Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Zhapaj: Shqipëria po përgatit një elitë studentësh për t’i dërguar jashtë vendit

E190173E-4FF6-493C-88EB-9BC324ECC84C

Eksperti i arsimit, Albano Zhapaj, ish-këshilltar në Ministrinë e Arsimit thotë se studentët shqiptarë po e përdorin arsimin e lartë si trampolinë për të emigruar. Zhapaj ngre dyshime edhe sa i përket caktimit të 17 tetorit si datë për fillimin e vitit të ri akademik, që sipas tij mund të jetë vendosur për ndarjen e “tortës”, ku të përfitojnë fillimisht universitetet private.

Lidhur me datën, Zhapaj u shpreh: “Sivjet është shumë i vonuar, në vitet e tjera në 1 tetor, maksimumi 3 tetor fillonte viti i ri akademik. Nuk e di me çfarë justifikimi dhe argumentimi! Në vitin 2012, 48 mijë studentë kanë filluar shkollën në 1 tetor, tani kemi 21 mijë maturantë! A duan t’i lodhën, a duan të ikin?! Ka diçka që luhet mbrapa fasadave. Rrjeti që merret me shpërndarjen e studentëve është një agjensi shumë e dyshimte ajo. Kur është konstatuar edhe nga KLSH, atëherë çfarë presim ne sot. Ne presim të kalojë pak kohë që universitetet private të ndajnë atë plaçkë, studentët shqiptarë. Shikoj dritë-hije jo të qarta”.

Zhapaj tha se Shqipëria po përgatit një elitë studentësh për t’i dërguar jashtë vendit, pasi ata kanë humbur shpresën mbi perspektivën në vendin tonë. “Në një vend ku ka zhvillim, të rinjtë shkojnë në degët që shkojnë në funksion të zhvillimit. Disa vjet më parë unë kam deklaruar se tashmë janë të rinjtë që emigrojnë në mënyrë inteligjente, ose përmes aplikimit për studime, ku pas përfundimit të studimeve e kanë të lehtë të aplikojnë për viza pune dhe leje qëndrime. Diploma e inxhinierisë dhe IT në kontekstin e sotëm është shumë e kërkuar nga shumë kompani, sepse jemi në epokën e teknologjisë. Të gjitha këto kërkesa kanë në thelb jo punësimin në Shqipëri, por duan të bëjnë një shkollë dhe pastaj të bëjnë masterin jashtë shtetit, ose të fillojnë punë. Ne po përgatitim një elitë studentësh për t’i çuar jashtë. Dega e Infermierisë është e mbingopur, e mbingarkuar edhe këtë vit, sepse Gjermania dhe vendet nordike kërkojnë mjekë. Unë kam dyshimet e mia që drejtori i Rrjetit Akademik shqiptar thotë të vërtetën. Madje kam dyshime që edhe ministrja e Arsimit, ose po e gënjejnë, burokratët e vjetër e manipulojnë procesin sa të ndajnë tortën e studentëve. Largimet nga vendi të të rinjve nuk lidhen direkt me cilësinë e arsimit. Arsimi po përdoret si trampolinë për të emigruar. Emigrojnë me një diplomë në xhep. Është një trampolinë universiteti këtu, jo një lokomotivë. Fakti që ky emigrim është kaq masiv është edhe humbja e shpresës. Studentët, apo të rinjtë dhe të rejat nuk e shikojnë veten të punësuar. Shikojnë si punësohen shokët e tyre më të dobët, ata që në fund të shtatorit duhet të japin provime shtesë, punojnë në administratën publike”.

Zhapaj u shpreh se duke përjashtuar një 10 për qindsh, pjesa dërrmuese e universiteteve private janë jashtë kontrollit dhe nuk kanë sistem për matjen cilësisë. “Universitetet private s’kanë një sistem për kontrollin e cilësisë. Agjencia që kemi ne merret me formën, kërkon në formë shkresore. Nuk kemi sondazhe siç kemi parë njëherë e një kohë. Edhe universitetet publike lënë për të dëshiruar, por kanë disa mekanizma. Ndërsa në universitet private, hiq një 10 për qindsh që janë brenda normave, universitetet e tjera janë jashtë kontrollit s ai përket mësimdhënies dhe cilësisë. Për mua universiteti privat është jashtë kontrollit. Sa i përket çmimeve, jam i bindur që pjesa dërrmuese të familjeve shqiptare s’ua mban xhepi të studiojnë në universitete private, por për të mos i lënë fëmijët të rrinë rrugët ose të ikin jashtë shtetit, detyrohen të marrin edhe kredira. Kjo qeveri s’ka bërë asgjë të mirë të arsimit”.

 

Leave a comment