Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Bashkëpunimi hapësinor mes Rusisë dhe Iranit shqetëson Perëndimin

-640-0-07185e31340d6534dbdc4a536e77cbd3

Më 9 gusht Rusia lëshoi me sukses një satelit iranian në hapësirë, një veprim që ngriti shqetësime në Perëndim. Zyrtarët amerikanë i druhen faktit se sateliti mund të përdoret nga Moska për të rritur kapacitetet e saj të inteligjencës në Ukrainë, të cilën ajo e pushtoi në shkurt.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se sateliti do t’i sigurojë Iranit “aftësi të paprecedent” për të monitoruar objektivat e mundshëm ushtarakë në Izrael, armikun e tij të betuar dhe në vende të tjera në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme.

Teherani i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se Irani do të ketë kontroll të plotë mbi satelitin “që nga dita e parë”. Irani ka thënë se sateliti skanues do të përdoret vetëm për qëllime civile, përfshirë monitorimin e zonave kufitare, vëzhgimin e burimeve ujore dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Lëshimi në hapësirë i satelitit është treguesi më e fundit i thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Iranit dhe Rusisë. Kjo u bë vetëm disa javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi Teheranin, ku ai dhe lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, u zotuan të punojnë së bashku kundër Perëndimit.

Të dy vendet janë goditur nga sanksionet perëndimore dhe izolimi ndërkombëtar. Kreu i korporatës shtetërore ruse të hapësirës “Roskosmos”, Yuri Borisov, e përshëndeti nismën si një “pikë referimi e rëndësishme” në bashkëpunimin ndërmjet Moskës dhe Teheranit.

Ministri iranian i Telekomunikacionit, Issa Zarepour, i cili mori pjesë në lëshimin e satelitit në Kazakistan, e vlerësoi atë si një ngjarje “historike” dhe “një pikë kthese” në bashkëpunimin hapësinor mes dy vendeve.

Lëshimi i satelitit ka vënë gjithashtu në qendër të vëmendjes programin hapësinor të Iranit. Në vitet e fundit, Teherani ka lëshuar disa satelitë në orbitën e ulët të Tokës dhe ka bërë të ditura planet për të dërguar astronautë në hapësirë. Por, Irani është përballur gjithashtu me një sërë aksidentesh dhe lëshime të dështuara satelitore në vitet e fundit.

Leave a comment