Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Stigmatizim i të sëmurit mendor apo instrument pushteti?

capak-696x522

Nga Çapajev GJOKUTAJ-

I marrë, i lajthitur, i shkarë, i përhënur, i rrjedhur… janë vetëm pak nga sinonimet që shqipja ka në përdorim për të sëmurët mendorë. Duke u përpjekur t’i kujtosh të gjitha, dy gjëra të bëjnë përshtypje.

E para, numri çuditërisht i madh i tyre: në fjalorin e sinonimeve hartuar nga Ali Dhrimo e të tjerë renditen mbi dyzetë.

E dyta, pothuajse të gjitha këto sinonime i përdorim edhe për të sharë, përbuzur a perçmuar dikë. Është mbase ky përdorim që krijon përshtypjen se pothuajse të gjitha këto sinonime kanë marrë ngarkesë përkeqsuese; thënë ndryshe përdoren jo aq për të shënuar tjetrin, të sëmurin mendor a të ngjajshmin me të, por për të shprehur qendrim negativ të folësit.

Dëshira për të përcjellë përbuzjen, përçmimin a perqeshjen ndaj tjetrit duket se është kaq e fortë sa ka shtyrë të mbahen në përdorim jo një e dy sinonime po disa duzina. Shpesh shfaqen në funksion sinonnimik edhe variante të së njëjtës fjalë si: i marrë, i marrosur, marraq, marroq, marruk etj. Parë kështu ky grup sinonimesh shëmbëllen me një set thikash që duhet të jenë në çdo çast të mprehta, të patopitura nga përdorimi i shumtë.

Jo vetëm kaq. Pikerisht për të patur ngarkesë të fortë e të befasishme, një pjesë e këtyre sinonimeve janë krijuar mbi kalime metaforike të tipit: i zhvidhosur, i lënë, i shkarë, kapsollë etj.; për të mos përmendur pastaj frazeologji me strukturë metaforike si: i ka shkarë ledhi, s’është mirë nga komiteti qendror, nuk i vete korenti në katin e sipërm etj.

Prirja e fortë për të tallur, përçmuar e përbuzur të sëmurët mendorë bëhet më e dukshme edhe nga fakti se përgjithësisht të sëmurët e kategorive të tjera, ata që fjala vjen vuajnë nga zemra, veshkat, melçia a ndonjë organ tjetër, trajtohen me keqardhje, madje edhe me empati.

2.

Shkaqet e kësaj prirje stigmatizuese mund të jenë të shumta, por shquajnë prej së largu të paktën dy prej tyre, njeri nga rrafshi psikologjik e tjetri nga ai social.

Personat që përjetojnë çrregullime mendore të paktën një herë, dmth në një periudhë të jetës së tyre dhe jo në vijimësi, nuk janë të paktë. Statistika nga OBSh thonë që diç më shumë se një e treta e njerëzve në mbarë botën plotësojnë kriteret për të paktën një çrregullim mendor të diagnostikueshëm.

Për Shqipërinë nuk ka statistika të kësaj kategorie, gjithsesi logjika e do që kjo incidencë të jetë më e lartë. Jemi shoqëri që sa kemi dalë nga një regjim totalitar dhe kemi patur e vazhdojmë të kemi shumë mendësi të shumta patriarkale. Si patriarkalizmi dhe totalitarizmi synojnë norma të rrepta e dogmatike, ndaj ushtrojnë trysni të madhe mbi individin. Atje ku trysnia është e lartë gjenerohet shumë detyrim e stres, rrjedhimisht shtohen mundësitë për çrregullime të shëndetit mendor.

Thuajse të gjithë personat që, qoftë edhe një herë në jetë provojnë çrregullime të tilla, në një mënyrë a tjetrën i trembem sëmundjes mendore dhe për t’u shkarkuar sado pak nga frikëra të tilla bulizojnë personat me shëndet të dobët mendor. Mekanizma psikologjikë të pavetdijshëm bëjnë që frikën për dobësi e çrregullime tek vetja ta qetësosh duke tallur, përbuzur e luftuar tjetrin. Me një fjalë stigmatizojmë tjetrin, të sëmurin, të dobëtin që të qetsojmë frikërat tona.

3.

Kur sheh me vemendje përdorimin e sinonimeve të shqipes për të sëmurët mendorë vë re se në një pjesë të mirë të rasteve përdoren për të karakterizuar njerëz normalë por me sjellje të diskutueshme a të papranueshme.

Në këto raste klasifikimi normal – anormal nuk është instrument shkencor që mjekët e shëndetit mendor e përdorin për të diagnostikuar pacientët. Në gjuhën e përditshme priremi ta quajmë tjetrin anormal kur sjelljet e tij, mënyra e jetesës apo ajo e të folurit nuk përputhen me atë që presim ne si shoqëri.

Thënë ndryshe nuk kemi të bëjmë me të sëmurë mendorë, por me njerëz që nuk konformohen. Doemos që këta nuk janë të sëmurë, por mbeten të rrezikshëm për pushtetin në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Mbeten të papëlqyeshëm apo edhe të rrezikshëm për kryetarin e familjes, mësuesin, klerikun, politikanin sepse i ikijn të zakonshmes, rregullit e normës.

Diskutimi për ‘anormalë’ të tillë mund të vazhdojë gjatë e mund të sillen argumenta të shumtë, qoftë kundër e qoftë pro tyre. Vetëm një gjë është thuajse e sigurt: pa ‘anormalë’ e ‘të marrë’ të kësaj natyre njerëzimit do t’i mungonin shumë nga shpikjet gjeniale, kryeveprat artistike, religjonet, reformat, revolucionet dhe të tjera gjëra që, më së paku, i japin ngjyra jetes e nuk e lënë të jetë monotone dhe, më së shumti, kanë prurë e bien progres e begati.

Related Posts

Leave a comment