Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Tani përçarja e opozitës është fakt

Basha Berisha

Në rastin e PD, përçarja ka kaluar me kohë pragun e urrejtjes, aq sa vetëm ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme mund të heshtë zërat dhe të shpëtojë partinë. Gjuha e egër dhe etiketimi si tradhëtar, armik, i shitur, besëprerë, i paguar, shërbëtor

Nga Erl KODRA –

Tani përçarja e opozitës është fakt. Asgjë nuk sygjeron se gjërat do të ndryshojnë së shpejti, veçanarisht duke patur parasysh rrethanat dhe karakteristikat e vendit, si dhe aktorët e interesuar që opozita shqiptare të mos e marrë veten.

Në të vërtetë, çarja e opozitës nuk ishte një rrufe në qiellë të pastër, por ajo po përgatitej me kohë në kuzhinën e qeverisë. “Teza” shumë interesante janë hedhur gjithmonë në publik, por kësaj here është ndryshe, sepse diskursi dhe fjalori përçarës ka arritur kulme të paimagjinueshme.

Nëse ju kujtohet e folura e asaj zonjës nga Berati, ajo i drejtohej Fatos Nanos dhe Ilir Metës me lutje dëshpëruese që të mos përçahen, sepse populli nuk do të kërkonte asgjë, as ujë, as drita, as bukë. Në të vërtetë thirrja ishte diçka mes tragjikes dhe komikes, megjithatë, drama e gruas ishte më se e vërtetë. Nga ajo përçarje lindi LSI, një parti që kurrë nuk pati nivel minimal ideologjik, por mbeti një parti klienteliste.

Në rastin e PD, përçarja ka kaluar me kohë pragun e urrejtjes, aq sa vetëm ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme mund të heshtë zërat dhe të shpëtojë partinë. Gjuha e egër dhe etiketimi si tradhëtar, armik, i shitur, besëprerë, i paguar, shërbëtor, peng – si dhe shumëfishimi i kësaj gjuhe dhe fjalori në rrjetet sociale – ka krijuar një humnerë që zor se mund të mbushet ndonjëherë. Përçarja, sido që të jetë është përçarje, që në thelbin e saj ka metamorfozën e kthimin të mikut në armik, të cilit duhet t’ia nxjerrësh sytë, ta asgjësosh, ta denigrosh që të mos e marrë më veten kurrë. Gjuha linçuese është kaq neveritëse, fyese dhe poshtëruese, sa të bëjnë t’ia bësh naftën gjithçkaje – përfshirë edhe Atdheun – për t’u arratisur mundësisht në një planet tjetër, sepse planeti Tokë është i vogël për një armiqësi kaq të madhe.

Mendja normale nuk mund ta rrokë këtë lloj çmendurie linçuese dhe babëzi çmerituese – brenda llojit dhe sojit – aq sa të vjen të ulërasësh nga dhimbja. Pasojat do të jenë afatgjata, të thella dhe të parikuperueshme.

Lehtësia me të cilën thuhet fjala e fundit në fillim – pa menduar pasojat – është e padurueshme. Ne shqiptarët jemi një komb i vogël, që kemi përjetuar tragjedinë e terrorizmit enverist për 50 vite me rradhë. Opozita e djathtë është jetike për fatet e vendit, dhe si e tillë, ne nuk mund dhe nuk duhet ta vrasim me duart tona, as për Lulzim Bashën, as për Sali Berishën. Madje nuk mund ta vrasim për asgjë në botë – përndryshe – jemi të dënuar të mbetemi përjetësisht komb i dështuar, i paaftë të shohë përtej asaj çfarë duket.

Terroristi Enver Hoxha nuk do të kishte sukses nëse nuk do të përçante shqiptarët, duke i kthyer vet ata si xhahilë të njëri tjetrit – ku gjysma linçonte gjysmën tjetër publikisht në gjyqe popullore. Gjuha e urrejtjes nuk ka asgjë të djathtë, për më tepër mes llojit tënd.

Ajo çfarë nuk shkon në gjithë këtë histori, është zelli me të cilin përcillet përçarja në Partinë Demokratike. Pothuaj e gjithë media kombëtare është vënë në funksion të kësaj përçarje. Televizionet vlojnë nga të ftuar që vetëm shajnë dhe mallkojnë, ndërsa analistë të majtë glorifikojnë vet procesin e përçarjes, si diçka të vyer që i duhet Partisë Demokratike (sic!).

Leave a comment