Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Vrasjet e fëmijëve, kronologjia ndër vite

Vrasjet e femijeve nder vite

Rrëmbimi, vrasja dhe më pas groposja e 8-vjeçarit në Gracalli të Fierit ka tronditur opinionin publik, teksa jo të pakta kanë qenë thirrjet përgjatë ditës së sotme, për një rikthim të dënimit me vdekje.

Megjithatë, pavarësisht shokut që la në shoqërinë shqiptare, kjo nuk është hera e parë që ngjarje të tilla, po kaq tragjike, kanë përfshirë vendin tonë. Më poshtë, ju sjellim në kujtesë disa nga vrasjet më të tmerrshme të ndodhura më rëndomë në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit:

Fier, 29 maj 1992- Dy vëllezërit Ditëbardh dhe Josif Çuko futen për të grabitur një banesë, e gjatë këtij akti vrasin 5 anëtarët e një familje, duke përfshirë edhe foshnjën 6-muajshe. Dy autorët i priti litari më 26 qershor 1996, duke u bërë personat e fundit të dënuar me vdekje në Shqipërinë postkomuniste.

Korçë, 4 shtator 2003- Liliana Mulliri vret nipin e ish-të dashurit, 8-vjeçarin Alberto Xhihani, në shenjë hakmarrje për problemet në çift me partnerin e saj. Trupi i tij u gjet dy vite më vonë i hedhur në pus, i coptuar dhe ndarë më dy thasë. Në janar 2010, tre djemtë e Lilianës u gjetën të vrarë nga një breshëri automatiku.

Sarandë, qershor 2005- Klodian Saliaj përdhunon dhe vret 6-vjeçarin Besnik Shaqiri. Po në fund të këtij viti, Saliaj vrau 65-vjeçarin Petrit Barjami.

Kuçovë, 9 shkurt 2006- Gjenden të pajetë në banesën e tyre 3 pjesëtarë të një familje; kryefamiljari, bashkëshortja shtatëzënë dhe djali i tyre 3-vjeç. I arrestuari i vetëm për ngjarjen makabre, vëllai i viktimës, nuk e ka pranuar krimin megjithëse u dënua.

Peshkopi, 23 tetor 2007- Shpëtim Ziza përdhunon dhe mbyt me lidhëse këpucësh Bekim Cengën. Pas vrasjes, trupin e të miturit e hodhi në një përrua në fshatin Tominë. Ziza është dënuar përjetë për vrasjen dhe përdhunimin e 10-vjeçarit. Monstra gjatë kohës së qëndrimit në burg ka tentuar disa herë të vetëvritet.

Shkodër, 2 gusht 2012- Mirash Bregu 45-vjeç, qëllon për vdekje me çifte vajzën 14-vjeç Marjana, pasi kjo e fundit i ktheu fjalën të atit për t’u kujdesur për bagëtitë. I tronditur nga krimi që kishte bërë, Bregu vrau edhe veten.

Durrës, 11 tetor 2012– Gjendet pa kokë trupi i një 18-vjeçareje. Autori rezultoi të ishte Shaban Norja, 84-vjeç, i cili kishte një lidhje sentimentale me të dhe e kishte lënë shtatëzënë.

Tiranë, 30 nëntor 2012-  U shpall i humbur Juljan Çela, asokohe 10 vjeç, djali i një agjenti të Antiterrorit në SHISH. Ardian Prrenjasi mori përsipër autorësinë e krimit, por trupi i të miturit nuk u gjet. Autori i dyshuar për vrasjen e 10-vjeçarit pretendon se e ka mbytur dhe trupin më pas e mbështolli me një batanije dhe varrosi vet në varrezat e Sharrës. Pedofili u ndalua teksa kishte rrëmbyer dhe abuzuar me një tjetër fëmijë, i cili shpëtoi nga duart para se ta vriste.

Itali, 9 mars 2014- Një nënë shqiptare e quajtur Edlira Dobrushi do të mbushte faqet e para të mediave vendase pasi vrau 3 vajzat e saj: 3, 10 dhe 13-vjeçe, pas divorcit me bashkëshortin shqiptar i cili e kishte braktisur.

Librazhd, 1 maj 2014- Oriola Lleshi mbyt me jastëk foshnjen 6-javëshe në sy të fëmijës tjetër 2-vjeçar, pasi bashkëshorti i zbuloi tradhëtinë dhe mohoi atësinë e fëmijës.

Palasë, 17 gusht 2016- Jorgo Zani masakroi kushëririn e tij 12-vjeçar Andrea, duke i prerë kokën. I mituri i lindur në Greqi kishte ardhur të kalonte pushimet e verës në shtëpinë e gjyshes. Krimi ishte makabër. I sëmuri mendor Jorgo Zani i preu kokën dhe bëri xhiro në fshat, duke thënë “e vrava që të bashkonim mendimet”. Dy vjet më pas Jorgo Zani u vetëvra duke u hedhur nga tarraca e burgut.

Korçë, 5 tetor 2016- Naum Toshi mbyti në gjumë dy fëmijët, 4 dhe 6 vjeç, pasi e braktisi gruaja e tij, 17-vite më të re, Marsela, për jetën e natës. Më i rrituri ishte djali i bashkëshortes nga martesa e parë. Më pas 41-vjeçari vari veten.

Vlorë, 10 gusht 2018- Ritvan Zykaj vret 8 pjesëtarë të familjes së tij pas një sherri banal për vjedhjen e pulave. Mes viktimave ishin edhe Sara 16-vjeç dhe Ledion 8-vjeç. Ky i fundit u gjet në tavolinën e ngrënies duke konsumuar drekën.

Siç mund të shihet, vrasja e 8-vjeçarit në Fier nuk është një rast i shkëputur, por një ngjarje që ndodh rëndom në vendin tonë. Njëri rast më tragjik, apo më dramatikë se tjetri, dhe reagimi i vetëm i shoqërisë është: “Varini!! T’i varim në mes të sheshit!”?! Thënë kjo në një moment kur çka duhet të pyesim është: Pse ndodh si fenomen? Çfarë nuk funksionon? Çfarë mund të bëhet dhe si duhet të reagojmë?

Këto janë disa nga pikëpyetjet e mëdha të cilave nuk iu është dhënë ende një përgjigje.

Të ndalur tek rasti makabër i ditës së djeshme, për “Opinion”, gazetari Spartak Koka ka zbuluar detaje se si Klodian Çalamani dhe xhaxhai i viktimës së mitur, morën pjesë në pengmarrjen dhe dhunimin e një 16-vjeçare në 2006. Ishte pikërisht babai i Mateos, 8-vjeçarit që u vra ditë djeshme, i cili ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur shpëtimin e vajzës. Por çfarë dënimi mori Çalamani për atë krim?

“Vajza është ngacmuar nga xhaxhai i viktimës në vitin 2006. Ajo ka qenë e lidhur me dikë tjetër dhe i kanë dalë para duke i kërkuar numrin e telefonit. I dashuri i vajzës ka thënë është e dashura ime dhe ka tentuar të godasë xhaxhain e Mateos.

Ky i fundit të nesërmen në bashkëpunim me motrën e Klodian Çalamanit, e cila i ka thënë vajzës më ndihmo se duhet të blej disa gjëra për fëmijët tek marketi. Vajza i ka thënë se jam me rroba të papërshtashme dhe motra i ka thënë se hajde marrim shpakat tek shtepia ime. Sapo janë futur, e prisinin brenda dhe Klodian Çalamani dhe Florian Vajsiu, e godasin me shpulla dhe e vendosin në krevatin e mesit të dhomës.

Klodian Çalamani ka marrë shishen dhe e ka goditur vajzën, por ajo është mbrojtur instiktivisht. Në këtë moment ndodh një veprim që është i pashpjegueshëm. Çalamani merr copat e xhamit dhe godet veten në fytyrë duke u gjakosur, më pas i ka thënë vajzës se “do të lë një shenjë tek gjoksi që ta kesh kujtim gjithë jetën nga ne”.

Aty ka ndërhyrë babai i Mateos për ta shpëtuar vajzën, por sado ajo mbahej prap e shtrënguar nga Çalamani. Më pas, pasi u foli i ati i Mateos vajza ka arritur të shpëtoj dhe ka patur shenja. u bë denoncimi dhe Çalamani u dënua vetëm 4 vite burg. Po ashtu, ai ka qenë i dënuar më parë vjedhje të rëndomta, ka bërë nga 3 muaj dhe 5 muaj burg. Ajo çka të bën çudi është sjellja e Çalamanit: agresiv me të dobëtit, të moshuar dhe fëmijë, dhe shumë i bindur me ata që ishin më të fuqishëm se ai. Kjo duket edhe tek ngjarja, ku xhaxhai i Mateos dhe ai nuk janë marrë me të dashurin dhe por me vajzën. Motra Çalamanit ka thënë se “mua më detyroi vëllai dhe Floriani që të merrja në shtëpia vajzën”. Ai ka qenë i dhunshëm, përdorues i alkoolit dhe i lëndëve narkotike.”-tha Koka.

Leave a comment