Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

TRE KRYEMINISTRA SHQIPTARË NË TRE SHTETE FQINJË

Abazovic-vs-Rama...-650x360-1-600x360

Nga Aleksandër ÇIPA –

Brohoritjet dhe gëzimi folklorik i shqiptarëve në rrjetet sociale për zgjedhjen e ulqinakut Dritan Abazoviç si kryeministër i Malit të Zi, është thjesht një dukje. Shumëkush gëzohet se në tri republika të Ballkanit kemi tri kryeministra shqiptarë.

Matanë kësaj është trishtimi se kemi republika, kemi kryeministra, por jemi në zvarritje. Ecim në mënyrë amebike si shoqëri të ndryshme, në krejt hapësirën tonë, me ndarje të shumta dhe diferenca substanciale.

 Ndryshimi brendashqiptar do të duhej me kohë të ishte platformë e lëvizjes njëjtësuese. Eshtë ndryshim i imponuar dhe i mishëruar për shkak të kohëzgjatjes ndarëse, për shkak të asimetrive të imponuara, për shkak të presioneve dhe rendeve të ndryshme të jetesës sociale, politike dhe antropologjike.

E ashtuquajtura kohë e tranzicionit postkomunist në Shqipëri, nuk është e tillë për shqiptarët në republikën e Kosovës, sikundër jo e tillë edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe natyshëm dhe për shqiptarët e Malit të Zi.

Kjo asimetri e brendshme, strukturore e shoqërive, e administratave dhe sidomos e entiteteve, do të duhej që në krye të herës të orientohej dhe respektonte sendërtimin e një platforme ekstrapolitike shqiptaro-europiane.

Për kujtesë të publikut, një nismë e tillë në fillim të viteve ’90-të, diku në 1991, u refuzua nga  qeverisësi i ri i Shqipërisë, sot një politikan i ndenjur, dhe prej atij momenti për arsye të mosinteresimit dhe të keqmendimit politik u gropos edhe si ide, edhe si projekt, edhe si platformë.

Dritan Abazoviç nuk u bë kryeministër i Malit të Zi si shqiptar, por si qytetar i Malit të zi, i cili e mishëroi karrierën dhe betejën e ngjitjes së vet politike, përmes disa projekteve europianiste dhe prej veprimtari të shkëlqyer të mbrojtjes dhe propagandimit  të të drejtave të njeriut në një shoqëri multietnike.

Brohoritjet apo isot-folklorike me gëzim, për Kryeministrin e tretë shqiptar, nuk janë arsye ndikuese për suksesin e tij. Madje mund të jenë tani e tutje edhe më penguese në konjukturat dhe sidomos marrëdhëniet ndëretnike të vendit fqinj dhe rajonit tonë.

Sidoqoftë, suksesi i madh politik i tij, më shumë se brohoritje folklorike, meritojnë një kujdes dhe maturi inteligjente për ta mbështetur atë në emër të një platforme të re të munguar. Kjo platformë duhet të sendërtohet me kontribut  ndër-rajonal.

Tre kryeministrat shqiptarë në tri republikat e rajonit, (ku gjendet territori më i madh i  hapësirës shqiptare), kanë diversitete të thella, të dëshmuara e të papranuara, të dukshme dhe të padukshme, të dëshiruara dhe të imponuara, të sajuara dhe të shkaktuara.

A ka vullnet dhe  a ekziston mundësia për një strategji politike dhe diplomaci lokale për t’i shndërruar në lehtësi përbashkimi dhe përfitimi?! Kjo është çështja.

Projektet e deritanishme bashkuese në një perimetër më të gjerë, janë  dhe kanë qenë të atakuara, sikundër këmbëngulet për t’i vazhduar në anshmëri.

 Por sa të ndryshëm do të jenë kryeministrat tanë shqiptarë?!?

Historia e gati tri viteve të fundit dëshmon qartazi se të tre shqiptarët kryeministra, janë në raporte të ndryshme mes tyre si t  jenë njeri malazez, njeri kosovar dhe tjetri shqiptar ( i Shqipërisë)…

Qasja e re për një platformë, strategji dhe sidomos, strukturë përbashkuese, jo për qëllime nacionalizmi, por për përfaqësim dinjitoz qeverisjeje në këtë hartë të vogël republikash të rajonit është domosdoshmëri. Kushdo që del kundër dhe i bën shërbim diversitetit ndarës e paragjykues është pjesë e një skalioni antikombëtar dhe antiintegrues. Në këtë mënyrë dimensionohen sipas një strukture solide kapacitetet dhe mundësitë e qytetarisë dhe mundësisë administrative të shqiptarëve në raport me veten, në raport me rajonin dhe sidomos në raport me Europën. Qasjet e përkundërta, janë kundër interesit dhe sidomos kundër kauzës më europianiste të shqiptarëve.

Duatrokitjet folklorike për tre kryeministra shqiptarë, janë më ndarëse se sa një takim i gjashtë kryeministrave, mes të cilëve tre shqiptarë, kur mbeten vetëm folklorike dhe kanë gjuhë të ndryshme mes palëve brenda republikave të tyre të vogla.

Kryeministri Abazoviç shkëlqeu në ngjitjen politike të tij në Malin e Zi, duke qenë malazezi europianist, shqiptari militant i të drejtave të pakicave dhe barazisë dhe ballkanasi që mishëroi sharmin politik të europianit. Ndryshe u ngjit Edi Rama në majën e politikës së Shqipërisë dhe po aq më ndryshe, Albin Kurti në Prishtinë.

Të ndryshëm për t’u takuar në një investim matanë shqiptarëve, por të mjaftueshëm për të kontribuar si rasti entuziast i një mundësie që njerëzia dhe Zoti në dakordësi e krijojnë një herë , të paktën në një shekull.

Në respekt të këtij rasti duhet të përbashkojnë ndërgjegjen dhe të sendërtojnë strategjinë, nuk ka rëndësi  itinerari për seicilin. Të tre janë kryeministra, por jo vetëm për shqiptarët. Ata duhet të duhen me njeri tjetrin si vëllezër dhe si të tillë të ndihen dhe me të tjerët, sepse kanë mandat dhe prej tyre.

 © Copyright: Arberia News.net

 THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “Arbërianews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Arbëria News.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës  i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.

 

Leave a comment