Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Dy Sesionet” eventi i madh politik kinez në kontekstin e lëvizshëm ndërkombëtar

a5200262-fcdd-4ba8-a68e-30fcc4532770

Nga Aleksandër ÇIPA-

Java që lamë pas shënoi fillimin e “Dy Sesioneve”, një nga eventet politike më të rëndësishme të vitit në Kinë. Ky takim i përvitshëm që konsiston në mbledhjen e anëtarëve të dy organizmave kryesore politikëbërëse në Kinë, shërben për të analizuar rezultatet vjetore të politikave të Pekinit dhe për ravijëzimin e politikave të vitit pasardhës.

Në vetvete, “Dy Sesionet” përfshin mbledhjet e Asamblesë Kombëtare Popullore dhe të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, respektivisht institucionit legjislativ dhe organit më të lartë këshillimor politik. Këto mbledhje të më shumë se pesëmijë anëtarëve të elitës politike, shoqërore dhe ekonomike të Kinës, tradicionalisht kanë tërhequr jo vetëm interesin e brendshëm në Kinë, por edhe të vëzhguesve, aktorëve financiarë dhe investitorëve të huaj, për hir të faktit se është një rast për të kuptuar prioritetet e Pekinit për vitin pasardhës dhe për drejtimin e vendit.

Këtë vit, “Dy Sesionet” vjen në një moment delikat për komunitetin ndërkombëtar. Në fakt, agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka thithur vëmendjen më të madhe dhe dominon mediat kryesore në perëndim. Megjithatë, analistët e kujdesshëm të Kinës dhe të Azisë së largët nuk mund të mos shikojnë me kujdes mesazhet e dala nga ky event i rëndësisë së parë, qofshin ato ekonomike, por edhe më gjerë se aq.

Impakti i pandemisë vazhdon të reflektohet dukshëm në ekonominë botërore. Kjo bëhet edhe më e qartë në kuadër të analizimit të të gjithë veprimtarisë dhe aktivitetit ekonomik të vitit të kaluar. Prandaj, ishte e pritshme që raporti vjetor të fokusohej në mënyrë të gjerë tek ky impakt, tek presioni ekonomik i përjetuar nga segmentet e ndryshme të shoqërisë, veçanërisht konsumatorët dhe bizneset e vogla, sikurse dhe te politikat e ndjekura për t’i lehtësuar këto vështirësi.

Brenda këtij konteksti, është veçanërisht e rëndësishme deklarata e kryeministrit Li Keqiang se objektivat madhorë të këtij viti janë “arritja e performancës së qëndrueshme makroekonomike dhe ruajtja e indikatorëve kryesorë ekonomikë brenda parametrave të përshtatshme, mbajtja në qëndrueshmëri e operacioneve të entiteteteve të tregut dhe ruajtja e sigurisë së punës”. Të gjitha këto objektiva paraqiten si të tilla për krijuar një ndjenjë sigurie brenda tregut vendas dhe të gjithë qytetarëve të shtresave të ndryshme ekonomike.

Temë e rëndësishme diskutimi, mbi të gjitha në raport me politikat e ardhshme ekonomike është patjetër, vënia e theksit te inovacioni shkencor dhe teknologjik. Sikurse u konfirmua nga kryeministri Li Keqiang të shtunën, këto do jenë dy shtyllat mbi të cilat do të fokusohet qeveria kineze për të stiluar dhe implementuar politikat afatgjata të vendit. Sipas komenteve të kryeministrit kinez, shtysat për të bindur sipërmarrësit për të investuar më shumë në kërkimin dhe zhvillimin shkencor do të përfshijnë politika të tilla si: ulje shtesë të taksave dhe lehtësime të ndryshme financiare të cilat ka gjasa, të mirëpriten nga një pjesë e mirë e bizneseve.

Padyshim që, sikurse u reflektua dhe nga prezantimi i raportit vjetor prej zyrtarëve të lartë, sfidat ekonomike mbeten të shumëfishta për Kinën si dhe për vende të tjera të botës. Përtej rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë që përmendëm, vazhdojnë të ekzistojnë problematika të përsëritura në zinxhirët globalë të furnizimit, por edhe në ulje të kërkesës. Impakti i situatës globale është ende vijues dhe programimet ekonomike imponohen prej kësi rrjedhash.

Sipas shifrave të publikuara nga organet zyrtare, në vitin 2021 Kina vërejti një rritje me 8.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke forcuar në mënyrë të përgjithshme pozicionin e Kinës si ekonomia e dytë më e madhe në botë. Megjithatë, sfidat e sipërpërmendura reflektohen deri diku dhe në pritmënitë ekonomike të afishuara nga zyrtarët kinezë për vitin 2022 dhe kjo shikohet edhe te objektivi i vendosur për një rritje ekonomike me 5.5%.

Megjithëse vëmendja e diskutimit përgjatë “Dy Sesioneve” ishte tek elementet dhe faktorët e brendshëm, nuk mund të anashkalohet dhe impakti ekonomik i zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare. Lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës si dhe sanksionet e ndërmarra nga Perëndimi si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së Moskës, do të kenë një efekt zinxhir ekonomik edhe në Kinë dhe në vlerësimet e vendim-marrësve kinezë do të ketë vend për reflektim në këtë aspekt.

Së fundmi, vlen të përmendet edhe politika e gjelbër, mbi të gjitha në respekt të objektivave madhore për uljen e emetimet të karbonit dhe për arritjen brenda disa dekadave të neutralitetit të karbonit. Në fakt, kjo e fundit është një element me shumë rëndësi në mbledhjet e këtij viti, teksa zhvillimi i gjelbër dhe përpjekja për të ulur emetimet e karbonit ishin pika kryesore që në ditën e parë të zhvillimit të Asamblesë Kombëtare Popullore. Angazhimi kinez për të zeruar emetimet neto brenda vitit 2060 është një sfidë me kohën. Megjithatë, është e rëndësishme të kihet parasysh se bëhet fjalë për një sfidë që tejkalon rëndësinë e thjeshtë ekonomike për Kinën dhe lidhet me një betejë ekzistenciale për të gjithë njerëzimin. Tensionimi ndërkombëtar i situatës për shkak të gjendjes ruso-ukrainase dhe përfshirja e faktorëve të tjerë potencialë, do të godasë dukshëm linjat e deritanishme të ekonomisë botërore dhe sistemit bankar. Financat po hyjnë në një gjendje me shumë të papritura dhe me efekte kapitale, për këtë arsye në sistemin e Kinës dhe përgjatë “Dy Sesioneve” u vërrejt maturia dhe syçeltësia institucionale e autoriteteve dhe elitës kineze në përgjithësi.

 

Leave a comment