Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

TRIMAT PAS LUFTE

Erion Dasho
Nga Erion DASHO –
Sa herë që një vend zbut ose heq masat anti-COVID, në median sociale ka një lumë komentesh përshëndetëse nga ana e personave të njohur tashmë si anti-Vax apo përkrahës të teorive konspirative.
A thua se heqja e masave nga Britania e Madhe sot nënkupton se konspiracionistët kanë patur të drejtë në atë që kanë 2 vjet që deklarojnë!
Harrojnë se Britania e Madhe po përpiqet të shkarkojë një kryeministër sot, sepse theu rregullat e karantinës para një apo dy vjetësh. Apo se në kulmin e pandemisë, Britania e Madhe dhe ato vende që sot lehtësojnë masat, kishin disa prej kufizimeve më të ashpra në botë.
Trima pas lufte dhe të mençur pas kuvendi bëhen të gjithë. Sidomos ata që, për fat të mirë, nuk patën të afërm të prekur rëndë apo që humbën jetën prej COVID-it.
Sot mund të bëhesh lehtë no-Vax pasi ke kaluar një nga variantet e COVID-it apo kur e ndjen veten jashtë grupeve në risk. Mund edhe të anatemosh qeveritë “kriminale” apo establishmentin që shfrytëzoi pandeminë për kush e di ç’agjendë konspirative, por nuk duhen harruar miliona të vdekur në botë dhe dhjetëra mijëra të vdekur në Shqipëri.
Pjesa më e madhe e tyre vdiqën sepse qeveritë e vendeve ku ata jetuan nuk morrën dot masa në kohë, apo nuk siguruan dot vaksina në kohë. Një pjesë jo e vogël, fatkeqësisht, edhe sepse u bënë viktima të No-Vax-ëve dhe konspiracionistëve, të kohës së çmendur ku çdo njeri me qasje në një celular u bë papritur ekspert…

Leave a comment