Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

LETRA E KOMPOZITORIT VALENTIN VEIZI NGA SHBA/ KUSH PO E DENIGRON FESTIVALIN E RTSH-SË?

Veizi-2

I pari, për mendimin tim, që mban përgjegjësi direkte për këtë denigrim, që po i bëhet këngës shqiptare në një institucion shtetëror është drejtori me kompetenca absolute i këtij aktiviteti Martin Leka, është pikërisht ky që zgjedh “stafin profesional” për përzgjedhjen e këngëve, jurinë e këtij festivali, etj.

Nga Xhovan SHYTI –

Kompozitori Valentin Veizi, fitues për dy vite rresht i vendit të parë në eventin më të rendësishëm të këngës shqiptare në RTSH, prej dekadash jeton në SHBA, ku dhe ushtron profesionin e vet. Megjithse me mijëra kilometra jashtë vendit të tij kompozitori Veizi nuk i ka humbur lidhjet me artin e muzikës së atdheut dhe veçanërisht me atë deputuese të Festivalit kombëtar.

Me të njejtën vëmendje kompozitori sfidant i dy festivaleve kombëtare rresht: Fest ’96 dhe Fest’ 97, por edhe i vendit të parë në festivalin ndërkombëtar “Discovery ’98” në Vrana të Bullgarisë e vendit të dytë në konkurrimin “Voice of Asia” etj., ka ndjekur edhe edicionin e 60-të eventit që u zhvillua në fundvitin e shkuar, që, si shumë paraardhës të tij, ndezi debate, polemika madje dhe sherre personale.

Gjykimet e veta lidhur me gjithsa kompozitori  Veizi i ka përcjellë nëpërmjet një letre adresuar homologut të tij, kompozitorit Aleksandës Peçi. Ja çfarë kumton Valentin Veizi në tekstin e letrës:

“I dashur profesori im i nderuar Aleksandër Peçi, jam plotësisht dakord me shqetësimin (problemin që sjell) në lidhje me denigrimin, që po i bëhet një aktiviteti kaq i rëndësishëm të këngës shqiptare, atij të Festivalit të RTSH.

Midis shumë kritikave nga muzikantë profesionistë, opinione të ndryshme që dëgjojmë e lexojmë këto ditë pas Festivalit të 60-të më bën përshtypje “kryqëzimi” që po i bëjnë vajzës këngëtare Hajatit, për hatër të së vërtetës ajo nuk detyroi njeri me forcë të përzgjidhnin këngën e saj në këtë aktivitet. Ajo bëri atë që mendon se është më e mira edhe e bukura, jo vetëm kaq por vajza nuk e vodhi çmimin e parë, atë e nderuan, ia dhanë solemnisht këtë çmim “profesionistët artistë”.

Të jesh i ri edhe të kesh dëshirë të shkruash këngë, poezi, e të këndosh në një Festival Kombëtar, aq më tepër të ëndërrosh ta fitosh këtë Festival nuk është gabim apo “krim”, ne nuk duhet ti bëjmë përgjegjës ata për dëshirat edhe ëndrrat e tyre.

Pa dashur të bëj analizë kritike në këtë opinion Facebook (u), e të përsëris shumë vërejtje me të drejtë në drejtim të këtij Festivali unë do të shtoja që s’është faji i atyre krijuesve (muzikantë, poetë, këngëtarë-në mund ti quaj kështu), që bëjnë këngë kaq të dobëta profesionalisht, të papranueshme për një aktivitet të zakonshëm jo më për një aktivitet si Festivali Kombëtar i Këngës në RTSH, pra që ti bie drejt edhe shkurt, fajin e kanë drejtuesit edhe drejtuesit nuk janë anonimë apo alien.
Ata kanë dështuar në këtë aktivitet duan apo s’duan ta pranojnë edhe kur dështon s’ke më të drejtë morale të vazhdosh e të përsëritësh dështimin, të gjenden të tjerë më të aftë e të zëvendësohen. I pari për mendimin tim që mban përgjegjësi direkte për këtë denigrim, që po i bëhet këngës shqiptare në një institucion shtetëror është drejtori me kompetenca absolute i këtij aktiviteti Martin Leka, është pikërisht ky që zgjedh “stafin profesional” për përzgjedhjen e këngëve, jurinë e këtij festivali, etj.
Që mos të zgjatem më, Shqipëria (pa moral patriotik apo euforik), ka kompozitorë edhe artistë të shkëlqyer që me krijimtarinë (këngët) e tyre e kanë treguar që janë të aftë të krijojnë këngë shumë të bukura, që i kanë rezistuar viteve me radhë. Nuk e kam fjalën vetëm për artistët e konfirmuar në këtë gjini, apo siç i quajnë rëndom të “vjetër”, por edhe ky brez i ri ka këngëshkrues edhe artistë të vërtetë. Ajo që dua të them është: nuk është se mungojnë artistët (krijuesit), mungojnë drejtuesit e vërtetë, serioziteti, predispozita e tyre që nuk marrin as mundimin më të vogël për ti afruar këta artistë të vërtetë në këtë aktivitet, (se për çfarë arsye e dinë vetëm ata). Institucioni i RTSH, shteti, qeveria, Ministria e Kulturës duhet ta marrin seriozisht këtë denigrim, që po i bëhet në mënyrë zyrtare këngës shqiptare”.

 

Leave a comment