmjet Lindjes e Perëndimit e për të matur aftësinë përfshirëse që do të duhej të qëndronte në ADN e Bashkimit. Në të gjithë krizat ka edhe një voli./“Corriere della Sera” /
Përktheu: Eugjen Merlika

Leave a comment