Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Mund të luajë deri në moshën 40 vjeçare, zbulohet çelësi i rinisë së dytë të Modric

2BCCB893-1E0E-456B-9DF1-405B8F58ECDC

Vlatko Vucetic është sekreti në hijen e Luka Modric. Trajneri i tij personal nga distanca. “Topi i Artë” bazohet në përvojën e këtij profesori në Fakultetin e Kineziologjisë në Universitetin e Zagrebit dhe kreut të Qendrës Diagnostike Sportive për ta shtrydhur karrierën e tij profesionale në elitë deri në limite.

Vucetic tashmë ka befasuar me mundësinë që kroati të mund të luajë deri në moshën 40-vjeçare, përmes një interviste në mars për “AS”. Sipas rezultateve, metodat e tij funksionojnë. Tashmë kineziologu ka folur për “Jutarnji” mbi momentin e mirë të mesfushorit të Real Madridit:

“Në fillim të lojës ai nuk ishte i shkëlqyer, sepse Chelsea hyri fuqishëm në ndeshje. Më pas luajti 120 minuta të mira. Çelësi i suksesit është se ne e monitorojmë Lukën vazhdimisht, ai është gjithmonë midis 85 dhe 100 për qindëshit. Kjo mund të shihet në faktin se mund të përballojë jo vetëm 90, por edhe 120 minuta lojë me intensitet të lartë.

Forma fizike e lejon atë të jetë një nga lojtarët me më pak dëmtime. Para çdo seance stërvitore dhe ndeshjeje ai bën gjysmë ore ushtrime me një brez. Muskujt e tij bëhen më elastikë, sikur ka susta në të gjithë trupin. Dhe sigurisht, bën gjithmonë rikuperim energjish pas lojës”.

Distanca nuk është problem kur punon me Modric, me të cilin ka gjashtë vite që bashkëpunon. “Të mërkurën në mëngjes i dërgova një plan, siç ia dërgoj çdo ditë. Ishin rekomandime për rikuperimin: rreth njëzet minuta stërvitje kardio, çiklizëm, not ose ecje të lehtë, punë aerobike me një intensitet ngarkese 50-60 për qind”, – shpjegon ai.

Modric nuk u zëvendësua nga Ancelotti dhe në moshën 36-vjeçare u pa si një nga më të freskëtit në fushë, në “Bernabéu”, gjatë kohës shtesë. “Kundër Chelsea, ekonomia e tij e drejtimit mbeti e njëjtë gjatë gjithë lojës. Ai vazhdoi të vraponte me topin në këmbë dhe qendra e gravitetit të trupit të tij ishte në pozicionin e duhur.

Për sa kohë që është reaktiv me topin në këmbë, rreziku i lëndimit është shumë më i ulët. Kur lojtarët fillojnë të ndryshojnë teknikën e lëvizjes, kur rritet përqendrimi i laktatit… ndryshon puna. Kjo vërehet, ndër të tjera, nga pozicioni i këmbëve, trupit… Në fakt u pa te disa lojtarë të martën, të cilëve filluan t’iu ngarkohen muskujt në një kënd krejt tjetër. Në kësi rastesh, rreziku i lëndimit rritet me shpejtësi”, – analizon Vucetic për kohën shtesë.

Një nga sukseset e futbollistit për të zgjatur karrierën e tij është që ta marrë shumë seriozisht rikuperimin pas ndeshjes, edhe pse jo gjithmonë duhet të mbyllësh dyert për të marrë një pushim. “Modric ra në gjumë pas lojës ndoshta shumë pas orës 3 të mëngjesit, që është relativisht herët, duke pasur parasysh fundin e vonë të ndeshjes. Duhet të oksigjenohesh, të heqësh qafe gjërat negative në trup.

Pirja e një ose dy birrave pas një feste mund të jetë diçka positive, sepse një përqindje e ulët e alkoolit të relakson. Birra gjithashtu ka disa përbërës pozitivë. Pas kësaj duhet të flesh pak, të bësh një stërvitje të lehtë për të filluar rigjenerimin metabolik, për të filluar oksigjenimin e gjakut dhe eliminimin e të gjithë metabolitëve negativë, të cilët ishin më të shumtë se zakonisht pas ndeshjes me Chelsea”.

Vucetic i kushton rëndësi të madhe suksesit të kroatit edhe përmes gruas së tij, Vanja Modric: “Ai bën një jetë të rregullt dhe ka një familje të organizuar mirë pas tij. Një rol veçanërisht të rëndësishëm ka edhe gruaja e tij, Vanja Modric. Kur ai shkon në shtëpi, shijon oazin e paqes. Aty, trupi i tij mund të relaksohet plotësisht. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që një lojtar në shtëpi të ketë stabilitet dhe qetësi në mënyrë që të rigjenerojë forcat, të pushojë.

Dhe Vanja ia jep këtë komoditet Lukës. Ajo ia ka kushtuar jetën e saj burrit futbollist. Po flasim këtu për një grua me diplomë në ekonomi, e cila i ka dhënë qetësi në shtëpi, ku Luka mund të shijojë vërtet veten dhe fëmijët, pa qenë nevoja të hallakatet jashtë. Lojtarët që nuk kanë aq stabilitet në shtëpi mbajnë një ngarkesë të madhe mendore, e cila lodh edhe trupin, prandaj veçoj veçanërisht rolin e Vanja Modric”.

Nuk është e vetmja gjë thelbësore për të cilën duhet të kujdeset një lojtar elitar: “Është shumë e rëndësishme që kuzhinieri të jetojë me Modric, sepse ushqimi është një pjesë tmerrësisht e rëndësishme në karrierën e një sportisti elitar. Duhet ta dëgjosh kuzhinierin, në këtë rol duhet të keni një person që mund ta njohë mirë trupin tuaj. Gjithashtu alkooli, ndryshe nga disa lojtarë, konsumohet në sasi vërtet minimale, ndaj mashkulli është jashtëzakonisht i përgjegjshëm në këtë drejtim. Si në bashkëpunimin tonë.

Më thotë rregullisht se çfarë ka bërë dhe kur. Edhe pse ndodh shumë rrallë, ai më thotë: Profesor, nuk mund të bëja asgjë sot… Ndershmëria e plotë është e rëndësishme në marrëdhënien tonë”. Kineziologu kroat e përfundon bisedën e tij me “Jutarnji” duke u shprehur optimist për të ardhmen afatshkurtër të Modric: “Kemi gjashtë vjet që bashkëpunojmë, çka është shumë dhe tregon se sa i gatshëm është ai të punojë.

Modric mund të luajë kështu edhe për dy ose tri vite të tjera. Sigurisht që është vendimtare se si stërvitet. Për sa kohë që jeni të gatshëm të sakrifikoni jetën tuaj private dhe t’i nënshtroheni trajnimit, do të jeni në gjendje të përballoni përpjekje të tilla. Nuk është, sigurisht, e lehtë, është një sakrificë e madhe. Nuk është e lehtë të jesh një sportist elitar dhe të qëndrosh kaq gjatë në majë, të stërvitesh kaq shumë çdo ditë”.

Related Posts

Leave a comment