Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

REALIZMI SOCIALIST

310507360_196590939424862_3827757160343434359_n

Visar Zhiti

Për Realizmin Socialist ka shmangie dhe druajtje, por ai duhet ditur si vetë diktatura, por të vjen keq që ka dhe nostalgji dinake, dhe kthim shqetësues të vëmendjes profesoriale ndaj tij. Realizmi socialist nuk ishte realiteti socialist, ishte një mbulim i tij deri në faj, metodë letrare e panatyrshme për letërsinë si e tillë, ishte trysni ideologjike, këmishë e hekurt, propagandë me një si ndriçim torturues në klinika psikiatrie, projektorë festivë mbi telat me gjemba. Realizmi socialist dhe si ideal, ishte i pashpirt, i pajetë, mekanik, që shkërbente një realitet të paqenë. Ku vërtet mekanizmat çmoheshin më shumë se njeriu. Njeriu i ri duhej të jepte jetën për pasurinë socialiste, të askujt, që konkretisht mund të ishte betoni i një dige, shinat e trenit, shtyllat telefonike, që përçonin fjalën e partisë, ishte vetë tesera e partisë së punës, kur punohej jo për të jetuar më mirë, por jetohej thjeshtë për të punuar më shumë. Donin të arrinin një fund, duke e mohuar atë vazhdimisht. Deri në rraskapitje, jo vetëm fizike, por edhe mendore e shpirtërore. Po kishte dhe shmangie, jo si e profesorit tuaj tani, por për të bërë një poezi të vërtetë, një tregim real, një dramë për dramat e jetës, një roman që të qëndronte më përtej, duke iu larguar Realizmit Socialist, por ai zgjaste kthetrat e shtetit të vet për të gllabëruar libra dhe autorë bashkë. Sistemi nuk lejonte të dilje i gjithë ose do të flakte të gjithin atje, nën tokë. Në burg, pa besueshëm, mbruhej fshehurazi me baltë dhe gjak, dhe eshtra të thyera dhe letërsi, që pasi doli dhe e njohëm, unë e quajta “Realizmi i Dënuar”. Atje do të gjeni shkrimtarin e romanit të parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj, edhe tragjedianin e parë, i nivelit europian, Et’hem Haxhiademi bashkë me dramaturgun Kristo Floqi, shkrimtaren e parë grua, Musine Kokalari dhe mësueset e para, motrat Qiriazi, autorin e librit të parë me kritika, i shkrimtarit themeltar Mitrush Kuteli, drejtorin e parë të Radio Tiranës, gazetarin dhe përkthyesin, Gjergj Bubani, esperantistin e parë, Dom Lazer Shantoja, në harrim dhe kompozitorin e parë të operës shqiptare Lec Kurti, të simfonisë së parë Atë Martin Gjoka, madje dhe ai i operës së parë në socializëm, Prenk Jakova, do të arrestohej dhe do të përfundonte me vetëvrasje. Shqipëria po vriste të parët e saj. Dhe do të vazhdonte. Nën burg do të ishin autori i soneteve të ferrit shqiptar, Arshi Pipa, i romaneve bashkëkohore, Astrit Delvina dhe Kasasëm Trebeshina, por edhe përkthyesit homerikë, danteskë, të Shah-Namesë deri dhe te hermetikët modernë të poezisë europiane. Do të arratiseshin, duke i dënuar të mos jenë dhe në letërsinë shqipe themeltari Ernest Koliqi, Martin Camaj e Bilal Xhaferri. Dhe do të pushkatonte poetë të rinj, të mirë si më të mirët e disidentëve kudo në botë me këtë fat, Trifon Xhagjika e Vilson Bllomshi e do të varin në fund poetin Havzi Nelaj. Dhe erdhi fundi…

Related Posts

Leave a comment