Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Ndërtimi pa leje penalizon katër zyrtarë

tregan

Kanë heshtur, apo kanë favorizuar një  ndërtim pa leje dhe duhet të përgjigjen para ligjit. Qëndrim ky, që ka penalizuar katër zyrtarë në Elbasan.  Sipas burimeve zyrtare, finalizohet operacioni policor i koduar “Llixha”.

Ky,  për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e ndërtimeve pa leje, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Arrestohet në flagrancë, për shpërdorim detyre, ish-kryeinspektori i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan dhe një shtetas,  që ndërtonte pa leje një objekt prej 1200 metër katror në zonën e Llixhave, Elbasan.

Po ashtu, procedohet penalisht dhe një inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan. Burime zyrtare të policisë vendore, informojnë se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve, M. Q., 38 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë ish-kryeinspektor i Isnpektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan dhe N. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndërtonte pa leje.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. Z., 34 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë inspektor në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes të Territorit, bashkia Elbasan.  Këto arrestime, në lidhje me një ndërtim pa leje me sipërfaqe të madhe ndërtimore në zonën e Llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan.  Është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e institucioneve shtetërore, kryesisht të Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan.

Në muajin janar dhe shkurt 2021 mësohet të jetë bërë ndërtim pa leje me sipërfaqe 1200 m katror, në dy kate, nga shtetasi N. K., në vendin e quajtur “Llixha”, dhe në vijim të jetë aplikuar për legalizim tek AKSH. Po nga hetimet dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre, shtetasit M. Q. dhe A. Z., të kenë favorizuar këtë shtetas për të kryer ndërtimin pa leje. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtim i paligjshëm”. Llixhat në Elbasan janë shpallur më herët si zonë turistike dhe përfshihen në projektin qeveritar të “100 fshatrave”./ Arberia News.net

Leave a comment