Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Anija e “fundit”, me grurë, mbërrin nga Rusia në Durrës për llogari të “Miell Tirana”

SLAVIANKA-770x433

Në kulmin e sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të sulmeve të saj në Ukrainë, një anije me grurë, që ishte nisur dy javë më parë, mbërriti dje në orët e para të mëngjesit në Portin e Durrësit. Ngarkesa e ardhur është për llogari të kompanisë “Miell Tirana”, tashmë të mirënjohur për cilësinë e miellit e të prodhimeve, drejtues të së cilës i thanë “Arbëria News” se sasia e porsambritur i shtohet rezervës dhe garanton furnizimin disamujor të tregut me miell.

Të dhenat nga porti i Durrësit saktësojnë se në bordin e anijes “Slavianka” të mbritur për llogari të kompanisë “Miell Tirana”, një nga importuesit kryesor të grurit, gjenden 3030 tonë grurë rifuxho, që janë në proces shkarkimi. Kjo ngarkesë vlerësohet se do të jetë e fundit, pasi importuesit pohuan se që nga nisja e luftës, kanalet tregtare të Rusisë dhe Ukrainës janë të bllokuara.

“Slavianka” lundron nën flamurin e Rusisë. Sasia e grurit të sjellë dje në Shqipëri është sa 1% e importit të vitit të kaluar. Referuar të dhenave të INSTAT gjatë vitit 2021 nga Rusia ka mbritur në vendin tonë 46% e totalit të drithërave të importuar, ndërsa 4% erdhën nga Ukraina. Të dyja këto vënde aktualisht janë në luftë, duke vështirësuar furnizimin me grurë.

” Lufta do të ketë ndikim në prodhimin e ardhshëm, pasi gruri është në fazat e para të rritjes dhe korrjet e reja janë në korrik, por vendi nuk do të mbetet pa furnizime. Jemi në fazë intensive të ndryshimit të burimeve të furnizimit për të garantuar vazhdimësinë dhe shmangur një krizë të mundëshme”, pohuan burimet e “Miell Tirana” duke mos mohuar ngritjen e çmimit të grurit të importuar.

Theksojmë se si pasojë e luftës, portet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi, janë të mbyllura edhe sot. Një terminal rus, Novorossiysk, mbetet funksional, por me rritjen e sanksioneve ndërkombëtare ka të ngjarë që të dërgojë vetëm vëllime të kontraktuara më parë me pak shpresa për të rezervuar shitje të reja.

“Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, 19% të furnizimeve botërore të misrit dhe 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit,” raport agjencia “Reuters” dje në mëngjes.

Ndërkohë, procesi i mbjelljeve të pranverës në Ukrainë pritet të fillojë së shpejti dhe shumë pasiguri mbeten për kapacitetin e prodhimit të vitit 2022.

Fermerët duhet të fillojnë së shpejti punën në terren dhe ka një pikëpyetje të madhe se do funksionojnë në kushtet e luftës.

Sakaq kërkesa e tregtarëve për të blerë grurin rus ka qenë thuajse zero pas datës 24 shkurt, njoftoi Agjencia “Reuters”.

Pas forcimit të sanksioneve çmimi i grurit në bursa u rrit dje me 6.4%.

Pesha

Leave a comment