Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

BANKA TË ZBRAZËTA

10346187_645977632175336_5673477536431889893_n
Nga Besim Hoxha
Ora e mësimit sapo ka filluar por, për dallim prej ditëve tjera, mendja ime nuk është e përqëndruar në ligjërimin e pastër të profesorit, ashtu si herave tjera kur mësimet nga lënda e kulturës letrare dhe gjuhësore i prisja me padurim.
Sot shikimi im endet sa nga rreshti i bankave pranë derës, sa nga rreshti i bankave pranë dritareve të larta tre-katër metra larg rrugës dhe murit rrethues me grilat e rrethojës sipër, sa nga bankat e mesit.
Në rreshtin e bankave afër derës, nga viti i kaluar është bosh vendi ku ulej shoku ynë i klasës R.K..
Në rreshtin e bankave pranë dritareve, aty ku është edhe tavolina dhe ndenjësa ku ulen profesorët sipas rendit të orëve, në bankën e dytë është i zbrazët vendi i shokut tim të ngushtë E.B. prej gati katër muajsh. Edhe ai këtë vit, ashtu sikurse vitin e kaluar R., ishte arratisur në Shqiperi.
Dy muaj qëndrimi atje, pastaj një muaj burgu në Kosovë. Kjo siç dukej ishte një rregullë e pashkruar në raste të tilla.
Tash e një muaj e kishin burgosur edhe një shoqe nga bankat e mesit, për “veprimtari armiqësore”.
Mirëpo, sot vendet e zbrazëta ishin shtuar edhe më shumë, po i afroheshin gati çerekut të karrigeve në klasë.
Sot në klasë mungonin: S.B., N.H.,R.B., H.H., F.SH. Paradite i kishin arrestuar në stadiumin e qytetit buzë Lumbardhit, pasi e kishin përcjellur me fishkëllima hyrjen e stafetës së rinisë në stadium, dhe kishin veshur bluzat kuq e zi atë ditë.
Josip Broz Tito kishte tri vjet që kishte vdekur, por ngarendja e stafetës kryq e tërthor Jugosllavisë vazhdonte ende me muaj deri më 25 maj, në ditën e lindjes së tij.
Vitin e kaluar burgoseshin të rinjtë, që në pëvjetorin e demostratave të 81-ës, bartnin plisa të bardhë, këtë vit i prangosnin për veshjet kuq e zi.
Ky fat do të më priste edhe mua, pasi të hënën e kisha marr bluzën kuq e zi të vllaut tim, por nuk isha i sigurtë nëse kisha harruar në momentin e fundit ta shtija në valixhen e rrobave para nisjes në qytet, apo nëna ma kishte hequr nga valixhja duke parandier rrezikun që më priste?!
(fragment)

Leave a comment