Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

QEVERIA MELONI: ATO PIKA THEMELORE

308807467_1244646626325369_354449292434263546_n
Nga ANTONIO POLITO
Italianët kanë vendosur t’i japin besim Xhorxha Melonit, apo janë zbuluar papritmas të së djathtës skajore (“far right”, siç shkruan Washington Post)? A na presin kohë me uniforma shajaku, apo në rastin më të mirë ala Orbán? Apo demokracia e jonë është mjaft e qëndrueshme sa t’i lejojë votuesve të zgjedhin qeverinë që duan pa rrezikuar hapa në tym apo mbrapa në histori?
Për t’i u përgjigjur këtyre pyetjeve, që shqetësojnë shumë italianë dhe ndezin shtypin e huaj, duhet para së gjithash të pyesim kush janë zgjedhësit që kanë votuar për herë të parë Xhorxha Melonin (shumë, po të mbajmë parasysh se tetë vite më parë mori vetëm 4,3 %). Bëhet fjalë në pjesën më të madhe të valëve simbas përimtimeve të rrjedhjeve, për vota t’ardhura nga Lega apo Pesë Yjet. Nuk mund të përjashtohet që shumë prej tyre të kenë votuar Rencin në Evropianet e vitit 2014. Secili nga sukseset zgjedhore që tashmë përsëriten në seri, për t’u shfryrë më pas me po të njëjtën shpejtësi, shënon një zhvendosje të një mase votash që prej kohësh është duke dihatur në kërkim të një shpëtimtari t’atdheut, të një krijuesi që mund të na bëjë të dalim nga shtjella e rënies nga e cila jemi mbështjellur. Bëhet fjalë për italianë tashmë të shkëputur nga çdo kushtëzim ideologjik, të zhgënjyer e të zvjerdhur, politikisht të shpenguar, jo saktësisht të djathtë as përkatësisht të majtë. Shpesh i kemi përcaktuar “populistë”.
Deri tani këto pështjellime kanë prodhuar, më shumë se sa rreziqe për demokracinë apo tundime autoritare, kaos dhe paqëndrueshmëri politike. Në dy votime rradhas, më 2013 e më 2018, kutitë e votimit nuk i kanë dhënë shumicën asnjë lidhjeje zgjedhore; për pasojë, në dhjetë vitet e fundit, janë shfaqur qeveri frute të marrëveshjeve parlamentare, shpesh të drejtuar nga personalitete të cilët as që kishin marrë pjesë në votimet.
Edhe se bëhet fjalë për një flegër të dobishme sigurie në regjimin tonë parlamentar, sepse e aftë të shmangë zbrazëti pushteti kur sistemi bllokohet, është e qartë se një demokraci është më e fuqishme nëse qarku zgjedhës-Parlament funksionon, e i jep jetë shumicave të puthura nga miratimi i kutive të votimit. Pra, nga kjo pikpamje, nuk mund të thuhet se përfundimi i zgjedhjeve të së dielës përbën një mbrapakthim. Përkundrazi. Udhëheqësja e opozitës ka fituar e do të shkojë në qeveri. Dikush ka shkruar se kësaj i shërben demokracia: shkëmbimit të klasëve drejtuese pa derdhje gjaku.
Një rend i dytë i problemeve dhe shqetësimeve rrjedhin nga personaliteti dhe historia politike e fitueses. Qartësisht e së djathtës; madje të një të djathte me prejardhje nga Lëvizja shoqërore italiane, kombëtariste e nativiste. Simbas një studimi të Luiss, duke mbledhur votat e Melonit me ato të Salvinit arrihet rezultati më i mirë zgjedhor i së djathtës në historinë e Evropës perëndimore. Pra është i kuptueshëm shqetësimi i Vëndeve tona partnere, të cilat luftojnë për ditë në shtëpinë e tyre për të shmangur një përfundim të këtillë. Gjithashtu sigurisht kryeministreja e mundëshme e ardhëshme ka për detyrë për të shkrirë një droçkë armiqësish që përndryshe do të dëmtonte Italinë, përveç asaj vetë.
A mund të thuhet se Xhorxha Meloni është e vetëdijshme? Disa tregues na thonë se po. Nuk bëhet fjalë vetëm për premtimin e “qeverisjes për të gjithë”, për “të bashkuar Italinë”, të deklaruara mbas suksesit. Që në fushatën zgjedhore fjala e saj kyçe ka qënë “përgjegjshmëria”. Ka dhënë këshilla mbi tri pikat themelore për qeverinë e ardhëshme: lufta n’Ukrainë, kriza energjitike, disiplina e bilancit. Mbi të gjitha këto mund të thuhet se ka përqafuar rendin e ditës Dragi, duke mbështetur edhe nga opozita qeverinë, si mbi sanksionet e armët për Ukrainën, si mbi betejën n’Evropë për çatinë e çmimit të gazit, si për kundërshtinë ndaj borxhmarrjes së nxituar të Vëndit. Tani ka një mandat të qartë për t’u mbajtur në këto tre pika. Për të vërtetuar maturinë me të cilën deri tani ka kufizuar propozimet zgjedhore më shpërthyese të aleatëve për bilancin publik, mjaft të mendohet për flat tax.
Natyrisht prova e kremës është në të ngrënit e saj. E vështira për Xhorxha Melonin fillon tani. Nuk ka pothuaj asnjë përvojë qeverie, dhe nuk e ka as klasa drejtuese e një partie të mësuar (apo të shtrënguar) prej kohësh në opozitë. Duhet t’a kuptojë shpejt se Brukseli është më pranë nesh se sa Washingtoni, e që Berlini e Parisi janë aleatë të çmuar, sigurisht më shumë se sa Varshava dhe Budapesti.
Por suksesi relativ zgjedhor i Berluskonit, që do të mundet kështu t’i veshë vetes përfaqësinë e të moderuarve në shumicën e ardhëshme, dhe humbja e padiskutueshme e Salvinit, që pakëson vendosmërisht për të ose për pasardhësin e tij hapësirat e manevrës, do të duhej t’i siguronin një dritare mundësish për një apo dy vjet, në të cilët do të tregonte se din të marrë në dorë frenat e qeverisë e të shquajë interesat reale kombëtare të Italisë.
Mbetet së fundi çështja e brishtë e të drejtave e të lirive që është mirë të mos nënvlerësohet. Në të gjithë botën, edhe n’Evropë, jemi të pranishëm në orvajtje për t’i kufizuar të dyja. E djathta italiane është sigurisht tradicionaliste dhe konservatore në lëndët si familja, aborti, mëmësia , gjinia. Por ndërsa këtu jemi në fushën e zgjedhjeve të ligjëshme politike, çdo shpresë për t’u kthyer mbrapa në fitoret qytetare të një Vëndi bashkëkohor e të lirë siç është i yni, do t’ishte aq e papërshtatëshme sa që të bëjë të besohet që një drejtues i zgjuar as që do t’i a hynte t’a provonte. Tjetër çështje është zgjerimi i mundshëm i sferës së të ashtuquajturave të drejta: mbi të cilat shprehet sovranisht Parlamenti, simbas lojës klasike të dialektikës e të ballafaqimit.
Me gjithë respektin për kryeministren franceze, Elisabeth Borne, që don të “vigjëlojë” mbi këto tema, besojmë se mund t’i themi se Italia është në gjëndje të vigjëlojë vetë. Demokracia e jonë është herë herë rrëmujëmadhe por e qëndrueshme, dhe zotërojmë të gjitha siguritë e një shteti të së drejtës. Një Parlament të lirë, në të cilin veprojnë tre grupe të ndryshme e luftarakë të opozitës, një president i Republikës që siguron respektin e Traktateve e konventave ndërkombëtare, një gjykatës ligjesh që vërteton kushtetueshmërinë, një rrahje e gjallë mendimesh publike e një sistem mediatik veprues e demokratik.
Megjithatë tashmë jetojmë, ashtu sikurse të gjithë Vëndet e tjera, në një arenë publike gjithevropiane. Të tjerët na gjykojnë ashtu sikurse dhe ne gjykojmë të tjerët. I leverdis të gjithëve që ai gjykim të jetë apo të bëhet pozitiv.
“Corriere della Sera”, 26 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika

Related Posts

Leave a comment