Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Edicioni i 10 i “Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve” mbledh dhjetra gazetarë në Prishtinë dhe Mitrovicë

274869406_356627753135257_7058946065073036884_n

Tiranë më 27.02.2022

Dhjetra gazetarë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe përfaqësues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi u bënë pjesë e veprimtarisë vjetore të nismuar dhe organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Elbasan dhe Ress Egnatia në datat 25 dhe 26 shkurt 2022 në Prishtinë dhe Mitrovicë.

Për dy ditë rresht në Kosovë dhjetra gazetarë dhe të ftuar të ndryshëm përcollën veprimtaritë e planifikuara dhe publikuar si axhendë e Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve.
Në orën 13.00 të ditës së premte në selinë e Presidencës së Kosovës, presidentja Shkëlqesia e Saj, zonja Vjosa Osmani priti një grup prej pesë gazetarësh të kryesuar nga kryetari i UGSH-së Aleksandër Çipa, Vedat Memedaliu Shkup, Nexhat Behluli Preshevë, Nehat Islami Koaovë dhe Xhimi Vila RessEgnatia.

Në takim gazetarët folën për situatën e medias dhe gjendjen e gazetarëve shqiptarë në rajon dhe nevoja për shkëmbime dhe nxitje të nismave vetërregulluese mes entiteteve profesionale. U ndanë pikëpamje për raportet mes nismave rregulluese dhe atyre vetërregulluese dhe domosdoshmëria për më shumë solidaritet profesional në rritje të besueshmërisë dhe shërbimit publik të mediave. Nga bashkëbiseduesit me Presidenten Osmani u paraqitën aspekte specifike të seicilit komunitet gazetarësh në shtetet e rajonit.

Në pasditen e së premtes në mjediset e Hotel Grandi në Prishtinë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi me një pjesëmarrje të zgjeruar gazetarësh të rinj dhe veteranë nga Shqipëria dhe Kosova paraqitjen e botimit të dytë dhe të riedituar të librit me raportime nga Lindja e Mesme dhe e Afërt e gazetarit të famshëm të viteve ’80-ë Nehat Islami. Libri i tij ” Hotel Bejruti”, në edicionin e dytë sillet për lexuesit e krejt hapësirës shqiptare si botim me nismën e UGSH nën interesimin e kolegut dhe mikut të autorit, Aleksandër Çipa. Gazetarja e njohur dhe moderatore e kësaj paraqitjeje Alketa Gashi e bëri edhe më interesant aktivitetin duke e bashkëshoqëruar me pasazhe vlerësimesh nga Agim Gjakova apo të vetë autorit Islami. Kolegë të nderuar si Ibrahim Osmani, Valentina Saraçini Kelmendi vlerësuan punën në dekada të kolegut dhe sidomos raportimet e tij në Disa vende konfliktesh si Palestinë, Siri, Liban, Jordani etj.,. Ndërsa autori i parathënies së librit gazetari Çipa solli në vëmendje të të pranishmëve meritat e gazetarit veteran si pionier i gazetarisë audiovizive në krejt trojet tona.

Pas paraqitjes së botimit, organizatorët e veprimtarisë rajonale të Ditëve të Miqësisë, ndanë disa çertifikata mirënjohjeje për kolegë dhe aktivistë të shquar të komunitetit të gazetarëve nga të gjitha viset ai Bahri Cani i Dojche Welle në shqip, Sejmen Gjokoli si reportazhist dhe kronikan i veprimtarive kulturore, Ardita Saqiqi nga Lugina e Presheves, Ilir Krasniqi nga Prishtina, Behare Bajraktari si reportere profili në mbrojtje të mjedisit, Gëzim Kabashi nga Durrësi të cilët u vlerësuan për kontributin dhe vlerat e tyre profesionale si dhe për solidaritetin profesional.
Aktiviteti i pasdites vijoi me diskutimin në tryezën me temë ” Skenat mediatike në hapësirën shqiptare dhe nevoja për një treg mediatik”, ku diskutantë si Ëngjëll Seriani, Henrik Mehmeti, Besim Dybeli, Nehat Islami, Ilir Krasniqi, Nexhat Behluli, Vedat Memedaliu, etj., etj, ngritën çështje dhe sollën sugjerime për më shumë aktivizim të strukturave përfaqësuese të gazetarëve dhe grupeve të interesit në skenat tona mediatike. Kryetari i UGSH Aleksandër Çipa sugjeroi vijimin e këtij diskutimi në forma dhe me pjesëmarrje më të gjerë aktorësh dhe përfaqësuesish nga të gjitha skenat mediatike të rajonit tonë.

Aktivitetet vijuan ndërkohë edhe përmes intervistave në disa prej mediave më të rëndësishme të Kosovës, ndërsa në ditën e dytë grupi prej dhjetra gazetarësh udhëtoi drejt qytetit verior të Mitrovicës ku stacioni i parë ishte RadioTelevizioni i Mitrovicës ku mysafirët u pritën nga drejtori i medias, publicisti i njohur Nexhmedin Spahiu. Ne pritjen e rezervuar për vizitorët, ishin të pranishëm edhe gazetarë të njohur nga të gjitha vendet dhe mediat ndërkombëtare në shqip. Raporti informues për gjendjen në Mitrovicë, historikun e medias lokale si dhe puna prej guide për krejt mysafirët nga kolegu Spahiu u vlerësuan më së shumti, ndërkohë që shumica e të pranishmëve e vizitonin për herë të parë këtë qytet. Të gjithë pjesëmarrësit nën shoqërimin e kolegëve vendas u ndalën në disa prej pikave më të njphura historike të Mitrovicës dhe kaluan një drekë të përbashkët në një nga lokalet më të njohura.

Të gjithë gazetarët nga Kosova vlerësuan lart këtë traditë të organizuar në ” Ditët e Miqësisë” nga UGSh e cila po afron dhe bashkon mediet e gjithë hapësirës sonë.
Në rrugën e kthimit autokolona me mjetet e gazetarëve u ndal në kompleksin dhe memorialet të luftës heroike të familjes Jashari në Prekaz, duke përmbyllur në këtë mënyrë krejt ciklin e veprimtarive dy ditore të Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve në edicionin e fundit të dekadës së parë që vijon të ketë për protagonistë organizues degën e UGSH të Elbasanit dhe shoqatën Ress Egnatia nën mbështetjen e organizatës më të madhe të gazetarëve në Shqipëri, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë.

Leave a comment