Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Çelet në Shkup “Viti i Drejtshkrimit”, sipari hapet me dy vepra nga Rami Memushaj

liber

Me rastin e 7-Marsit, Ditës së Mësuesit, datë kjo që përkoi me 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve organizoi shënimin e “Vitit të Drejtshkrimit”, duke promovuar dy vëllimet e sapobotuara “Propozime për drejtshkrimin”, me autor prof.dr. Rami Memushajn.

“Unë ndjehem shumë i lumtur që këtu në Maqedoninë e Veriut, në krye të këtyre institucioneve të Institutit të Trashëgimisë dhe të Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Shqipen, janë dy djem të gjallë, të guximshëm dhe atdhetarë, sepse sot lufta bëhet me pendë dhe nuk bëhet me pushkë, dhe shpresojë që të vazhdojmë kështu të kemi edhe projekte të tjera,”  u shpreh profesor Memushaj per Ylber Selën, drejtorin e AZGJ-së në Maqedoninë e Veriut dhe Skënder Asanin, drejtori i ITSHKSH-së.

 

Në fjalën e tij, z. Asani tha se kodi i gjuhës është ADN-ja e një kombi dhe se shqiptarët rrugëtimin e tyre natyror e sublimuan në Kongresin e Drejtshkrimit. “Jo rastësisht në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit u unifikua gjuha shqipe, gjuha standarde që i hapi rrugë bashkimit të shqiptarëve, dhe jo rastësisht pas shumë dekadave u bë Kosova e pavarur, Maqedonia u bë shtet ku shqiptarët në mënyrë konkrete e zyrtarizuan gjuhë e tyre shqipe dhe formuan edhe Agjencinë e gjuhës, siç nuk e ka as Shqipëria dhe as Kosova,” u shpreh ai.

Ndërsa drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, prof. dr. Ylber Sela, e cilësoi botimin një ngjarje të madhe për të gjithë shqiptarët.

Redaktori i kësaj vepre, prof.dr. Xhevat Lloshi foli për Kongresin e Drejtshkrimit, duke thënë se 50 vjet nuk janë shumë për historinë dhe kulturën e një populli, por njëkohësisht nuk mund të mohohet se shumë gjëra kanë ndryshuar. Sipas tij, të gjithë ne e kemi për detyrë që mos ta devijojmë gjuhën shqipe.

Në emër të Departamentit të Gjuhës Shqipe foli drejtuesja e këtij departamenti, Dr. Hidajete Azizi, e cila theksoi se: “Gjysmë shekulli pas Kongresit të Drejtshkrimit, Departamenti i Gjuhës, respektivisht Instituti i Trashëgimisë, po nis aktivitetet
për shënimin e kësaj ngjarjeje madhore pikërisht me promovimin e një pune me vlerë, e një pune të palodhshme që është bërë me përmbledhjen në një vend të prurjeve studimore që na i sjellin dy vëllimet e librit ”Propozime për drejtshkrimin”.

Zeqirija Ibrahimi, hulumtues shkencor në Institut, nënvizoi se janë të përkushtuar që të mos rrezikohet elementi i cili e bashkon kombin shqiptar, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.

“Jemi veçanërisht të lumtur që ky aktivitet dhe ky libër po bëhen në Shkup, për shkak se gjatë kohë ka ekzistuar një përceptim se Shkupi është një periferi shqiptare, një periferi e parëndësishme shqiptare dhe në Shkup nuk ka mundësi të vijnë gjëra që e begatojnë kombin tonë,” tha ai.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve do të organizojë ngjarje dhe aktivitete në qendrat e tyre albanologjike, si shprehje e vullnetit dhe aspiratës për një integrim më të madh brendakombëtar.

Leave a comment