Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

AGJENTË TË PAGUAR TË “BIG PHARMA”

BIG PHARMA
Kompanitë farmaceutike nuk është se gëzojnë reputacionin më të mirë të mundshëm. Për të mos thënë të kundërtën. Në perceptimin publik ato shpesh njësohen me fitimet e pamerituara dhe grykësinë.
Nga Erion DASHO –
Duke mos dashur të hyj në këtë debat që është sa mjeksor, aq edhe ekonomik, ligjor e etik, dua të ndalem në një “efekt anësor” jo të parëndësishëm të cilësimit të Big Pharma si makute dhe jo etike.
Duke përfituar nga çmimet e larta të shumë medikamenteve dhe nga vështirësia e gjetjes së tyre sidomos në tregjet e varfëra, rregullisht ngrejnë kokën dy kategori interesante:
Të parët janë anatemuesit e medikamenteve të prodhuar nga Big Pharma, sidomos kur këto medikamente kanë një shkallë pasigurie. Një kimiopreparat jo gjithmonë jep efekt dhe kur këtë e ble disa dhjetëra mijëra euro, por pacienti gjithsesi vdes, zemërimi është i madh. Zemërimi jo rrallë nuk drejtohet tek sëmundja, por tek spitali, mjeku apo medikamenti.
Të dytët anatemues, janë “shpikës” të ndryshëm të cilët zbulojnë medikamente “magjike” të cilat për disa euro zëvendësojnë me “sukses” preparatet analoge dhjetëra apo qindra mijëra euroshe. Kur mjekët bëjnë thirrje për kujdes apo për të mos rënë pre e mashtrimeve, justifikimi është në majë të gjuhës “Kritikët janë agjentë të paguar të Big Pharma”.
***
Nëse para pandemisë këto linja zhvilloheshin pak a shumë “nën radar”, pandemia ndihmoi në një masivizim të jashtëzakonshëm të tyre. Kur shoh numrin në rritje të anti-Vax-ëve, No-Vax-ëve, konspiracionistëve, aktivistëve anti-Big Pharma, etj., sinqerisht shqetësohem mbi pasojat afatgjata që mund të kenë në shëndet këto qëndrime.
Uroj që me kalimin e pandemisë të humbasë edhe interesi i përfaqësuesve të këtyre grupimeve për protagonizëm, përndryshe e ardhmja e shëndetit dhe kujdesit shëndetësor nuk është aspak e sigurt.
***
Mjekësia do të vazhdojë edhe shumë vjet të mbetet një disiplinë me shumë pasiguri. Për një diagnozë të caktuar do të ketë njerëz që mbijetojnë e shërohen, sikundër do të ketë edhe pacientë që do të humbin jetën. Miliona mjekë e kërkues në gjithë botën do të vazhdojnë të hulumtojnë se përse kjo ndodh. Hera-herës përgjigjet do të gjenden dhe hera-herës jo.
Kuptohet se këto kërkime sot nuk kushtojnë pak. Medikamentet e reja apo pajisjet e reja mjeksore që do të prodhohen si rezultat i tyre do të jenë të shtrenjta. Pas tyre do të ketë edhe biznesmenë që do të pasurohen sikundër do të ketë edhe biznesmenë që falimentojnë. Kjo ndodh në çdo fushë të ekonomisë.
Por kryesorja është se shumatorja e gjithë këtyre përpjekjeve do ta çojë mjeksinë më pranë idealit që synohet prej mijëra vjetësh, mjeksisë së personalizuar, precize, parandaluese dhe parashikuese.
Një objektiv që ndoshta do të arrihet brenda kësaj dekade që po jetojmë, sidomos nëse nuk do të shqetësohet nga lëvizjet populiste me background të turbullt…

Leave a comment