Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

S’bëhet shtet me “hiq mësues e shto policë”!

FB9BCCEA-5528-4BAD-9108-83D95F6E89E7

Nga Albano ZHAPAJ

Kuptimi i zhvillimit të arsimit shqiptar është i rëndësishëm, për të mos thënë jetik, në kuptimin dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar, pasi paraqet pikën fillestare të analizimit të ndikimit të keqmenaxhimit të sistemit arsimor në shndërrimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët, përgjatë një shekulli e ca, vazhdimisht kanë kultivuar arsimin si një instrument të vetëdijes kombëtare.

Motoja e qeverisë në detyrë “Po bëjmë shtet”, nëpërmjet reduktimit të numrit të mësuesve dhe rritjes të tejskajshme të numrit të policëve, është prapësia më e madhe që mund të bëjë një qeveri, në rast se e bën me qëllim jetë zgjatjes së pushtetit të saj, por është marri akoma edhe më e madhe që mund ta bëjnë vetëm njerëz të pa arsimuar, në qoftë se e bëjnë nga padituria. Gjithsesi e paçin menduar, ky është treguesi më i qartë i dashakeqësisë së mirëqenies dhe mbarëvajtjes së një shoqërie.

Filozofi i lashtë Platon, kur fliste për qytetarin, njeriun social, thoshte se “njeriu është një kafshë e zbutur, të cilës po t`i japësh arsimin e duhur e shndërron në një qenie hyjnore, ndërsa po e le pa arsim shndërrohet në kafshën më të egër mbi tokë”.

Tek libri “Republika”, i lashti Platon dikton se qeveria me ligjet e saj duhet të forcojë arsimin me një qëllim të vetëm , të formojë njerëz virtuozë, të dhuntuar me dituri dhe drejtësi , në mënyrë që të bëhen qytetarë perfektë, të cilët do të jenë të aftë dhe të sundojnë por edhe te sundohen drejt.

Siç shihet leksionet e një republike na vijnë nga shumë larg, dhe janë ato nocione që fëmijëve, studentëve dhe qytetarëve u mësohen qysh herët, pra të dijnë sundojnë dhe të sundohen, dhe jo vetëm të sundohen siç po ndodh e si po edukohen brezat sot.

Kush qeveri nuk e kupton këtë ka gjasa që ose të jetë e pa arsimuar, ose të jetë e gjysmë arsimuar, sepse po të ishte e mirë arsimuar kjo qeveri, natyrshëm që këto probleme ekzistenciale të arsimit dhe shoqërisë nuk do të lindnin, kështu që varianti i mirëarsimimit bie dhe mbeten variantet e qeverisë së paarsimuar drejt, ose gjysmë të arsimuar.

Në këtë aspekt latinët kishin një proverb edhe për njerëzit e pa arsimuar dhe gjysmë të arsimuar, e as më tepër prijësit, që në sintezë thoshte “timor hominis non indoctus, et non timor homo eruditionis, ma metum eos con medium erudites”, e cila e thënë në shqip do të thotë “frikohu nga njeriu i pa arsimuar, aspak nga njeriu tepër i arsimuar, dhe ruaju nga njeriu gjysmë i arsimuar”.

Zot ruaje këtë popull nga “prijësit” e pa arsimuar.

Leave a comment