Uzina Dinamo, Rruga Memo Meto, Tiranë

Pershkrimi i një udhëtimi nga Leonard Bixhili 

318459011_3073403706290763_2245054063437591021_n
N J Ë R E P O R T A Z H I V O N U A R
Në ditët e fundit të tetorit, që nga temperaturat e larta ngjanin me ditë gushti dhe ku në fshatin tim bregdetar njerëzit vazhdonin akoma plazhin, mësëfundi vendosa të dal dhe unë nga muret e shtëpisë e të mar rrugën për në Kostandinopojë, siç vazhdojmë ta quajmë ne akoma ose Stamboll siç e quajnë të tjerët sot. Për këtë qëllim bashkë me bashkëshorten iu bashkuam grupit të bashkëfshatarëve tanë që do udhëtonin nga Athina për të vizituar këtë qytet. Të gjitha ishin organizuar e planifikuar mjaft mirë nga agjencia turistike ‘’Ruci Turs’’. Këtu dua të theksoj se ne dhërmiasit jemi të privilegjuar mbasi pronarin e saj e kemi djalë fshati dhe djalë të mirë bile sepse me sakrifica dhe me një çmim të arsyeshëm mban gjallë akoma linjën e përditëshme të udhëtarëve Athinë – Himarë dhe anasjelltas.
Mbas peripecisë që hoqëm ditën e parë me vonesën prej 6 orësh në pikën kufitare të kalimit, dita e dytë na u gdhi e mbarë. Momenti i shumpritur erdhi. Për mua qëllimi kryesor i këtij udhëtimi ishte vizita në kishën e shën Sofisë si dhe takimi me shokun tim të shkollës së Kulturës Flamur Muço që bashkë me familjen banon prej kohësh në këtë qytet.
N Ë K I S H Ë N E S H Ë N S O F I S Ë
Sa zbrita nga autobuzi dhe u gjenda përball kësaj vepre madhështore, Monument i Trashëgimisë Botërore që ruhet nga UNESKO, në trup më shkuan mornica. Radhët me vizitorë gjarpëronin dhe s’kishin të mbaruar. Turistë nga gjithë vendet e botës, në grupe grupe me shoqëruesit e tyre sejcili, nxitonin për fotografitë përkujtimore. Mbas një qëndrimi prej dy orësh në radhë, kaluam një nga një pikën e kontrollit në hyrje. Gratë, në bazë të zakonit, ishin të detyruara të mbulonin kokën me një mantille kurse ne burrat ishim me fat mbasi nuk detyroheshim të ngulnim ndonjë kësule në kokë. Gjithashtu të gjithë vizitorët detyroheshin të xhvishnin këpucët në hyrje. Të gjitha këto na i kishte sqaruar shoqëruesja jonë. Unë kisha mbetur më mbrapa nga grupi dhe duke parë se rafte për vendosjen e këpucëve, përveç hyrjes kryesore kishte dhe në hyrjen e sallës së parë mendova t’i hiqja atje. Por n’atë moment ndjeva një dorë të fuqishme të më tërheq nga zverku duke u çirrur me zë të lartë. Ktheva kokën mbrapa dhe ndesha shikimin e egër të policit. Shokët e mi të grupit u shqetsuan. Menjëherë u ktheva mbrapa. Hoqa këpucët dhe i mora në dorë. Pastaj ju nënështrova qortimeve të gruas dhe të tjerëve me radhë. Kështuqë, pa dashje unë kisha shkelur zakonin prandaj provova dorën e fortë dhe shikimin e egër të policit turk.
Për madhështinë e shën Sofisë, për arkitekturën, vlerat e saj historike dhe kulturore janë shkruar e folur mjaft dhe kushdo mund t’i gjej kollaj në faqet e internetit. Por unë nuk mund të rri pa ngritur zërin për çka pash me sytë e mi. Dyshemetë me mozaik ishin mbuluar me qylyma shumëngjyrëshe, apo mozaikë të tjerë të shekullit të X-të në kupolën e lartë ishin mbuluar me perde të shekullit të XXI-të. Gjithashtu piktura murale shenjtorësh të mbuluara me telajo të mëdha të shkruara në arabisht. Këto më kujtuan të kaluarën e hidhur të 1967-ës kur dhe në fshatin tim, në kuadrin e luftës kundër fesë, u shkatëruan polielet e shtrënjtë të ardhura nga Rusia e largët, u dogjën ikonat dhe u prishën, u suvatuan pikturat murale me vlera të mëdha historike dhe kulturore.
Vendimi i Erdoganit për ta kthyer kishën e shën Sofisë nga muze, që shërbente prej vitit 1935, në xhami ka pasur reagime nga gjithë bota e civilizuar dhe mjaft organizma e udhëheqës shtetesh. UNESKO nëpërmjet një note proteste i kujtoi rregullat e Konventës së Trashëgimisë Botërore (1972) që ndalojnë ndryshimin e distinacionit të monumenteve, të cilat janë nën mbrotjen e Organizatës, pa konsultimin më parë me vet organizatën. Por diktatorë si Erdogani nuk i përfillin këto konventa dhe rregulla ndërkombëtare por veprojnë me llogjikën e gabuar dhe egoiste se ‘’Këtu bëhet si them unë’’ dhe ‘’Unë bëj si dua vet’’.
U largova nga shën Sofia mjaft i emocionuar por dhe i indinjuar njëkohësisht, si njëri, si qytetar dhe besimtar i krishterë ashtu si për sjellje të tilla indinjohet sot kushdo pjestar i botës së civilizuar dhe qytetëruar.
N J Ë T A K I M N Ë ‘’ T A K S I M ‘’
Megjithëse në komunikimin tonë telefonik takimin e kishim lënë atë të diel mbas orës 19, kur neve na ishte lënë kohë e lirë, (udhëtimi me grup ka sigurisht dhe rregullat e tij), Flamuri me bashkëshorten Engjëllushen kishin ardhur më shpejt dhe na prisnin në hotel në qëndër të qytetit, aty tek sheshi i bukur ‘’Taksim’’. Kishim vite të tëra pa u parë dhe na kish zhuritur malli. U përqafuam si vëllezër dhe nuk ndaheshim nga njëri-tjetri. Bashkëshortet tona nuk u besonin syve. Pastaj të gjith bashkë filluam xhiron në gjithë dyqanet me rradhë që stolisnin sheshin dhe ku atë ditë ishte plot me vizitorë. Me Flamurin kemi qënë bashkënxënës në shkollën e Kulturës në Tiranë. Qysh në bangat e shkollës dallohej për vullnetin e hekurt, punën e palodhur dhe sistematike në drejtim të mësimit të instrumentit të fizarmonikës. Flamuri ishte mëshirimi konktret i fjalës së urtë popullore: ‘’Një herë talent dhe dhjetë herë punë’’. Por ka qënë dhe me fat sepse që në fillim ra në ‘’dorë të mirë’’. Në vitin e parë, ku hidhen themelet, kishte profesor Myrteza Krastën i cili kishte mbaruar Konservatorin e Vjenës dhe kishte qënë shok kursi me dirigjentin me famë botërore Herbert von Karajan. Në vitin e dytë po prap kaloi me muzikantin e njohur Aleko Kareco. Ai i futi më shumë në gjak instrumentin mbasi krahas programit mësimor, që përbënte vetëm ushtrime, i jipte për të mësuar dhe ndonjë pjesë muzikore a ndonjë ‘’mazurkë’’. Me shumë punë, studim të vazhdueshëm brenda dhe jashtë orarit, Flamuri ariti në vitin e tretë të luaj në fizarmonikë pjesë të vështira nga ana teknike si ‘’Walc Indifferencë’’(Toni Murena); ‘’Moto Perpetuo’’(Paganini); ‘’Marshin Turk’’(Mozart) etj. Në vitin e katërt në provim shteti Flamuri mbrojti dipllomën me një pjesë tjetër të vështirë klasike: Overturën e Operës ‘’Kavaleria e lehtë (Franz Von Suppe). Pra Flamuri kur mbaroi shkollën ishte një fizarmoniçist profesionist, i gatshëm për tu inkuadruar pa frikë në çdo formacion orkestral. Po kush do ishte fati i tij në vazhdim ? Mbas mbarimit të shkollës ëndërronte të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve për kompozicion por këto ëndrra iu prenë në mes mbasi pikërisht atë vit dajua i tij u dënua me 10 vjet heqje lirie për ‘’Agjitacion e propagandë kundër P. Popullor’’. Me ndihmën e një miku të vjetër të gjyshit, që punonte në Instancat e Larta të shtetit u emërua përgj.vatrës së kulturës në fshatin e tij në Mbrakull të Beratit. Aty punoi për gati 16 vjet. Gjatë kësaj periudhe aktivizohet si instrumentist dhe në aktivitetet e organizuara nga Pallati i Kulturës i qytetit. Në vitin 1983 mbaron dhe një kurs 9 mujor për kompozicion pranë Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore me kompozitorin e mirënjohur Limoz Dizdari. Me shembjen e sistemit, si gjithë shqiptarët, në vitin 1993 emigron në Turqi ku më parë kishte vajtur i vëllai. Punon fillimisht në disa punë bujqësore në periferi të Stambollit. Pastaj hedh një fizarmonikë në krahë dhe nuk u ndahet lokaleve të ndryshme në qëndër të qytetit. Krahas kësaj filloi të jap dhe mësime private. Sot ka 12 vjet që ka hapur shkollën e tij private me dy degë: mësim pjano dhe fizarmonikë me rreth 40 nxënës. Nga kjo shkollë kanë dalë instrumentistë dhe muzikantë të zot. Ka nga ata që kanë vazhduar studimet e larta për muzikë. Vet Flamuri ka marë pjesë disa herë në Festivalin që organizohet në Turqi në 6 maj të çdo viti me rastin e Ditës Botërore të Accordionit (fizarmonikës) me pjesmarës dhe nga vende të tjera ku është vlerësuar dhe me çmim. Simpatizantët dhe kolegët e tij shumë herë edhe sot në formë dashamirësie i thonë: ‘’Të shkosh të puthësh duart e profesorit që të ka mësuar’’. Profesor Alekon ai nuk e ka haruar dhe nuk e haron por sot nuk ka ku ta gjej sepse ai njëri i mirë është ngjitur në qiejtë lartë. Por Flamuri mban lidhje me familjen e profesorit.
Kështu miqtë e mi !.. Nuk mund të rija pa i thënë këto për shokun tim të Shkollës së Kulturës Flamur Muçon që e lashë para 47 vjetësh një punonjës të thjeshtë kulture në Mbrakull të Beratit dhe e gjeta sot një muzikant dhe instrumentist virtuoz në Stamboll me shkollën e tij muzikore private së cilës i ka vënë dhe emrin e vajzës ‘’Mi-Re-La muzik’’. Vet Mirela e ka mbaruar me sukses këtë shkollë dhe duke ecur në gjurmët e babait, sot është dhe ajo një fizarmoniçiste e shkëlqyer. Shumë herë luajnë bashkë babë e bijë. Unë vet i kam ndjekur disa herë në videot e publikuara në fbc. dhe më është bërë zemra mal. Bile kur me këmbënguljen e Ëngjëllushes, bashkëshortes së Flamurit, që për sa e njoha më krijoi përshtypjen e një ëngjëlli të vërtetë, u ulëm në një lokal, për të krijuar një atmosferë të ngrohtë i thashë me plot humor Flamurit :
‘’Nëse fëmijën e parë do ta kishja djalë do kërkoja dorën e vajzës për nuse. Do ishim bërë dhe krushq’’. Qeshëm me lotë të gjithë bashkë mbasi të rinjtë sot e zgjedhin vet njëri-tjetrin.
Cikëm gotat disa herë dhe uruam njëri-tjetri po aq herë. Në fund i dhurova dhe vëllimin tim të fundit poetik të cilin e mban në dorë në fotografinë që bëmë me këtë rast. U ndamë me Flamurin dhe Ëngjëllushen me dëshirën e madhe për tu takuar dhe prapë. Jam i sigurtë se prapë do të takohemi, por se ku nuk i dihet. Mbase në Greqi radhën tjetër, në Shqipëri ose dhe prapë në Turqi… Të kemi shëndetin dhe do gjëndemi….

Leave a comment