Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Gjykata e Lartë refuzon rekursin e Llallës për pezullimin e dënimit

Adriatik Llalla

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për pezullimin e dënimit të Adriatik Llallës me 2 vite burg. Ish-kryeprokurori e parashtroi  kërkesën me arsyetimin se vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe se izolimi do i sillte pasoja të rënda për shëndetin.

Avokat i tij Sokol Hazizaj u shpreh se “Gjykata e Apelit në Romë ka pranuar faktet e gjendjes së tij shëndetësore të rënduar dhe ka refuzuar në një farë mënyre kërkesën e autoriteteve shqiptare ekstradim. Italia e njeh gjendjen shëndetësore të rënduar dhe ka pezulluar ekstradimin. Çuditërisht gjykata shqiptare se njeh.”

Ndërsa kreu i SPAK, Arben Kraja tha: “Gjendja shëndetësore e Llallës është e njohur, por nuk është shkak për pezullim. Kjo gjendje ka qenë prej kohësh. Ka kryer funksione të larta dhe nuk është bërë pengesë sëmundja.”

Ndërkohë ka një pikëpyetje se çfarë ndodh me ekstradimin e Llallës nga Italia. Kanë kaluar afatet për ta ekstraduar, por mesa duket vendimi i Apelit të Gjykatës së Romës i ka dhënë mundësi të qëndrojë në Itali sepse pasaporta e tij është e bllokuar nga autoritetet atje.

Ish prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tre episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani.

Në përfundim të gjykimit në shkallët e tjera është vendosur konfiskimi i pasurisë së tij, një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. Ndërkohë Apeli i GJKKO-së, ka përjashtuar ish kryeprokurorin të kryejë funksione publike për 5 vite.

Në prag të marrjes së vendimit të formës së prerë, Llalla mundi të arratisej jashtë vendit, ndërkohë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Itali në dhjetor të vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë Adriatik Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata italiane pas kërkesës së Shqipërisë që kërkon ekstradimin e tij. Llalla është përfaqëson nivelin më të lartë të një funksioniari shteti të hetuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë.

Related Posts

Leave a comment