Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Edicioni i tretë i Festivalit ” Bejkë e Bardhë” sjell në qershor në Pilur qindra artistë e turistë

fest
Intervistë me poetin Kristo Çipa, Drejtor i Festivalit ” Netët e Bejkës së Bardhë”- Pilur
– Zoti Çipa, përmes faqes zyrtare të Festivalit “Netët e Bejkës së bardhë” keni njoftuar zhvillimin e edicionit të tretë të tij nga datat 3 deri në 5 qershor në Pilur. Cilat janë të rejat e pritshme të këtij edicioni?
-Festivali ”Netët e Bejkës bardhë” sivjet zhvillohet për herë të tretë dhe niveli i tij padyshim që do të jetë më i arrirë.
Së pari, në pikëpamjen organizative sivjet do të bëhet dy netë dhe një drekë ( pra të premten, të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në drekë).
Së dyti, sivjet do të kemi të ftuar për të përshëndetur festivalin edhe grupe e asamble jashtë kufijve shtetëror ( nga Kosova, Maqedonia e Veriut, emigracioni dhe diaspora)
Së treti, shpresojmë në pjesmarrjen e një përfaqësuesi nga UNESKO për të asistuar në festival.
Së katërti do të kemi një infrastrukturë skenike më të mirë si dhe kujdes teknik ndaj dekorit, fonisë dhe promovimit të festivalit.
– A ka ndryshime në strukturën dhe programin e edicionit të tretë krahasuar me dy edicionet e para?
-Ndryshimet janë jo vetëm për çka citova më lart por edhe në formën e hapjes së festivalit duke bërë enkas edhe një këngë që do të jetë si lejmotiv i përvitshëm. Përshëndetjet dhe mënyra e performimit të grupeve do të jenë krejt ndryshe, duke i vënë grupet polifonike përballë me të njëjtin zhanër,( pra kur është këngë e vjetër do përformojnë aty, ritet po ashtu dhe tekstet e reja!)
Konkurimi do të ketë brenda edhe promovime të projekteve të reja zhvillimore të infrastrukturës së fshatit, libra të reja dhe përshëndetje nga personalitete të kulturës, autoritete dhe të ftuar nderi.
– Cili ka qenë impakti i dy edicioneve të mëparshme? Sa është ndierë në Pilur dhe më gjerë kjo festë e polifonisë që bashkon krejt trevën e këngës vënçe shqiptare?
– Të dy edicionet e mëparshme krijuan një bazament solid për vazhdimësinë e këtij festivali duke u përkrahur  masivisht  nga polifonët dhe komuniteti. Ky festival ndryshe nga të gjithë festivalet që organizohen për këngën polifonike, në krejt hapsirën shqiptare, ka një statut të hartuar nga specialistë, nga Akademia e shkencave, poetë, intrepretues dhe organizatorë të tij dhe të aprovuar nga këshilli bashkiak i Himarës. Në këtë statut përcaktohet qartazi ruajtja e cilësisë dhe orgjinalitetit të këngës nëpërmjet grupeve burimore dhe performimit të detyrueshëm të një kënge të vjetër të ekspozuar më parë, një riti dhe një kënge të re ne tekst të ri. Po ashtu në përbërje të grupeve medoemos duhet të ketë një element të ri me rol thelbësor. Gjithashtu trajtimi financiar për të gjitha grupet polifonike, fituesit e çmimeve dhe interpretët e dalluar jo vetëm përbën një bazë reale dhe normale por i jep edhe nxitje festivalit.Të gjitha këto dhe vëndi krejt befasues ku organizohet ky event e bëjnë këtë festival mjaft tërheqës dhe shumë tipologjik.
Barra e organizimit është mbi ju dhe Qendrën Bejkë e Bardhë, po mbështetës dhe bashkëorganizatorë të tjerë keni?
– Duke patur eksperiencën e dy edicioneve paraprirës të festivalit dhe një vizion më të qartë për të ardhmen, na lehtësohet pak puna. Por ajo pothuajse është krejt në shpatullat tona. Duke gjetur rastin për t’i falënderuar ne nuk mund të mohojmë mbështetjen e bashkisë Himarë( e cila e mbështet pjesërisht financiarisht) dhe ndihmesën e drejtpërdrejtë të kryetarit të saj zotin Gjergji Goro. Dua të theksoj fort  se ideuesi dhe mbështetësi i vazhdueshëm i këtij festivali, mbetet biri i Labërisë, këngëdashësi, ish drejtori i e Postës Shqiptare dhe sot deputet i parlamentit shqiptar, zoti Laert Duraj.
Në kuadër të shtrirjes dhe zgjerimit të festivalit, synojmë që të kemi bashkëorganizatorë të tjerë, sidomos bashkinë Tepelenë
-Cilat janë pritmënitë dhe të rejat e programit në edicionin e tretë?
– Në këtë festival presim që numri i të rinjve në grupet polifonike të ritet. Niveli artistik të ngrihet më lart dhe kemi prurje të reja nga trashëgimia dhe kulme polifonike të jenë të bollshme. Grupet dhe asamblet përshëndetëse do t’i japin një tjetër ngjyrim këtij festivali. Kulmi i tij do të jetë dita e tretë ku mendohet se do të na përshëndesë me një koncert homazh për Nderin e Kombit Lefter Çipa, Asambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve.
-Mund të thuhet se Festivali po pasuron traditën dhe po rrit kapacitetet e turizmit kulturor në Pilur? Cilat janë shenjat e kësaj të ardhmeje?
– Së pari ky festival po e ruan në mënyrë fanatike këtë traditë mijëravjeçare dhe po krijon premisat më të mira për ta pasuruar atë me interpretë, këngë, rite dhe  melodi e avaze kulmore. Jehona e këtij festivali tashmë i ka kaluar kufijtë gjeografikë të vëndit dhe po tërheq vëmëndjen e organizatave dhe insitucioneve të specializuara botërore drejt kësaj mrekullie botërore.
Turistët në veçanti dhe subjektet turistike në përgjithësi, janë mjaft të interesuar dhe dalëngadalë edhe po dashurohen me këtë kryevepër të njerëzimit duke shtuar numrin e tyre. Të ngjan se mishërohet efekti i dallgës që tërheq në mënyrë të pakuptuar ujin drejt dallgës së radhës. Ata përveç natyrës, ushqimit po shijojnë çdo ditë e më tepër, polifoni. Numri i tyre edhe pse kemi kaluar një pandemi botërore po vjen duke u rritur. Piluri po kthehet në një qendër turistike ku polifonia po bëhet një “meny” gjithnjë e më e kërkuar.
Intervistoi Anisa Muçaj

Related Posts

Leave a comment