Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Klasë politike mizore

ram-beri-e1650536508438

Nga Enver ROBELLI-

A e ka thyer Shqipëria embargon e OKB-së kundër Jugosllavisë së cunguar? Raporte të besueshme të OKB-së pohojnë një gjë të tillë. Ndonëse asnjë raport ndërkombëtar nuk e potencon se kjo kontrabandë mund të ketë pasur efekt vendimtar në luftën serbomadhe ndaj popujve të tjerë të Ballkanit. Në atë kohë (vitet 90-të) Shqipërinë e ka qeverisur Sali Berisha. Qeveria e Shqipërisë ka dështuar në bllokimin e aktiviteteve kontrabanduese. A kanë qenë vendimtare për gjenocidin serb disa fuçi me naftë të kontrabanduara përmes Bunës në Mal të Zi? Nuk kanë qenë! Derivate të naftës janë kontrabanduar edhe nga shtete të tjera të rajonit drejt Serbisë dhe tutje në Bosnjë (në pjesën e kontrolluar nga serbët).

Në fushatën e tyre kundër Sali Berishës, socialistët e Edi Ramës duan të krijojnë përshtypjen se pa naftën shqiptare tanket e Ratko Mlladiqit nuk do të ishin nisur drejt Srebrenicës. Kjo është marrëzi e madhe. Është poshtërsi. Është e pavërtetë. Është politikë e verbër që nuk ngurron të njollosë shtetin shqiptar vetëm e vetëm për të goditur Berishën.

Sjellja e socialistëve tregon se ata për të luftuar Berishën janë në gjendje ta bëjnë edhe Shqipërinë bashkëpërgjegjëse për krimet serbe në Srebrenicë. Kjo qasje tregon se deri ku ka arritur budallallëku në politikën shqiptare. Deri ku ka arritur mizoria. Papërgjegjësia.

Ka shumë çështje për të cilat edhe Berisha do të duhej të përgjigjej. Meqë Shqipëria s’ka krijuar sistem drejtësie, çdo gjë politizohet deri në çmendi. Dhe masakrohet me beteja të ulëta politike si kjo e sotme në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në emër të luftimit të Berishës luftohet Shqipëria. Dhe për interesa të tij edhe Berisha nuk i përton asnjë poshtërsie parlamentare. Siç nuk i përtojnë as pseudosocialistët që duan ta rishkruajnë historinë e Jugosllavisë duke e quajtur “rrëmujë” – dhe jo me emrin e vërtetë: agresion serbomadh kundër 4 popujve.

Kjo klasë politike në Tiranë është mizore. As më pak, as më shumë. Turp i madh i Shqipërisë. Dhe ky turp do të vazhdojë për aq sa nuk rebelohet krenaria qytetare shqiptare kundër kësaj kaste kusarësh.

Leave a comment