Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

“Bloomberg” jep alarmin: Kujdes nga “sipërmarrësit mafiozë” të Italisë

-640-0-1663584017xcaptureeepng-925 (1)

Nga Rachel Sanderson “Bloomberg”

Kriza ekonomike dhe ajo sociale, që po nxit mbështetjen për të djathtën ekstreme në Itali përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 shtatorit, po e bën ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës të cënueshme ndaj infiltrimit edhe më të madh nga krimi i organizuar.

Gjatë një fjalim të mbajtur në muajin maj, një nga të fundit para rënies së qeverisë së tij, kryeministri në detyrë, Mario Draghi, paralajmëroi se krimi i organizuar kishte “marrë forma të reja, por po aq të frikshme”. Përtej dhunës dhe kërcënimit të tij, krimi i organizuar ka depërtuar në bordet drejtuese të kompanive theksoi ai.

“Ata janë infiltruar shumë në strukturën ekonomike, nga sektori i pasurive të paluajtshme deri te zinxhirët e furnizimit me shumicë”- theksoi Draghi. Duke synuar si gjithnjë fitime të majme dhe pushtet, krimi i organizuar – nga Cosa Nostra në Sicili, Camorra në Napoli dhe Ndrangheta në Kalabri – i ka shtrirë tentakulat e tij nga jugu deri në veriun e pasur industrial të Italisë.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, grupet kriminale në Itali kontrollojnë rreth 9 për qind të ekonomisë së këtij vendi. Shqetësimi më i madh i Draghit ishte rreziku që i kanoset 260 miliardë eurove në formën e fondeve të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia, që do të japë Bashkimi Evropian për Italinë deri në vitin 2026.

Ndërsa mafiozët gjetën mënyra të reja për të fituar para gjatë pandemisë – duke u përqendruar në prodhimin e maskave dhe tek shërbimet funerale – fondet e majme të BE-së ofrojnë një objektiv të ri. Ndërsa Evropa po përballet me dimrin e zymtë të një krize të ndërlidhur ekonomike dhe energjitike, zyrtarët e policisë dhe ekspertët mbi krimin e organizuar, po lëshojnë një alarm të ri për grupet mafioze që blejnë biznese që janë në rrezik falimentimi.

Ky fenomen është një problem në të gjithë Evropën Jugore. Por Italia është më e rrezikuar sepse kompanitë e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 80 për qind të ekonomisë. Pronësia e biznesit në duart e mafias është një skenar makthi, që do të minonte ekonominë legjitime, duke e shtrembëruar konkurrencën, sundimin e ligjit dhe strukturën sociale.

Ç’është më e keqja, diçka e tillë po ndodh tashmë. Komisioneri i policisë së Milanos, Giuseppe Petronzi, paralajmëroi kohët e fundit mbi “një operacion ushtarak” nga mafia e Italisë Jugore për të depërtuar në veri të vendit, që është njëherazi një nga rajonet më të pasura të Evropës.

Të dhënat më të fundit, sugjerojnë se ky nuk është një ekzagjerim. Të dhënat më të fundit të disponueshme, sipas Vittorio Rizzi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i sigurisë publike të vendit, tregojnë se midis marsit 2020 dhe shkurtit 2021, Italia përjetoi një rritje prej 9.7 për qind të numrin e kompanive të hetuara nga policia financiare për shkak të aktivitetit të dyshuar mafioz.

Grupi kërkimor me seli në Romë, Demoskopika, vlerëson se pas krizës ekonomike të imponuar nga Covid-19, rreth 4.500 kompani ishin në rrezik të infiltrimit të mafias, sidomos ato në turizëm dhe tek restorantet dhe baret. Rreziku me të cilin Italia tani përballet, është një përhapje të asaj që Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin e quan “sipërmarrësi mafioz”.

Italia ishte vendi i parë, ku u identifikua ky rol më shumë se një dekadë më parë. “Sipërmarrësi mafioz” përfshin zakonisht një pjesëtar të një grupi të krimit të organizuar – me identitet të fshehur në një kompani guaskë – që blen në fillim pakicën e aksioneve në më pas vendos nën kontroll një biznes legjitim.

Kohët e fundit unë e pyeta Michele Riçardin, zëvendësdrejtor dhe studiues në “Transcrime”, një qendër kërkimore në Milano mbi krimin transnacional, se sa serioz mund të jetë depërtimi i mafies në biznesin italian. “Unë nuk mund ta imagjinoj të jetë më keq se sa është sot”- u përgjigj ai i mërzitur.

Kostoja e kësaj bie mbi të gjithë vendin, pasi mosfunksionimi i krijuar nga mafia mund të ulë ndjeshëm rritjen e PBB-së për frymë, sipas një studimi të botuar në gusht nga 3 ekonomistë të njohur të Bankës së Italisë. Po si mund të shmanget depërtimi më i thellë i krimit të organizuar në ekonominë legjitime?

Këtu mund të ndihmojnë të dhënat e mëdha (Big data). “Transcrime” nënshkroi kohët e fundit një marrëveshje 3-vjeçare me autoritetet e krimit ekonomik në Lombardi, rajoni përreth Milanos, për të përdorur të dhënat e mëdha për gjurmimin e aplikimeve anormale për financimin pas pandemisë, dhe mbi gjërat e pazakonta në strukturën e blerësve të kompanive.

Në shpresojmë që një analizë  më e mirë-orientuar do të funksionojë më shpejt sesa kriminelët mund të vendosin veten brenda sistemit të korporatës. Dhe ndërprerja e përfshirjes njerëzore mund të kapërcejë edhe disa pengesa të tjera për zbulimin e tyre, siç është frika.

Një sipërmarrës vendas në rajonin e Venetos me të cilin bisedova, më tha se një numër i madh kompanish firmash të vogla në pronësi familje kanë dalë në shitje që nga fillimi i pandemisë. “Ne e dimë se kush po shet, por nuk e kemi idenë se kush po blen. Dhe ndonjëherë është më mirë të merresh me biznesin tënd dhe të mos pyesësh”- tha ai, duke kërkuar që të mos i përmendet emri.

Draghi bëri thirrje për vigjilencën e komunitetit për të mbrojtur ekonominë legjitime. Një thirrje e tillë është për t’u lavdëruar. Por kriza e afërt energjetike e Evropës mund të thellojë ndarjet sociale, duke krijuar llojin e të çarave, që mund të krijojnë hapësirë veprimi për krimin e organizuar.

Enrico Letta, udhëheqës i Partisë Demokratike, e cila renditet në sondazhe e dyta pas partisë Vëllezërit Italianë të ekstremit të djathtë të Giorgia Melonit, ka paralajmëruar shpërthimin këtë dimër që po vjen të një “krize sociale dhe ekonomike”.

Dhe ajo vetëm sa do të çojë akoma më shumë kompani në prag të falimentimit. Për më tepër, fushata elektorale e Melonit po ngjall frikën e një degradimit të frikshëm të rendit publik dhe zbatimit të ligjit. Po ashtu, një nga aleatët e Melonit, manjati Silvio Berlusconi, i ka kaluar 2 dekadat e fundit duke mohuar akuzat për lidhje me mafian.

Draghi cilësohet gjerësisht si njeriu që i solli stabilitet Italisë këtë 1 vit e gjysmë qeverisje. Ringjallja e shqetësimit mbi sundimin e ligjit, do t’i bëjë edhe më nguruese kompanitë e huaja për të investuar në një ekonomi të plogësht dhe të mbytur në borxhe. Dhe kjo situatë mund ta lërë Italinë më të ekspozuar ndaj infiltrimit të krimit të organizuar në strukturën e industrisë dhe të shoqërisë së saj.

Related Posts

Leave a comment