Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Në RMV gjyqësori nuk zbaton ligjin për shqipen/ Përkthyes vetëm në dy prokurori

gjykata4-1

Gjuha shqipe, edhe pse gjuhë e dytë zyrtare akoma nuk gjen përdorim në procedurat e gjyqësorit dhe shërbimet e noterëve në Maqedoninë e Veriut. Ndonëse kanë kaluar katër vite nga miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve që i flasin mbi 20 për qind e popullsisë, që nënkupton edhe gjuhën shqipe, institucionet e gjyqësorit janë ato që po e zbatojnë më pak ligjin për gjuhën shqipe.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve (AZGJ), zbatimi i detyrimeve veçmas nënkupton angazhim të kuadrove, kapaciteteve financiare dhe teknike (sigurimi i mjeteve për angazhimin e përkthyesve të kualifikuar dhe/ose lektorëve me njohje të thellë të terminologjisë juridike të specializuar, furnizimi i pajisjeve për përkthim simultan/ konsekutiv dhe interpretim (softuer, dëgjuese me kanale për përkthim, mikrofona, serverë etj.), bashkëpunim proaktiv me përkthyes gjyqësorë të licencuar të gjuhëve zyrtare etj.

Në  Raportin e AZGJ-së, të titulluar “Aspektet Juridike të Përdorimit të Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, me autorë prof. dr. Ylber Selën (drejtor i AZGJ) dhe prof. Llazo Matovskin, janë publikuar rezultatet e hulumtimit për nivelin e përdorimit të shqipes në sistemin gjyqësor. Hulumtimi ka përfshirë gjithsej 41 institucione të sektorit të drejtësisë, prej të cilave 38 institucione i janë përgjigjur pyetësorit, ndërsa 3 institucione nuk kanë dorëzuar të dhëna.

Sipas raportit, nga gjithsej 19 gjykata të anketuara, 4 prej tyre nuk kanë përkthyes të punësuar për gjuhën shqipe, përderisa 15 prej tyre disponojnë kuadër të tillë profesional.

Te prokuroritë gjendja është ndryshe. Nga gjithsej 13 prokurori të anketuara, 9 prej tyre nuk kanë përkthyes të punësuar, ndëra 2 prej tyre disponojnë kuadër të tillë profesional, ndërkohë që 2 prej prokurorive të anketuara nuk kanë dorëzuar të dhëna.

Hulumtimi i AZGJ-së ka përfshirë edhe 9 institucione të tjera të drejtësisë, prej të cilave 1 prej tyre nuk ka përkthyes të punësuar, përkatësisht të angazhuar në dhe nga gjuha shqipe. Ndërkaq, 7 prej tyre nuk disponojnë me kuadër të tillë profesional, ndërsa 1 nga institucionet e anketuara nuk ka dorëzuar të dhëna.

Për këtë arsye në Raport rekomandohet: “Përpjekjet e autoriteteve të drejtësisë duhet të fokusohen në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve për përdorimin efektiv dhe efikas të gjuhëve zyrtare në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat për realizimin e sanksioneve, procedurat parahulumtuese dhe hulumtuese, procedurat penale dhe kundërvajtëse, procedurat kontestimore dhe jokontestimore, si dhe procedurat e tjera para gjykatave, prokurorive publike, si dhe të gjitha organeve, trupave dhe institucioneve të tjera gjyqësore”.

Po ashtu: “Çdo institucion i drejtësisë në aktet e tij të organizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës, të parashohë formë organizative ose vende të punës për përkthyes dhe për interpretë të dhe nga gjuhët zyrtare. Në këtë kontekst, për shembull, te instancat gjyqësore rol proaktiv do të duhet të kishte Këshilli i Shërbimit Gjyqësor në bashkëpunim me faktorët institucionalë relevantë. Këshilli i Shërbimit Gjyqësor ka rol kyç, sepse në pajtim me Ligjin e Shërbimit Gjyqësor, këshilli me akt e përcakton përshkrimin e titullit të zyrtarëve gjyqësorë dhe jep pëlqimin e akteve të organizimit të brendshëm dhe të sistemimit të gjykatave. Në pjesën e punës së prokurorive publike, roli i këtillë është i Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili në pajtim me Ligjin e Prokurorisë Publike i miraton përshkrimet e punëve të brendshme të prokurorive publike dhe është përgjegjës për gjendjet e përgjithshme në lidhje me organizimin dhe kryerjen e funksioneve të prokurorive publike”.

“Duke marrë parasysh se ministri i Drejtësisë miraton Ditarin Gjyqësor pas mendimit pozitiv paraprak të seancës së përgjithshme të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Drejtësisë të qaset në harmonizimin e Ditarit Gjyqësor në pajtim me dispozitat gjuhësore të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve. Ditari Gjyqësor është dokument bazik, me të cilin rregullohet organizimi i brendshëm i gjykatave, mënyra e punës së gjykatave, mbajta e evidencës së lendëve, mbajtja e regjistrave dhe e librave të tjerë, procedimi i dokumentave, i formularëve, i sistemit informatik në gjykata, i incizimit audiovizual të bisedës, si dhe i çështjeve të tjera të natyrës së punës së gjykatave.

“Të gjitha institucionet e drejtësisë t’i harmonizojnë aktet e tyre interne me dispozitat gjuhësore të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve”.

“Të gjitha aktet e institucioneve gjyqësore të cilat publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të publikohen edhe në gjuhët zyrtare në pajim me nenin 17 të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve”.

“Institucionet e drejtësisë, në të cilat palët përdorin shërbim të caktuar nëpërmjet sportelit/ pultit për palët, të kenë kujdes gjatë radhitjes së njerëzve, të cilët kryejnë pranimin e palëve, të kenë njohuri të gjuhëve zyrtare në shkallë të duhur. Sigurimi i informacioneve në ekranet informative dhe tabelat e shpalljeve në institucionet gjyqësore të jenë, gjithashtu, në gjuhët zyrtare. Formularët, të cilët i përdorin palët, të jenë të qasshme në gjuhët zyrtare”.

“Ministria e Kulturës në bashkëpunim me faktorët e tjerë institucionalë, të shohin mundësinë për krijimin e bazës ligjore për dhënien e licencave për lektor në gjuhën shqipe, në pajtim me dhënien paraprake të provimit për lektor të gjuhës përkatëse, sipas shembullit të provimeve për lektor në gjuhën maqedonase”.

CILAT INSTITUCIONE PËRBËJNË GJYQËSORIN?

Në sistemin gjyqësor, sipas Ligjit të Gjykatave, pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjykatat themelore, 4 gjykatat e apelit, Gjykata Administrative, Gjykata e Lartë Administrative dhe Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sektori gjyqësor ka fushëveprim më të gjerë të institucioneve edhe krahas gjykatave, këtu bëjnë pjesë edhe prokuroria publike e organizuar si Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 4 prokurori të larta publike, Prokuroria Publike e Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe të Korrupsionit dhe 22 prokurori publike themelore. Krahas kësaj, këtu bëjnë pjesë edhe Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Akademia e Gjykatësve dhe e Prokurorëve Publikë “Pavel Shatev”, institucionet publike që përfaqësojnë pjesën integrale të sistemit të drejtësisë siç janë: Ministria e Drejtësisë, Avokatura Shtetërore, Drejtoria e Ekzekutimit të Krimeve, Byroja e Ekspertizave Gjyqësore dhe Agjencia e Menaxhimit të Pronës së Konfiskuar. Në këtë fushëveprim më të gjerë të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pjesë e pazëvendësueshme janë Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, noterët, përmbaruesit dhe ndërmjetësuesit.

Leave a comment